Kush po përpiqet ta trondisë me destabilitet Kosovën? / Vrasje, bomba, terri, kërcënime...

Aktuale

Kush po përpiqet ta trondisë me destabilitet Kosovën? / Vrasje, bomba, terri, kërcënime...

Nga: Idriz Morina Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 22:52
Foto ilustrim nga hetimi i një krimi

A është një skenar destabilizimi? Frika nga sundimi i rendit dhe ligjit, po i tmerron grupet kriminale, pa dallime etnike.

Pasuria marramendëse që e kanë krijuar, mirëqenia përrallore, shtëpi e banesa luksoze, në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, në Europën Perëndimore, e deri në Dubaj, i ka bërë të ndihen si të pakapshëm, dhe të gjithëpushtetshëm.

Papritmas, u ndodhën para një situate, ku gjithçka mund të përmbyset, të humbet shijimi i jetës, udhëtimeve të pafundme, ushqimit dhe veshjeve superluksoz, veturave nga më të mirat, dhe që i ndërronin kur të duan.

Meshkuj që bënin kokrrën e qejfit me femra nga më të mirat, zonjusha të reja, të bukura, të gatshme për çdo aventurë... femra që kanë nisur një jetë tjetër që se kanë njohur, që po e shijojnë kënaqësinë e saj, nga të mirat që kryesisht ua kanë krijuar baballarët e fuqishëm, ka nisur t’i trazohet dhe rrënohet!

Janë disa situata që sikur krijojnë një sinkroni pakënaqësie, ndërsa që mund të orkestrohen nga rrjeti i mbijetuar i SHIK-ut, dhe për të fshehur bashkëpunimin me serbët, që po zbulohet gjithnjë e më shumë dhe që pritet të shfaqet lakuriq, nëse SHBA-të vazhdojnë vendosmërinë për të zbuluar identitetin e atyre që janë në listën e zezë, për krim të organizuar brenda Kosovës dhe atij ndërkombëtar.

1. Arrestimet në rastin skandaloz të Shtërpcës, që zbuloi jo vetëm një krim të organizuar serbësh, por edhe përfshirjen e dhjetëra njerëzve të fuqishëm, siç kemi shkruar, pritet të dalin ish-presidentë, ish-kryeministra, deputetë e ish-deputetë, ish drejtues policie, e mbase edhe të AKI-së, kanë tronditur një botë të tërë të krimit.

Kjo po nxit një bashkëveprim të krimit të organizuar nga ish zyrtarë të lartë të shtetit me grupet kriminale serbe.

2. Ndërkohë që kur kësaj ia shton edhe Listën e zezë të SHBA-ve, situata për grupet kriminale, që jetonin në simbioz me strukturat politike, i bën edhe më të tronditura rrjetet kriminale, më të frustruara, kështu që intensiteti i veprimit të tyre bëhet edhe më i pakontrolluar.

3. Ndërsa, kur kësaj situate ia shtojmë edhe rrezikun që janë disa dhjetëra veta që kërkohen nga gjykata speciale, përfshirë ata që janë në Hagë, dhe pakënaqësinë e vazhdueshme që mundohen ta mbjellin në opinion, e bën një situatë kritike të pakënaqësisë psikologjike, të grupeve të caktuara.

4. Por, kjo ende është e pamjaftueshme për një shpërthim. Shpërthimi psikologjik nuk mjafton, për të realizuar qëllimin e atillë, nevojitet pakënaqësia sociale, nxitja e masës, provokimi i saj i drejtpërdrejtë.

Kështu që ekspertët e tyre në bashkëpunim me shërbime antishqiptare, e kanë përgatitur plotësimin e skenarit, nëpërmjet krizës energjetike. Duke besuar se Qevera nuk ua mbulon dot koston e kërkesave kompanive private të rrymës, si KEDS-i, atëherë kjo do të jetë një kartë me rëndësi provokimi.

Errësira është e padurueshme, aq më tepër që një jetë traumatike me errësirën e kemi kaluar për disa vite pas luftës, askush nuk e duron rikthimin e saj, veçmas që një pjesë tashmë jetojnë si në botën e përrallave.

5. Kërcënimet me bomba për sulme terroriste, si sot në stacionin e autobusëve, vrasjet makabre, rritja e dhunës, dhe propagandimi i pakënaqësive ndaj Qeverisë...

6. Për të shtuar vargun e pakënaqësive nga komunitete të caktuara sociale. Këtu nuk mund të lihen jashtë as përpjekjet në kor të sindikalistëve të ndryshëm për të nisur greva dhe për të nxitur pakënaqësi, që të kombinuara me stresin e errësirës, me pakënaqësinë dhe frikën nga krimet eventuale, si të kërcënimit me bomba terroriste, krijojnë një paradigmë shqetësuese.

7. Në Shqipëri nga një skandal u zbulua një superskandal, mënyra e tmerrshme e spastrimit të parave, mënyra se si grupet kriminale kanë pushtuar mediat, figurat publike, imazhet e pëlqyera në opinion, të simpatizuara, dhe politikanët që më s’kanë nga t’ia mbajnë. Shëpërthimi ante-portas, kur ia shton kësaj edhe pakënaqësitë ndaj pushtetit që e krijoi Berisha me lëvizjen Foltorja. Skandali tashmë e ka trembur fuqishëm edhe Ramën.

Kur të gjitha këtyre ua shton edhe planet strategjike të shërbimeve inteligjente të Serbisë, të ndihmuara nga ato ruse, të cilat duan ta shfrytëzojnë dhe stimulojnë një pakënaqësi agresive te serbët në Kosovë, pas arrestimeve të rastit “Shtërpca”, listës së zezë të SHBA-ve dhe kërkimit të eksponentëve dhe të grupit kriminal ndërkombëtar me bazë në veri, krijojnë një paradigmë edhe më të zymtë dimërore!

Ky stres i dyfishtë i brendshëm dhe i jashtëm nuk kalon pa një goditje të kokave të krimit, pa dallime etnike. Goditja e tyre është tronditje për rrjetet kriminale. Nuk tronditen rrjetet duke goditur krimin periferik. Kjo mënyrë arrestimi, që gjithsesi duhet të ndodhë, duhet të paraprihet nga kryqëzimi i kupollës së krimit.

Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë vetëm mbështetja e fuqishme e shërbimeve miqësore mund të na shpëtojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat