VOA: SHBA me sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviçit në veriun e Kosovës

Aktuale

VOA: SHBA me sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviçit në veriun e Kosovës

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 20:27
Departamenti i Thesarit 

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetra individëve dhe subjekteve në Evropë dhe hemisferën perëndimore, përfshirë një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviç.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t'u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

Milan Radojçiç, që është pjesë e grupit është një nga drejtuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Në njoftimin e departamentit të Thesarit, thuhet mes tjerash se Zvonko Veselinoviç, si shef i grupit të krimit të organizuar është një nga figurat e më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Grupi i tij, thuhet ne njoftim, është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, për të lehtësuar trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në listë përfshihen edhe shumë kompani në Serbi dhe Kosovë, që janë të lidhura me pjesëtarët e grupit.

Në njoftim theksohet se Zvonko Veselinovic dhe grupi i tij u akuzuan nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e politikanit lokal serb, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018. Zvonko Veselinoviç dhe anëtarët e tjerë të grupit të krimit të organizuar Milan Rajko Radojçiç, Zhelko Bojiç dhe Marko Rosiç, u përmendën të gjithë në aktakuzën për vrasjen.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se sanksionet janë në pajtim me objektivat e Samitit për Demokracinë që mbahet këtë javë nën organizimin e presidentit amerikan, Joe Biden.

Ai tha se bandat që veprojnë përtej kufijve janë "destabilizuese" dhe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë qeveritarë. “Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar i mbështetur nga aktorë të korruptuar mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të gërryejë besimin në institucionet publike dhe të dobësojë qeverisjen demokratike", thuhet në deklaratën e sekretarit Blinken.

"Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efektet masivisht destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike", tha drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja, Andrea M. Gacki. “Thesari, tha ai, do të vazhdojë të çmontojë në mënyrë agresive lidhjet midis organizatave kriminale transnacionale dhe aktivitetit korruptiv, veçanërisht të atyre që anë në detyrë dhe kanë besimin e publikut”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mirëpriti sanksionet amerikane ndaj Zvonko Veselinoviçit dhe grupit të tij ndërkombëtar të krimit të organizuar në veriu i Kosovës.

“Institucionet e Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë për grupe të tilla kriminale”, shkroi ajo.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e krerëve të krimit të organizuar në Kosovë, është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën. SHBA dhe Kosova janë të përkushtuar për sundimin e ligjit dhe kjo është një përpjekje e përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat