Hulumtimi, serbët e Kosovës e shohin veten gjithnjë e më të rrezikuar

Aktuale

Hulumtimi, serbët e Kosovës e shohin veten gjithnjë e më të rrezikuar

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 19:33
Foto ilustrim

Një studim i publikuar nga organizata joqeveritare “Activ” me seli në Mitrovicën e Veriut, vë në pah se serbët e Kosovës e shohin veten në një pozitë gjithnjë e më të rrezikuar, që në aspektin afatgjatë cenon mirëqenien e tyre dhe vë në pikëpyetje dëshirën e tyre për të qëndruar në Kosovë.

Studimi me titullin “Analiza e Trendit 2021: Qëndrimet e Komunitetit Serb në Kosovë”, është kryer në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe me gjithsej 540 të anketuar.

“89 për qind e të anketuarve konsiderojnë se situata në Kosovë nuk po shkon në drejtimin e duhur, nuk ka lëvizje të konsiderushme në krahasim me vitet e kaluara”, tha Miodrag Miliçeviç, drejtor i organizatës Activ.

Sipas studimit, rreth 40 për qind e të anketuarve konsiderojnë se jeta e serbëve në Kosovë do të jetë më e keqe gjatë tri viteve të ardhshme ndërsa mbi gjysma e të anketuarve thonë se problemi më i madh në Kosovë është ikja e të rinjve.

“Ajo që vazhdon të mbetet shqetësuese është së përafërsisht gjysma e qytetarëve të moshës së rritur nuk e shohin vetën gjatë pesë viteve të ardhshme në Kosovë. Kjo shkallë është aq alarmante dhe deri më tani nuk ekziston asnjë përgjigje institucionale as nga Prishtina as nga Beogradi”, tha Miodrag Miliçeviç.

Sipas studimit, 65 për qind e të anketuarve mendojnë se Rusia është mbrojtësi më i mirë i interesave të komunitetit serb në Kosovë, ndërsa 22 për qind e tyre mbështesin vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbi në Bruksel.

“Një pjesë dërrmuese e qytetarëve, pra gati gjysma e të anketuarve ende nuk besojnë që do të formohet Asociacioni i komunave serbe dhe ky zhgënjim nuk është diçka e re për komunitetin serb”, tha Miodrag Miliçeviç.

Ai tha se të anketuarit janë të shqetësuar me mungesën e lirisë së shprehjes për pikëpamjet e tyre politike.

“Shtatë nga dhjetë qytetarët theksojnë se nuk ndjehen të lirë të shprehin publikisht pikëpamjet e tyre politike dhe kjo nuk është asgjë e re, për këtë jemi paralajmëruar qysh nga viti 2017 pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit dhe ky trend i mungesës së lirisë vazhdon më tej”, tha ai.

Sipas studimit nuk ka pasur ndryshim në qëndrimin e serbëve ndaj Bashkimit Evropian, meqë 48 për qind e të anketuarve kanë qëndrim negativ ndaj bllokut të cilin e shohin si të pafuqishëm jo vetëm në procesin e bisedimeve por edhe mungesën e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Dhjetë për qind e të anketuarve mendojnë se marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve janë të mira.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, që njëherësh trajton problemet e komuniteteve pakicë tha se rivendosja e besimit në institucionet e Kosovës nuk është çështje vetëm për serbët, por për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë shtet.

“Derisa nuk mendojmë si Kosovë dhe derisa ndahemi në grupe etnike, si shqiptarë, serb, boshnjak, turq dhe të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë dhe derisa nuk mendojmë në frymën e respektit ndaj shtetit tonë, në atë të cilën jetojmë, do të kemi paragjykime ndaj njëri tjetrit”, tha ajo.

Sipas hulumtimit, shumica e serbëve në Kosovë e konsiderojnë situatën e sigurisë si shumë të keqe dhe në këtë sipas hulumtimit ka mundur të ndikojë rritja e numrit të incidenteve në mjediset me shumicë serbe dhe tensioneve politike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Po ashtu, studimi thekson se rënia e besueshmërinë politike është e ndërlidhur me ngecjen e vazhdueshme të procesit të bisedimeve dhe me ndjenjën më të madhe të pasigurisë rreth pozicionit të përgjithshëm të serbëve të Kosovës pas fitores së Arbin Kurtit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat