Xhabir Zharku - Dosje për krime të rënda, atentate, urdhra ekzekutimi?/ Në procese gjyqësore për korrupsion

Aktuale

Xhabir Zharku - Dosje për krime të rënda, atentate, urdhra ekzekutimi?/ Në procese gjyqësore për korrupsion

Nga: Idriz Morina Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 14:47
Xhabir Zharku gjatë luftës, maj 1999, fshati Biqec, Kaçanik

Xhabir Zharku, i dyshuar për një mori krimesh, pritet që nesër të dalë para drejtësisë për një rast korruptiv, të shkeljes së detyrave zyrtare si ish kryetar i komunës së Kaçanikut.

Një dekadë më parë, ai u dënuam me tre vjet burg, por arriti t’i shpëtonte, me përkrahje ‘miqsh’ dhe nëpërmjet arratisjes nga atdheu.

Por, një tjetër dosje mund ta presë atë, ende pa përfunduar kjo procedurë, për të cilën ai është arrestuar.

Një dosje për veprimet e Xhabir Zharkut, kryetar i komunës së Kaçanikut, është dërguar në Prokurorinë Speciale të EULEX-it, qysh në vitin 2011.

Kjo dosje është dërguar nga Besnik Lajçi, një ish mik shtëpie i Xhabir Zharkut.

Po atë vit kryetari i Kaçanikut, Zhabir Zharku qe shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje, por që në saje të lidhjeve me pushtetin dhe organet e ndjekjes e shmangi mbajtjen e dënimit, duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës në Suedi, shtetas i së cilës është.

Akuzat

Por, akuzat, përkatësisht dëshmitë e Besnik Lajçit, nuk kanë të bëjnë me menaxhimin apo keqmenaxhimin e Zharkut në komunë. Sipas Lajçit me veprimet e tij Zharku ka kryer “Vepra penale kundër të drejtës ndërkombëtare”, “Krime kundër njerëzimit”, sipas nenit (117) dhe (128) të KPK, “Përgjegjësia e komandës”, neni (129) KPK, “Terrorizëm”, neni (129), vepra penale kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe të pasurisë; përfshirë edhe vepra penale kundër martesës dhe familjes.

“Duke u bazuar në veprat penale të lartcekura e të kryera nga ana e ish komandantit të brigadës (162) "Agim Bajrami", zona e Nerodimes, Xhabir Zharkut, unë Besnik Lajqi në cilësinë e dëshmitarit okular ju ofroj informata të më poshtme dhe po ashtu jam në gjendje të informoj, t’ju ndihmoj, t'ju ofroj edhe prova materiale që dëshmojnë mbi përgjegjësinë penale të tij, në çdo kohë dhe në çdo moment kur ju e kërkoni nga unë, vetëm e vetëm që personat e tillë të dalë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, shkruan në tekstin e padisë së Zharkut, por ende nuk është bërë asgjë.

Besnik Lajçi (1965), i lindur në Pejë, me prejardhje nga Rugova e Pejës, fshatit Malaj, për Xhabir Zharkun e lindur dhe rritur në Shkup, dëshmon se si në një rast me telefon nga Tirana kishte urdhëruar vrasjen e disave nga 10 të arrestuarit, të cilët po iknin në drejtim të Maqedonisë, dhe se sipas urdhrit paraprak, vendi nuk duhej të braktisej.

Takimi në Tiranë

“Gjatë luftës në muajin shkurt vitin 1999, më ra rasti ta takoj tek miku im R.Sh. në Tiranë. Xhabiri kishte marrë titullin komandat “Qorri” për zonën e Kaçanikut. Tek R. Sh. kam banuar disa herë nga viti 1989. Ramadani kishte telefon në shtëpi dhe nga telefoni i tij folshim me familje. Në shkurt të vitit 1999 isha duke ndejtur te Ramadani kur thërret dikush në telefon dhe lypë të bisedojë me komandant “Qorrin”- Xhabir Zharkun, thoshte: “jemi nga shtabi i UÇK-ës nga Kaçaniku”. Pas disa minutave erdh Xhabiri me kushëririn e tij, Xhafer Zharkun”, rrëfen Besniku.

Nga ajo që dëgjon Besniku merakoset për mbiemrin e një mikut të tij, dhe kjo e shtyn, që të mundohet të ndikojë, që ai dhe të dyshuarit e tjerë të lirohen.

“Pas disa minutave ata thirrën prapë dhe nisi biseda: Ata që thirrën thanë se popullata ka nis me ikë dhe si të veprojmë. Ky ju thotë se duhet me e ndalue ikjen e tyre për në Maqedoni. Xhabiri ju thotë se ata që nuk ju binden urdhrave duhet me i arrestu. Të nesërmen ata thirrën prapë kur thanë se kemi arrestua 10 veta, të cilët janë njerëz që nuk ju binden urdhrave e janë njerëz të dyshuar që kanë bërë biznese të ndryshme para lufte. Ky i lypi emrat e tyre dhe i shkroi në një letër dhe ju tha të thirrnin pas një ore sepse tha se ‘më duhet të bisedoj me shefin tim’. Në atë bisedë ishte edhe kushërini i tij Xhafer Zharku ku ky i shikoi këta emra. Xhaferi i njihte këta njerëz, sepse ishte nga ajo pjesë. Xhabiri nuk i njihte sepse ky ishte lindur e rritur në Shkup dhe nuk i njihte njerëzit nga ajo anë. Duke i shkruar emrat e tyre, mua më ra në vesh një mbiemër Kiki. Unë kisha një shok timin të mirë në Danimarkë me këtë mbiemër”, thotë në dëshminë e tij Besniku.

Urdhri, që nuk dihet se ku e mori Xhabiri, ishte, që disa nga 10 të arrestuarit të ekzekutoheshin, dhe trupat e tyre të vendoseshin afër pozicioneve serbe, në mnëyrë që të dukeshin si vrasje nga serbët.

“Xhabiri dhe Xhaferi dolën në qytet dhe pas disa orëve u kthyen. Ata nga shtabi i Kaçanikut kishin thirrur prapë, sipas orarit që ai ua kishte dhënë. Xhabiri ju tha “filanin e fistekun” t’i lëshoni. Kurse “filanin e filanin” ku në atë bisedë u përmend edhe ai personi me mbiemër “Kiki”, t’i afroni afër pozicioneve serbe dhe t’i vrani. Kur tha kështu, unë u habita dhe i them Xhaferit të keni kujdes se çka bëni!?!”, dëshmon ai.

Besniku ia kishte tërhequr vërejtjen duke e lutur që të mos jepte urdhra për ekzekutim, sepse nuk i njihte njerëzit në fjalë. Por, Xhabiri, në cilësinë e “komandantit”, nuk lëshonte pe.

“Xhaferi tha unë nuk di se çka bën ky, është puna e tij se ky është komandant. Pas bisedës që bëri Xhabiri, unë e kundërshtova rreptësishtë, duke thëne se po e bëni një gabim shumë të madh. I thashë se ti nuk i njeh njerëzit dhe mos bën aso gabime me fatet e njerëzve. Ky mu përgjigj: “Ky është problemi im, ti je dhëndër dhe mos u përziej në punët e mia”. Në ato momente shkova deri poshtë te një kafe dhe i tregova R.Sh-së për këtë bisedë që e dëgjova nga Xhabiri në telefon. R.Sh. i erdh keq shumë dhe e takoi Xhabirin dhe ia tërhoqi vërejtjen se po bën gjëra se nuk janë të mira për situatën në të cilën është popullata në Kosovë. R. i tha se nuk kam dëshirë që të përdoret telefoni im për këso gjëra. Pas dy ditëve dikush tregoi se babën e Xhaferit dhe vëllanë ia kishin vrarë serbët. Pas disa ditëve dëgjova se janë vrarë edhe disa persona nga ata që ky u kishte dhënë urdhër dhe një kishte shpëtua nga ata. E pashë se e kishte kapë një shqetësim Xhabirin”, dëshmon Besniku.

Eksploziv në Malmo

Dosja për Zharkun, flet edhe për një tentim atentati në Suedi. Xhabiri ishte udhëheqës i sulmit, në të cilin kishin provuar ta vrisnin personin me inicialet e vendosura nga Lajçi, R. N. Sipas tij, eksplozivi në Malmo të Suedisë i vendosur kundër R.N.-së, ishte bërë me motivin se ai ishte kundër fondit “Vendlindja thërret!”

“Gjatë dimrit të vitit 1999, Xhabiri erdhi këtu në Danimarkë me 2 persona të tjerë. Njëri nga ata ishte nga Suedia me prejardhje nga Kaçaniku, kurse tjetri nga Maqedonia. Ky i fundit banonte në Danimarkë. Këtë nuk e kam pa asnjëherë nga ajo kohë. Xhabiri kishte qenë në Suedi dhe aty kishte bërë një provë me eksploziv me telekomandë në një park në Malmo. Këtë bisedë ma tregoi ish gruaja dhe motra e tij që banonte në Kanada. Vëllai i tij, Zylfiu e kishte kundërshtua atë vepër që e kishte bërë Xhabiri në atë park”, thuhet në dëshmi.

Sipas kësaj dëshmie, duket se Xhabiri për herë të dytë po e provonte të bënte atentat ndaj R.N.-së.

“Pas një presioni tim e detyroj të më tregojë: “Thotë jemi ardhur me e vra “R.N.”” Unë ju thashë se po gaboni shumë, sepse nuk vritet njeriu që vetëm ju kundërshton, sepse është bindja e tij politike. Ju thashë se ju nuk guxoni ta bëni një vepër të tillë, sepse unë hy e dal familjarisht me personin R.N. Nëse ju e bëni këtë vepër, unë do t’ju lajmëroj në polici. Pas kësaj Xhabiri u kthye në Shqipëri pa u përshëndetur fare me mua”.

Po ashtu sipas dëshmisë së Bensikut, Zharku kishte vendosur eksploziv në shtëpinë e kushëririt të tij, Lutfi Zharkut, anëtar i kryesisë së LDK-së, në mënyrë që të pengohej fushata e LDK-së, dhe të mbillej panik, dhe të dështonte fushata zgjedhore e Rugovës në Kaçanik. “Si ia vuri eksplozivin kushëririt të tij, Lutfi Zharkut, në shtëpinë e tij një ditë para se ta vizitonte Kaçanikun presidenti Ibrahim Rugova?”, thotë ai.

Vrasja e dy të rinjve

Një nga krimet e dyshimta, sipas Besnikut është vrasja e dy të rinjve në rreth e Kaçanikut, tek ura. Sipas tij, motivi i vrasjes duhet të jetë një konflikt që ata e kanë pasur me Zharkun.

“Duhet të hetohet vrasja para 3 viteve në rrethin e Kaçanikut tek ura e 2 të rinjve. Këta kanë pas konflikt me Zharkun para vrasjes së tyre... Duhet të hetohet rasti në Danimarkë që mi ka montuar kabllot nga bateria në rezervar të benzinës në natën e Vitit të Ri.... Pastaj humbja e një kompjuterit dhe shkatërrimin e një BOKS-it ku ishin të gjitha argumentet e mia për vëllain e gruas, Xhabir Zharkun”, thuhet në dëshmi.

Këto janë vetëm një pjesë e dëshmive të deponuara në EULEX nga Besnik Lajqi.

Por, për asnjë prej këtyre akuzave të dërguara në EULEX, Xhabir Zharku nuk është akuzuar nga prokuroria e shtetit.

Zharku, sipas Besnikut pas luftës kishte uzurpuar prona të ndryshme në Komunën e Kaçanikut dhe të Ferizajt. “Ka uzurpuar të vetmen pompë karburanti që ishte në Kaçanik, duke vjelë prej saj shuma të majme parash. Uzurpoi një ndërtesë në qendër të Kaçanikut, duke e dhënë me qira, sipas dëshirës shumë qytetarëve. Aty një kohë ka banuar edhe vetë”.

Si duket kjo mënyrë e sjelljes, çoroditëse, e ka shtyrë të vazhdojë me të njëjtën mendësi edhe kur vjen në pushtet, si kandidat i PDK-së për kryetar të Kaçanikut.

Gjykimi me 28 dhjetor

Procesi i gjykimit ndaj Zharkut për korrupsion sa ishte kryetari i Komunës së Kaçanikut, pritet të vazhdojë me 28 dhjetor.

Zharku është arrestuar në dhjetor të vitit 2019, i akuzuar se gjatë qeverisjes së Kaçanikut në vitet 2008-2010, e ka kryer veprën penale, ‘shpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit’.

“I pandehuri Xh. Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe në shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Sipas aktakuzës së 7 tetorit 2020, përcjellë “Betimi për drejtësi”, të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Xhabir Zharku akuzohet se më 23 tetor 2008, në Kaçanik, si person zyrtar–Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, ka marrë vendim me të cilin ka lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650, zona kadastrale Kaçanik, pronë e Komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët”, kurse me 25 mars 2009 ka lidhur kontratë mbi ndërtimin me NN “Çlirimtarët” me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% të saj në vij vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët”, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44 i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, Zharku akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat