Profil/ Kush është Mentor Beqiri, i përmendur publikisht si njeri i Veselenoviçit për kontrabandë

Aktuale

Profil/ Kush është Mentor Beqiri, i përmendur publikisht si njeri i Veselenoviçit për kontrabandë

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 16:35
Zvonko Veselinoviq dhe Mentor Beqiri

Mentor Beqiri është biznesmen “problematik”, i cili me rrjetin e bizneseve të tij operon kryesisht në veri të vendit. Beqiri është një biznesmen që jo rrallë herë është paraqitur para Gjyqit si i akuzuar.

Emrin e tij për opinionin e gjerë e bëri të ditur që në vitin 2011 gazeta amerikane The New York Times, në hulumtimin: “Në Kosovë, kontrabanda nxit bashkëpunimin e pazakontë ndëretnik”.

Kjo gazetë amerikane shkruan që Mentor Beqiri ishte ana tjetër, në Kosovë, e operacioneve të kontrabandës të Zvonko Veselenoviçit, ky fundit tashmë i futur në listën e zezë të lëshuar nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2009 ishte akuzuar për kontrabandë me naftë, sipas gazetës, por çuditërisht, akuzat u rrëzuan në mungesë provash.

Hetuesit u kishin thënë gazetarëve amerikanë që Beqiri e Veslenoviqi bashkëpunonin në kontrabandë përmes rrjetit të pompave të benzinës që kishte Mentor Beqiri, dhe se kur duhej të takoheshin, e bënin këtë nëpër enklava serbe.

Mentor Beqiri përmendet edhe nga kryeinspektori i Punës nga regjioni i Mitrovicës së Veriut, Nexhat Fazliu. I cili gjobiti kompaninë e tij me 10 mijë për shkak mos trajtimin të duhur të një punëtoreje të mitur.

Inspektori i punës, Nexhat Fazliu mori vendimin që të hetohej ky rast, dhe krejt telashet, sipas tij me Mentor Beqirin filluan aty.

Inati duket që nuk i kaloi Mentor Beqirit. Nexhat Fazliu do të përfundon i sulmuar brutalisht. Edhe Prokuroria e Shtetit thotë që e sulmuan punëtorët e Mentor Beqirit me urdhër të Mentor Beqirit.

Ai tutje tregon, se pas sulmit brutal ndaj tij çka do të ndodhte me Mentor Beqirin dhe grupin e punëtorëve të tij. Si do të përfundonte i vrarë Mehmet Kurti, që në këtë foto në dosje policore është shënuar me numrin një, dhe afër tij rri i akuzuari tjetër, Behar Halili, i shënjuar me numrin dy.

“Fillimisht është shqiptuar gjoba në shumën prej 10 mijë eurove ku dy javë pas pranimit të gjobës që ka shkuar me post. Mentor Beqiri, pronar i subjektit MAB SH.p.k i ka urdhëruar punëtorët e vet, të cilët më kanë ardhë në vendlindjen time në fshatin tim, persona të maskuar dhe më kanë sulmuar me shkopinj të bejsbollit dhe më kanë lënë për vdekje”, ka deklaruar ai.

Prokuroria ka akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë Behar Halilin e Shpëtim Tahirin, derisa e përmend si pjesëmarrës në sulm edhe Mehmet Kurti, i cili do të vritej në një incident tjetër më vonë. Mentor Beqiri është akuzuar për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë.

InDoks ka kontaktuar Mentor Beqirin, të akuzuarin për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë kundër Fazliut, por i njëjti ka refuzuar të japë intervistë para kamerës. Ai ka dërguar vetëm një deklaratë me shkrim.

“Unë nuk e kam urdhëruar sulmin ndaj Nexhat Fazliut dhe as kolegët e mi nuk e kanë sulmuar. Aktakuza nuk ka prova. Mendoj që deklarata e Fazliut është për ti bërë presion psikik Prokurorisë dhe Gjykatës”, ka thënë Mentor Beqiri.

Ditën kur InDoks ka realizuar intervistën me Nexhat Fazliun, i njëjti kishte pranuar që të i tregonte ekipit vendet ku i ka shqiptuar dënimet kundër kompanisë RAD, të lidhur me Millan Radojçiqin e kompanisë së Mentor Beqirit.

Gjatë kësaj lëvizje nga Jugu i Mitrovicës deri tek spitali në Veri, vetura e ekipit të InDoks, ku ishte edhe Fazliu, ishte përcjellë nga një veturë e picerisë, të cilën e voziste Behar Halili, i akuzuari për tentim-vrasje ndaj Nexhat Fazliut. Policia është njoftuar për këtë rast.

Mentor Beqiri, që me kompaninë e tij MAB ndërton banesa edhe në Serbi, por edhe në Kosovë, ka pasur disa procese gjyqësore. Në vitin 2012 madje u ndalua edhe nga EULEX.

“Dimensionet e biznesit kriminal të udhëhequr nga Mentor Beqiri duket të jenë të mëdha. Prova e marrë nga regjistrimi dhe përgjimi i telekomunikimeve të tij ka zbuluar se Mentor Beqiri është gjithashtu i përfshirë në veprimtari lidhur me ndërtimin dhe shitjen e pronës së paluajtshme në emër të kompanisë ‘Project Energineering’, firmë kjo e paregjistruar… në Fushë-Kosovë dhe dy të tjera në pjesën jugore të Mitrovicës”, ka përshkruar prokurori veprimtarinë e tij. “Kjo veprimtari ka mundur të jetë kanal përmes të cilit janë pastruar përfitimet e ardhura nga shitja e karburantit të kontrabanduar”, kishte deklaruar prokurori i EULEX, Olivier Beauvallet.

Edhe këto akuza i kishte mohuar Mentor Beqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat