Burokratët e pavlerë të Brukselit/Vjen reagimi i ashpër ndaj BE-së pas kërkesës për Asociacionin, përmenden vizat

Aktuale

Burokratët e pavlerë të Brukselit/Vjen reagimi i ashpër ndaj BE-së pas kërkesës për Asociacionin, përmenden vizat

Nga: G.B Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 10:06
Albin Kurti dhe Joseph Borrell

Blerim Latifi ka reaguar pas insistimit të BE-së për formimin e Asociacionit.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se këto nuk janë negociata as dialog por diplomaci e forcës, ku BE e mbetur në duart e burokratëve të pavlerë, kërkon që të formohet asociacioni ndërsa që nuk ofron asgjë në këmbim, madje as liberalizim të vizave, përcjell Bota sot.

Ai ka pyetur se pse po përdoren këto standarde të dyfishta për Kosovën, derisa shton se dialogu është shndërruar në platformë që i shërben Serbisë në rrugën drejt BE-së ndërsa që Kosovës asgjë.

Andaj, ai ka thënë se duhet rezistencë ndaj këtij presioni.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Serbia e kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje nuk lë ditë pa e përmendur se nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk është dialog. As negociatë. Është diplomaci e forcës. Bashkimi Europian, i mbetur në duart e burokratëve të pavlerë të Brukselit, kërkon Asociacionin, por nuk i ofron asgjë Kosovës në këmbim. Madje as liberalizimin e vizave të premtuar qysh moti, edhe përkundër faktit se sot Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se të gjitha vendet e rajonit. Pra edhe Bashkimi Europian po vepron njëjtë si Serbia, me gjuhën e diplomacisë që presionin e orienton tek pala e dobët.

Na thonë se keni obligim t'i zbatoni marrëveshjet e nënshkruara. E ju zotërinj burokratë të Brukselit pse nuk po e zbatoni obligimin për liberalizimin e vizave?

Pse këto standarde të dyfishta?

Kuptohet lehtë: standardet e dyfishta bëjnë pjesë në diplomacinë e forcës, në diplomacinë e të mbështeturit për muri. Ky dialog qartazi është shndërruar në një platformë që i shërben Serbisë në rrugën e integrimit europian, derisa Kosovës nuk i garantohet asgjë në këtë drejtim. Në këtë pikëpamje unë jam për rezistencë ndaj presionit që po na bëhet. Sepse vetëm ata që rezistojnë mund të fitojnë diçka. Ata që ulin kokën dhe pranojnë gjithçka që u kërkohet, nuk do të marrin asgjë më shumë se fjalët e bukura, të cilat i merr era e parë që fryn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat