Ramush Haradinaj u shoqërua me figurën famëkeqe të veriut - çfarë shkruan në dosjen e EULEX-it?

Aktuale

Ramush Haradinaj u shoqërua me figurën famëkeqe të veriut - çfarë shkruan në dosjen e EULEX-it?

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 20:40
Ramush Haradinaj

Në përpjekje për t’u bërë kryeministër, katër vjet më parë Ramush Haradinaj ishte shoqëruar me Millan Radoiçiqin në një resotorant në qendër të Prishtinës.

Takimi ishte realizuar në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të vitit 2017 të cilat i kishte fituar koalicioni PAN, me Haradinajn kandidat për kryeministër.

Radojiçiq është babai i gruas se Zvonko Veselinoviqit, i hetuar një kohë të gjatë në Kosovë dhe i dënuar në Serbi. Emrat e të dyve u renditën në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mërkurën.

Vesellinoviq, përshkruhet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. I përfshirë në aktivitetet e dyshimta kriminale të tij përmendet edhe Millan Radoiçiq.

Media posedon një dosje të Njësisë kundër krimit të organizuar të EULEX-it që kanë hetuar Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin. Ata përshkruhet si njerëz të rrezikshëm. Raporti i EULEX-it i implikon ata në kontrabandë të naftës, drogës, e mallrave tjera.

Radojiçiq, sipas hetuesve të EULEX-it, është i përfshirë në kërcënime dhe rrahje, në shumë raste, të policëve të Kosovës.

Ai ka qenë i dënuar në vitin 2003 me vendim të formës së prerë me gjashtë muaj burgim për vjedhje të rëndë.

Pavarësisht prej krimeve të dyshuara të tij, Haradinaj kishte pranuar të takohej me Radoiçiqin në kërkim të votave për kryeministër.

Gazeta kishte publikuar më 31 korrik, 2017, një fotografi të Haradinajt me Radoiçiqin. Ishin ulur në restorantin “Tiffany”, në Prishtinë.

Sipas raportimit të mediave, gjatë takimit në mes të Haradinajt dhe Radoiçiq, ishte diskutuar lidhur me përfshirjen e Listës Serbe në Qeverinë e drejtuar nga Haradinaj.

Dosja e EULEX-it e paraqet Radoiçiqin si njeri të rrezikshëm.

Ai sulmonte dhe kërcënonte policët që guxonin të merreshin me të. Për një rast ishte arrestuar dhe dërguar në Gjykatë. Por, një prokurore vendëse e korruptuar e kishte liruar atë, pasi sipas EULEX-it ishte paguar nga grupi i Vesellinoviqit.

Bëhej fjalë për ish-prokuroren, Vahide Badivuku e dënuar për marrje ryshfeti.

Në një raport vëzhgimi të hetimeve thuhej se më 30 korrik 2009, Zvonko Vesellinoviq dhe Milan Radojiçiq kishin kërcënuar me vdekje një polic serb të Kosovës derisa ishte në detyrë.

Një hetim zyrtar ishte hapur dhe një njësi hetimi e Policisë së Kosovës nga stacioni Policor i Veriut të Mitrovicës ishte vendosur në krye të këtij rasti.

“Prokurorja publike në detyrë, Vahide Badivuku kishte dhënë udhëzime hetuesve për të arrestuar dy të dyshuarit dhe për t’i dërguar te ajo. Më vonë, në fillim të gushtit 2009, Zhelko Bojiq dhe Milan Ristoviq të dy zyrtarë të Policisë së Kosovës të caktuar në Task Force në veri të Mitrovicës ishin parë në jug të Mitrovicës së bashku me Vahide Badivukun”, thuhet në raport.

“Prokurorja ishte ulur brenda automjetit Golf 5 të Policisë së Kosovës duke negociuar me ta”.

Sipas EULEX-it, Zhelko Bojiq dhe Milan Risteviq kishin një takim jozyrtar me prokuroren për të negociuar në emër të Zvonko Veselinoviqit me qëllim që të caktimit të gjykatësit për të minimizuar dënimin, para arrestimit.

“Më 14 gusht 2009 Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq u dorëzuan në Polici me vetiniciativë. Gjatë marrjes së deklaratës hetuesit kontrolluan bazën e të dhënave përmes zyrtarit të tyre për operativë dhe kuptuan Zvonko Veselinoviq është i kërkuar sipas një urdhërese gjyqësore për veprat penale që daton nga 2003 dhe duhet të sillej në Gjykatën Komunale në Mitrovicë. Po ashtu edhe Milan Radojiçiq duhet të paraqitet në Gjykatën Komunale në Prishtinë me qëllim të njoftimit të vendimit me të cilin ai u dënua me gjashtë muaj burgim për vjedhje të rëndë”, shkruan në dosje.

Veselinoviq ishte identifikuar nga inteligjenca e Policisë ndërkombëtare në Kosovë si kriminel, aktivist i politikës radikale.

Hetuesia thotë se ka filluar karrierën si vjedhës i veturave por ka avancuar shumë shpejt në kontrabandë me karburante, drogë dhe trafikim armësh. Në gjithë këtë veprimtari ka punuar me shqiptarë.

Policia shkruante se duhet të kushtohet kujdes për shkak se Veselinoviq ka prirje për dhunë, si dhe për faktin se ai është personalisht, ose nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij i lidhur me zbatuesit e korruptuar të ligjit. Hetuesit thonë se më 14 gusht 2009, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq, ishin dorëzuar me vetiniciativë në stacionin e Policisë në veri dhe sipas udhëzimeve të prokurores, Vahide Badivuku, Zvonko Veselinoviq, pas intervistës ishte liruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat