Ramush trego se kush do t’i përfitonte nga qeveria jote pesë milionë eurot!?

Aktuale

Ramush trego se kush do t’i përfitonte nga qeveria jote pesë milionë eurot!?

Nga: Idriz Morina Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 12:26

Ramush Haradinaj është ringjallur si ‘feniksi’ në politikë. Nuk po ndalet së kërkuari llogari. Ide për investime, për shfrytëzim buxheti, për ushtrinë... të gjitha me një emërues të përbashkët – tenderomaninë, nga e cila psikozë nuk do të mund të lirohet, si duket edhe po të ketë një jetë tjetër.

Ai nuk mund të flasë asnjëherë për kërkim të ligjshmërisë. Vetëm ligji e pengon, zbatueshmëria e tij.

I përmendur me dhjetëra herë për superskandale dhe marifete të tjera, po e kujtojmë këtu vetëm një detaj, për të cilin Ministri i Financave u bëri thirrje institucioneve hetuese të nisin procedurat.

Sipas një regjistrimi krahasues të vetëm një rasti, qeveria Haradinaj, ka treguar se si shkelet ligji, në emër të interesave të klaneve, që burimin kryesor të fitimit e kishin abuzimin me buxhetin shtetëror.

Fitim i papranueshëm për ta, 617 herë më shumë se investimi

Kështu në vlerësimin e një prone për shpronësim, që e kishte bërë qeveria, një ari tokë të merrej nga shteti për 3.700 euro, ndërsa ishte blerë në privatizim për 6 euro ari.

Këtë informacion e kishte bërë publik në shtator, ministri i Financave Hekuran Murati.

“Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes”, shkruante Murati.

Sipas kësaj llogarie, një prej përfituesve më të mëdhenj prej rreth 24 milionë euro nga pagesa e tërësishme shtetërore për shpronësimin në fjalë, do të kishte në konto rreth 2.4 milionë euro.

Por, si duket dikush në Qeveri e ka njohur përfituesin ‘magjik’ prej 2.4 milionë eurove, dhe i pakënaqur me kuotën e fitimit, ka vendosur ta bëjë dyfish.

Pra, të pakënaqur që shtetit po ia rishisnin tokën private për 616.7 herë më shtrenjtë, si të dehur nga vendimi, duke besuar se paratë tashmë i kishin të sigurta, kaluan në hapin tjetër.

Habia është se vlerësimi i ri ka ndodhur me një shpejtësi tepër të madhe, kohë rekord. Sigurisht të motivuar nga dëshira për t’i përfunduar procedurat sa më parë, dhe që milionat të derdhen në kontot private, qoftë për pasurim, qoftë për të arritur njëfarë shkalle të pastrimit të parave, milionerët. Por, edhe mund të ketë ndodhur të shtyrë nga ideja e ‘tenderomanisë’, rrit fitimin për përfituesit kryesor, dhe rrit përqindjen dhe fitimin për veten, si miratues dhe krijues i çmimit.

Me logjikën ‘halabake’, duket sikur kanë arsyetuar si shumëherë, “çka janë 5 milionë euro për shtetin”, nëse i fiton një person, që nuk mund t’ia qëllojmë se kush ishte. Ka mjaftuar një shkallë e tillë arsyetimi, pasi ministri Murati nuk jep arsyetimin pse ka ndodhur kjo, meqë përshkruan vetëm referencat e çmimeve, të privatizimit, të vlerësimit të parë, dhe të rivlerësimit.

Fiks pas gjashtë muajve, nga vlerësimi i parë, Qeveria, përkatësisht Ministria e Planifikimi Hapësinor, me 17 dhjetor 2019 do të bënte vlerësimin e ri, më saktë do të mbidyfishonte çmimin dhe vlerën e pagesës së tërësishme.

“Por, sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njëjtën tokë ta shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqindfishi i çmimit të privatizimit)”, shkruante Murati.

Pra, pas rivlerësimit të vlerës së tokës për shpronësim, do të rritej për 1250 herë vlera e arit e tokës së blerë me 6 euro ari, e jo me 1.200 herë sa thotë Ministri.

“Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro.

Pra, nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund. Fatmirësisht, e stopuam me kohë.

Pra, me katër mijë euro, njeriu do të bëhej zyrtarisht milioner, pronar i së paku mbi 4.8 milionëve!

Fakte si kjo, ka edhe shumë të tjera. Krejt çka nevojitet është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit”, shkruante Murati.

Ankimi dhe moshetimi

Por, që atëherë përplasja ka vazhduar me shembuj të ndryshëm të çmimit të privatizimit të tokave, por ende asnjë hap nga prokuroria dhe policia, për të hetuar keqpërdorimet.

Rasti në fjalë është ndalë, në kuptimin e dëmtimit të buxhetit të shtetit, por nuk është zbuluar rrjeti i krimit, që ndërlidh biznesmenë, politikanë dhe administratën, në këtë rast në Ministrinë e Financave dhe në dikastere të tjera.

Është në ndërgjegjen e Ramush Haradinajt, të zbulojë publikisht përfituesin e 5 milionë eurove, dhe gjithë përfituesit e tjerë.

Nëse e do vërtetë Ramushi Kosovën, siç po pretendon ta thotë nga mikrofoni i Kuvendit, duhet të pranojë të bëhet dëshmitarë për abuzimin e ndërprerë.

Që kjo zallamahi e privatizimit, të shumëfishimit të pasurimit me nga njëmijë e më shumëherë të marrë fund, që të mos ankohemi vetëm për të shkuarën, por ta ndryshojmë të sotmen, për të ardhmen më të mirë.

Ministri Murati dhe Qeveria, ta miratojnë ndryshimin e Ligjit për AKP-në dhe privatizimin. T’i shpallin nul nenet e kooptuara të rregulloreve të UNMIK-ut, që prona publike të shitet pa vlerësim, dhe që të nxirret në treg me çmim zero, dhe po ashtu shitjet të bëhen me oferta të hapura, për të eliminuar çdolloj monopoli apo manipulim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat