Dokumenti teper sekret i 3 milionë markave! / Kush është figura enigmatike “Dervishi”, Marmullaku apo Kadri Veseli?!

Aktuale

Dokumenti teper sekret i 3 milionë markave! / Kush është figura enigmatike “Dervishi”, Marmullaku apo Kadri Veseli?!

Nga: Idriz Morina Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 20:27
Kadri Veseli, ish shefi i SHIK-ut e din

Dokumenti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i Ministrisë së Mbrojtjes i emëruar “Pranim dorëzim i të hollave”, i cilësuar “tepër sekret”, me nr.protokolli. 7/125, i datës 12 shkurt 1999, dëshmon se si Qeveria e Kosovës e financonte Shtabin e UÇK-së, me vetëm një rast 3 milionë marka (Dm).

Po sa herë të tjera do ta ketë financuar këtë Shtab? Këtë askush nuk po na e rrëfen. Njeriu përgjegjës dhe i duhur për ta bërë këtë është Isa Mustafa, si lërues i parave, ndërsa po ashtu mund ta dëshmojnë edhe Bujar Bukoshi, si ish kryeministër dhe ish ministri i Mbrojtjes në këtë qeveri, Halil Bicaj.

“Sipas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës të nënshkruar nga Shefi i Shtabit z.Bislim Zyrapi dhe zëvendës komandantit z.Jakup Krasniqi, nr.prot.08/101 dt. 12.01.1999, sot do ti dorëzohen 3.000.000,oo Dm (tremilionmarkaD), personelit të autorizuar nga UÇK”, (mbarim citati).

Dokumenti është shtypur vetëm në dy kopje, njërën për Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, dhe tjetra për “arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes”.

Emri i Dervish Sadikut është i rrejshëm

Paratë janë dorëzuar nga Nijazi Asllani, ku pason nënshkrimi i tij, ndërsa, janë lejuar nga ministri Halil Bicaj, mbi nënshkrimin e të cilit ndodhet vula e Ministrisë.

Por, ajo që bie në sy është se paratë janë pranuar nga: Dervish Sadiku, një emër i cili nuk është gjetur apo konfirmuar nga askush.

Ndërsa, këtë pyetje e kanë shtruar edhe të tjerët, se përse një nofkë si “Dervish Sadiku” autorizohej të nënshkruante (pranonte) shuma të mjeteve dhe jo njëri nga komandantët me emër dhe mbiemër.

Njëri nga përgjegjësitë për fondin e 3 % në Zvicër, Gani Hoxha, deklaron se emri i Dervish Sadikut është i rrejshëm, dhe se me këtë është fshehur emri i atij që i ka pranuar 3 milionë DM, vetëm në një rast.

“Personi me emër Dervish Sadiku është i trilluar. Merreni me mend nuk dihet kush është”, thotë Hoxha për “Bota sot”.

Emri i trilluar, si duket është mundësuar, për shkak se vetë dokumenti është koduar si ‘sekret’. Pra, një marrëveshje ndërmjet palëve, që nuk duhet të zbulohet.

Image
Dokumenti 'teper sekret' i financimit të SHIK-ut apo Shtabit?

 

Njëri nga ata që ka bërë përpjekje ta zbulojë është edhe Ibrahim Kelmendi. Sipas tij pas emrit enigmatik “Dervish Sadiku”, fshihet Burim Marmullaku nga Klina, të cilit edhe ia ka shpërndarë një foto në internet.

“...ndihma, që Koloneli Halil Bicaj, Komandant i FARK-ut dhe “ministër i mbrojtjes” i “qeverisë Bukoshi”, ia ka dorëzuar më 19.02.199 “Dervish Sadikut” (siç e kishte pseudonimin e është fjala për Burim Marmullakun e Komunës së Klinës)”, shkruante Ibrahim Kelmendi.

Sipas Kelmendit, Marmullaku ka lidhje miqësie me Bashotën, ishte edhe “truproje” e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.

Jakup Krasniqi, kishte thënë se më shumë dinte për këtë rast, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

“Dervishi” ishte një nofkë

Por, Zyrapi ka sqaruar se “Dervishi” ishte një nofkë, dhe refuzonte të tregonte se kush ishte.

Por, nofkën dhe ‘Dervishin” e dinë saktë se kush është Isa Mustafa, kryetari i nderit të LDK-së, ish kryeministri Bukoshi, dhe vet ish-ministri Bicaj.

Image
Gani Hoxha, drejtues i ish-Fondi i Zvicrës i 3 %

Hoxha thotë se këta e dinë saktësisht se kush është “Dervishi”. I pyetur konkretisht se a e din emrin e vërtetë Isa Mustafa, ai thotë: “Jam i sigurt, e din”!

Kur Agjencia e Privatizimit e ka shpallur listën e uzurpatorëve të pronave, emri i kompanisë së Marmullakut doli në pah.

Në fakt, rezultonte, ashtu siç edhe dihej se vetë PDK-ja, deri në vitin 2011 kishte qëndruar në një pronë të uzurpuar në Prishtinë, që ishte pronë e ndërmarrjes shoqërore “Drithnaja”, e cila u privatizua nga Marmullaku.

Privatizimi dhe uzurpimi nga PDK-ja

Ky objekt sipas pohimeve ishte privatizuar nga Marmullaku, për vetëm 371 mijë euro.

Por, objekti ndodhet në qendër të Prishtinës, buzë sheshit, dhe aty ndodhet edhe një shtatore e vogël e të shenjtës Nënë Tereza. Objekti ka 460 metra katrorë, për të cilin, ‘sipas marrëveshjes’ PDK-ja paguan vetëm 1800 euro qira në muaj.

Po ashtu ai ka në Klinë, një biznes ndërtimor, i cili ka ndërtuar edhe komplekse. Emri i kompanisë është “Guri-Klinë” SH.P.K. Engineering/Construction.

Megjithatë që ky të jetë përfituesi i 3 milionë Dm-ve, ka pak gjasa.

E para, nuk do t’ia mundësonte vetë dokumenti i nënshkrimit, i cili e saktëson natyrën e provës, duke e quajtur “teper sekret”. Dhe kjo të konoton përnjëherë “shërbimin sekret”. E shërbimi sekret apo njeriu që e udhëhiqte këtë sektor në Shtab, ishte Kadri Veseli.

Pra, nuk mund të ishte përfitues një njeri anonim i 3 milionë markave, ndërsa paratë ishin kërkuar me protokoll nga dy zyrtarë të Shtabit të UÇK-së, shefi i tij, Zyrapi dhe zëvendësi i tij, Krasniqi.

Pra, në këtë rast nëse do të shpërdoroheshin nga këta tre persona, Marmullaku do të mund të merrte, njërin nga tri pjesët më të vogla.

Duke e ditur se paratë nuk mund të futeshin në Kosovë, ato duhej t’i rehatonte dikush në Tiranë.

Për këtë punë ishin disa veta, të cilët ishin anëtar Shtabi, por rrinin në hotelin “Rogner”. Figurat që mund të kishin qasje në këtë rast janë disa, Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi e Kadri Veseli apo edhe ndonjë tjetër.

A është “Dervishi” Kadri Veseli

Pra, paratë e tilla mund të ndaheshin në më shumë vende, meqë ishin shumë, pasi vlera e atyre parave, sot të konvertuara në euro, sigurisht se mund të jenë dyfishi i vetë euros (dhe jo sa ishte konvertuar në kurs pas lufte marka), pra më së paku sa 5 milionë euro sot.

Xhavit Haliti vetëm në një rast i kishte pranuar, 3.27 milionë DM nga ministri i vrarë Ahmet Krasniqi (21 shtator 1998).

Edhe vetë Gani Hoxha, dyshon se “Dervishi” mund të jetë Marmullaku. Sipas tij, ai mendon se ‘dervishi’ është Kadri Veseli.

“Kam bërë përpjekje përmes dorëshkrimit ta gjejë se kush mund të ishte ‘Dervish Sadiku’. Ndoshta është shkrimi i Kadri Veselit, mirëpo nuk jam i sigurt”. Por, ai është i bindur se “Dervish Sadiku” duhet të jetë person i rëndësishëm i grupit të UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat