(E plotësuar 15:50) - Kurti: Mund t’i kemi punët keq me situatën energjetike nëse s’merren masa
Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova ka arritur që ta evitojë krizën ekonomike falë kapaciteteve vendore për prodhim të energjisë. Megjithatë, kryeministri deklaroi se me zgjatjen e gjendjes së krizës dhe rritjes së konsumit gjatë stinës së dimrit, tejkalohen kapacitetet vendore dhe mundësitë financiare për të prodhuar rrymë.
Poashtu, Kurti deklaroi se shpërputhja e çmimit të importit me çmimin e furnizimit është e paqëndrueshme nëse nuk merren masa.
“Deri më tash kemi arritur që të evitojmë efektet e kësaj krize falë kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë. Mirëpo zgjatja e gjendjes së krizës dhe rritja e konsumit sidomos gjatë muajve të dimrit, i tejkalon kapacitetet vendore dhe mundësitë financiare që ka sektori energjetik për të vazhduar përballjen me këtë krizë. Për shkak të çmimeve të larta të importit, ka përkeqësim të gjendjes së likuiditetit në këtë sektor dhe shpërputhja e madhe e çmimit të importit me çmimin e furnizimit poashtu është e paqëndrueshme nëse nuk merren masa", tha ai.
Ai u ka bërë thirrje ministrave përgjegjës që të marrin masat dhe veprimet e nevojshme për të siguruar stabilitetin e furnizimin me energji elektrike.
“Ftoj ministrat që të marrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për të siguruar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike dhe që kjo të jetë e përballueshme për qytetarët tanë”, ka thënë Kurti.
Qeveria themelon grupin koordinues ndërinstitucional për të drejtat e njeriut
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot një sërë projektligjesh sikurse ai për kompensimin e viktimave të krimit, Projektligji për aktet juridike, Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave.
Ekzekutivi miratoi udhëzimin administrativ për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për kompensimin e punës jashtë orarit dhe pjesëmarrjes në seanca gjyqësore të ekspertëve mjeko-ligjor.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se shfuqizimi i këtij udhëzimi administrativ shmang kompensimin pa bazë ligjore.
Qeveria themeloi edhe grupin koordinues ndërinstitucional për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Projektligjin për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemave të bazuara në performancë
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në tetë muaj qeverisje kanë treguar përkushtimin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.
Para mbledhjes së qeverisë, kreu qeveritar tha se toleranca ndaj individëve të korruptuar do të jetë zero.
“Do të vazhdojmë për kauzën që na ka sjellë në qeveri për luftën ndaj korrupsionit. Këta 8 muaj të qeverisë sonë tregojnë se korrupsioni nuk mund të lidhet me nivelet e larta, po u dëshmua e kundërta, toleranca do të jetë zero. Kemi treguar përkushtim për luftimin e krimit dhe korrupsionit”, tha ai.
Duke mirëpritur sanksionet e SHBA-së ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të tij për krim dhe korrupsion, Kurti tha se nuk do të lejojnë asnjë individ të jetë mbi shtetin ligjor.
“E kemi mirëpritur vendimin për sanksionimin e personave në veri të Kosovës. Sanksionet treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitet dhe vërtetuan legjitimitetit e aksionin e policisë së Kosovës javë më parë në qeveri. Nuk do të lejojmë që asnjë individ të jetë mbi shtetin ligjor”, u shpreh Kurti.
Fillon mbledhja e Qeverisë
Ka filluar mbledhja e qeverisë.
Para pak minutash ka filluar mbledhja e qeverisë së Kosovës.
Mbledhja është paralajmëruar në orët e para të mëngjesit.
Arsyeja e mbledhjes nuk është bërë me dije.
***
Sot të mblidhet kabineti qeveritar.
Nga zyra e kryeministri kanë bërë të ditur që mbledhja e Qeverisë së Kosovës do të mbahet sot me të filluar në ora 14:00.
Nuk është bërë e ditur arsyeja e mbledhjes.
Vijon...