Infektologu Ramadani flet për rrezikun e përhapjes së Omicron, tregon a duhet shtrënguar masat

Aktuale

Infektologu Ramadani flet për rrezikun e përhapjes së Omicron, tregon a duhet shtrënguar masat

Nga: G.B Më: 1 janar 2022 Në ora: 13:35
Hamdi Ramadani

Së fundni janë rritur rastet me Covid-19 në Kosovë.

Po ashtu kemi 17 të infektuar me variantin Omicron, i cili është përhapur prej kohësh nëpër botë por nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë.

Për rrezikun e përhapjes së tij dhe shtrëngimin e masave në rast të rritjes së numrit të infektuarve, për gazetën “Bota sot” ka folur infektologu Hamdi Ramadani.

Ai thotë se se ka qenë e pritshme që të kemi të infektuar me variantin Omicron, derisa thotë se nuk duhet bërë panik.

“Çdo gjë ka qenë e pritshme pasi në shumë vende të botës edhe në rajon kanë pasur variantin Omicron tash e sa kohë. Mendoj se situata epidemiologjike në vend me ardhjen e Omicron sigurisht që do të jetë më e rënduar pasi përhapet shpejt, është shumë ngjitës dhe ka një rritje eksponenciale në përgjithësi në nivel botëror dhe mundësia e përhapjes dhe e rëndimit të gjendjes me Omicronin është e mundur mirëpo bazuar në të dhënat klinike deri tash për rastet me Omicron, ai nuk ka paraqitur situatë shumë serioze ta quajmë, të rrezikshme, janë paraqitur simptoma të lehta ose simptomatike dhe po shpresojmë që edhe në vendin tonë të ndodhë diçka e tillë, që të kemi forma asimptomatike apo forma të lehta”, është shprehur ai.

Se sa mund të ndikojë ardhja e mërgimtarëve nga vendet me Omicron në përhapjen në Kosovë të këtij varianti, ai ka thënë se mund të ndodhë por që duhet të respektohen masat e vendosura.

“Mundësi ka që të kemi përhapje më të madhe nga personat që vijnë nga vende që Omicron është i pranishëm dhe mund të shkaktojë situatë më të rënduar epidemiologjike në vendin tonë dhe kjo është e pritshme por ajo çka është me rëndësi është që të zbatohen masat anti-Covid të vendosura në nëntor, të respektohen në maksimum me përpikmëri, pra maska të bartet në vende të mbyllura, pastaj higjiena personale dhe vaksina me dozën përforcuese, të cilat do ta bëjnë të mundur parandalimin e tij”, ka vlerësuar Ramadani.

Derisa tani kemi rastet e para me Omicron, infektologu ka thënë se në dy javët e ardhshme duhet të përcillet situata dhe nëse situata përkeqësohet, atëherë duhet të shtrëngohen edhe masat.

“Tash për tash, situata nuk është e rëndë, kemi 9 raste dhe duhet të përcillet në këto 2 javët e ardhshme se si do të jetë dinamika me virusin Omicron. Në qoftë se shihet se situata është më e përkeqësuar ose po përshkallëzohet, sigurisht se duhet të shkohet edhe me masa më rigoroze, më kufizuese, në ato vende ku shfaqen, qoftë në ato komuna që shfaqen por tash për tash duhet të respektohen masat që janë të vendosura dhe në qoftë se respektohen me përpikmëri dhe qytetarët vaksinohen, atëherë do ta kalojmë këtë situatë me më pak të infektuar me variantin Omicron dhe të hospitalizuar. Por megjithatë mbetet që në dy javët e ardhshme se si do të dilet Omicroni në vendet tonë”, ka deklaruar për “Bota sot” infektologu Hamdi Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat