Melihate Tërmkolli ka disa fjalë për Qeverinë Kurti dhe opozitën, tregon se cila ia ka frikën zgjedhjeve

Aktuale

Melihate Tërmkolli ka disa fjalë për Qeverinë Kurti dhe opozitën, tregon se cila ia ka frikën zgjedhjeve

Nga: M.L. Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 20:12
Melihate Tërmkolli

Ish deputetja e Kuvendit të Kosoës, Melihate Tërmkolli, vlerëson se në Kosovë po ndodhë shtrenjëtimi me i madh i produkteve elementare për jetën e qytetarëve.

Në një postim në Facebook ajo ka shkruar se ndonëse Qeveria Kurti nuk e solli këtë gjendje, problem paraqet pandjeshmëria ndaj saj,

“Shteti i “lirë”, jetesa e shtrenjtë! Si rrallë herë në këto njëzet vite, ka ndodhë një shtrenjtim kaq i madh i produkteve më elementare jetësore duke sjellë një pjesë të madhe të qytetarëve në zgripc të jetesës, në pamundësi të jetesës.

Nuk është se Qeveria Kurti e solli krejt këtë situatë, por kjo po ndodhë në këtë qeverisje. Problemi më i madh i Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti është pandjeshmëria ndaj gjendjes. Asnjë fjalë nuk e tha Kryeministri për shtrenjtimet që në shumë produkte po arrijnë vlerën e rritjes 100%. Një qeveri që injoron këtë situatë, nuk mund të quhet qeveri në interes dhe as në shërbim të popullit e qytetarëve. Për më keq, deklaratat për rritje ekonomike, që edhe mund të jenë të vërteta, e humbin kuptimin dhe vlerën në situatën e ngulfatjes së jetës së qytetarëve”, shkruan Tërmkolli.

Ajo thotë se pandjeshmëri të tillë Qeveria po shfaqë pothuaj edhe në të gjitha fushat tjera, në çdo gjë për të cilën nëse nuk ka një zgjidhje, së paku duhej të jepte një shpjegim.

“Si pasojë, ata që janë më të rëndësishmit për këtë vend dhe që i japin kuptim jetës por edhe shtetit, po ikin. Nga Kosova, po ikin qytetarët e saj dhe investitorët.

Qytetarët po ikin nga vendi më tepër se në kohën kur detyroheshin të largohen nga okupimi serb në vitet 90-ta. Askush nuk ngre alarmin dhe as mërzitet për këtë zbrazje të Kosovës. Shprehur me fjalorin politik të Kryeministrit Kurti, kjo është “gjakderdhja” e vërtetë dhe më e madhe që po përjeton vendi ynë” shprehet ajo.

Tërmkolli thekson se investitorët po ikin nga papërgjegjësia totale e pushtetit për jetën e njerëzve.

“Nga ne, nga papërgjegjësia totale e pushtetit për jetën e njerëzve tanë, po ikin edhe investitorët.

Asnjë përgjegjësi, asnjë llogari nuk kërkon kush ndaj kujt!

Me gjasë, nga frustrimi “konstant”, qytetarët nuk kanë fuqi më as të protestojnë, as të reagojnë”, shprehet ish deputetja.

Tutje ajo thotë se opozita e pagojë, ka të vetmin shqetësim dhe alarm se mos po i shkon mendja kujt të mbajë zgjedhje të reja.

“Si rrallë kund në botë, në Kosovë, është opozita ajo që frikësohet nga zgjedhjet eventuale e jo qeveria. Natyrisht, zgjedhjet e shpeshta nuk janë zgjidhja më e mirë por opozita duhet të gjejë mënyrën për zgjidhje të problemeve. Opozita nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia për këtë gjendje në të cilën jemi në të gjitha fushat, jo vetëm për shkak të qeverisjes së saj sa ishte në pushtet, por më tepër për sjelljen e saj të sotme si opozitë. Një opozitë që nuk merr asnjë lloj veprimi në këto situata, nuk meriton jo vetëm pushtetin por as të qenët opozitë.

Nga gabimet e qeverisë edhe mund të fitohet njëherë, por jo gjithherë”, përfundon ajo.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat