Rrëfimi i jetimit: Para se t’ma vrisnin babain, dhe kushëririn, Azemit ia rrahën gruan, e ia shqelmuan djalin trevjeçar!

Aktuale

Rrëfimi i jetimit: Para se t’ma vrisnin babain, dhe kushëririn, Azemit ia rrahën gruan, e ia shqelmuan djalin trevjeçar!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 3 janar 2022 Në ora: 18:12
Muhameti rrëfen për babain e tij të ekzekutuar, i cili shihet në foto me të birin Pajtimin

Një grup ushtarësh të UÇK-së, që mendohet të kenë qenë rreth 20 veta të uniformuar me rroba të zeza, dhe eventualisht një prej tyre civil, ia kishin mësyrë disa shtëpive të familjes Stolliqi.

Ata ishin ndarë në 2-3 grupe në fshatin Guncatë. Fshati Guncat, sot i takon komunës së Malishevës, ndërsa aso kohe, meqë kjo komunë nuk ekzistonte, ishte pjesë e Suharekës.

Para se të fillonte aksioni, ishin larguar rojet e mëhallës, të fshatit, dhe madje edhe të fshatit fqinjë, Temeqinës, pasi çdo natë kishte roje të uniformuara nga UÇK-ja në fshat dhe të armatosura.

Koha që ishte zgjedhur ishte edhe më e keqe. Ora e kishte kaluar mesnatën! Gusht i vitit 1998!

Çfarë mund të kërkonin këta njerëz, nëse ishin patriot që të trazonin familje të tëra shqiptare, gra, vajza, e fëmijë të pambrojtur!?

Në një natë të zezë sterrë, po kërkonin t’i merrnin për ekzekutim disa veta, që të gjithë ishin kushërinj.

Rrëfimi i Muhametit, i cili ishte vetëm 5 vjeçar kur ia rrëmbyen babain

Njëri prej tyre ishte Azem Stoliqi 45 vjeçar, i cili mezi i kishte shpëtuar vdekjes në fund të qershorit të vitit 1998, për ekzekutimin e të cilit kemi shkruar një ditë më parë. Ai gjatë mbajtjes në arrest 24 orësh në një shtëpi, në fshatin Lluzhnicë ku e kishte një Shtab UÇK-ja, kishte arritur t’i zgjidhte duart, ta hiqte nga koka mbulojën që ia kishin vënë në sy, dhe t’i shihte disa nga të arrestuarit, në mesin e të cilëve tashmë edhe një viktimë, Haxhi Perteshin, të cilin e njihte, sikurse edhe disa nga të arrestuarit që ishin nga fshati Duhël, pasi familjet Perteshi dhe Stoliqi, kishin lidhje miqësie. Kushëriri i Azemit, Hysniu e kishte vajzën e tij të martuar për djalin e Haxhi Perteshit.

Gjatë arrestimit të Azemit, i cili reziston, por i sulmuar nga të gjithë ata dhe të armatosur, nuk mund të bënte më shumë, mundohet ta ndihmojë bashkëshortja, e cila edhe pse e mbante një fëmijë trevjeçar në krah, e kishte ndjerë rrezikun se kësaj here vërtetë mund ta humbiste burrin.

Njëri nga të uniformuarit e godet me kondak automatiku gruan e Azemit, ndërsa fëmijën trevjeçar, një tjetër e shqelmon fortë.

Një urrejtje e paparë, sjellje agresive dhe të pamëshirshme!

Image

Azem Stolliqi, i ekzekutuar para gati 24 viteve, ende nuk janë gjetur autorët e krimit

Në lidhje me këtë ngjarje flet për herë të parë, djali i Hysniut, Muhameti, i cili atëherë ishte vetëm 5 vjeçar. Rrëfimi i tij mbështetet në tregimet që ia ka rrëfyer nëna e tij Sevdija, tashmë e mplakur, dhe ndërsa gjatë bisedës nëse ndonjë gjë nuk i kujtohet saktë, e pyet sërish, për detajet që na interesojnë në ngjarjen, që pati fund tragjik për familjen e tij, dhe bëri që ai të rritej jetim, së bashku me vëllain e tij Pajtimin, që kishte aso kohe vetëm 7 vjet, dhe motrat e tij.

Arrestimi i Hysnisë

Shtëpia e parë ishte në cak të 5 ushtarëve. Hyn fillimisht njëri prej tyre dhe thërret në emër të Hysnisë. E dëgjon gruaja e Hysnisë dhe del t’i përgjigjet, dhe ta merrë vesh se kush është.

“Rreth mesnatës, orës 24.00 ka hy dikush në oborr dhe ka thirr në emër të babës, o Hysni, o Hysni!, tri herë dhe ka dal nëna në dritare e ka vet, a thirri kush? Pasi ajo ishte lajmëruar, ai që po thërriste emrin e babës, ka thënë jemi shokë të Hysnisë”.

Ajo ua kishte pritur, se po të ishit shokë të Hysnisë, “nuk do të vinit natën kaq vonë!”

Muhameti vazhdon rrëfimin: “Pastaj kanë ardhur edhe 4 e janë ba 5 veta, me tesha të zeza njëri vetëm civil, me fermerka, pa maska”.

Në ndërkohë del Hysniu dhe takohet me ta. Del pas edhe nëna e Hysnisë, lokja Fatë, të merrte vesh se çdo të bëhej me të birin. “Ka dal lokja edhe i ka thonë ku po ma çoni Hysnin”?

“Ata i kishin thënë qitni ju qajat se Hysnija kthehet meniher”.

Bashkë me Hysnin shkojnë në shtëpi të Azemit, i cili jetonte në shtëpinë matanë rrugës, dhe përveç rrugës i ndanin edhe oborret para shtëpive që krijonin një distancë më të madhe se vetë rruga.

Hysniu ishte rreth 56 vjeçar, më në moshë se Azemi.

Pasi arrijnë ta nxjerrin Azemin jashtë, i cili sipas familjarëve të tij, nuk do të dilte sikur të mos ishte në pyetje Hysniu, pasi ai nuk u zinte më besë njerëzve të tillë.

“Ka dalë Azemi te dyert, dhe ka dal edhe gruaja e tij, me një fëmijë 3 vjeç, dhe i ka thënë se po ju njoh ushtarëve të UÇK-së, dhe njëri prej tyre i ka mëshuar me kondak të automatit, dhe një tjetër i ka mëshuar fëmijës tre vjeçar duke e hedhur aty diku”, rrëfen Muhameti, me emocione sikur thuaja ngjarjet e asaj kohe po zhvilloheshin para syve të tij.

Image
Hysniu, në foto me djalin e tij, kohë më parë se të ekzekutohej, pas rrëmbimit të njëjtën natë me Azemin

Pasi janë larguar pak nga shtëpia, kanë qëndruar për rreth 10-15 minuta, por, se për çfarë kanë qëndruar aty dhe çka kanë mund të flasin, Muhameti e familja nuk di asgjë. “Dhe më pas janë kthyer për rrugë, por diku afër shtëpisë kanë ndejtur 10-15 minuta, aty i kanë lidhur”, tregon Muhameti, i cili historitë i ka mësuar nga nëna e tij, dhe nga të gjithë familjarët e tij, pasi atëherë ai ishte ende një fëmijë i vogël.

“Kanë vazhduar në këmbë. Nga aty i kanë dërguar mbi shtëpitë tona, te vendi “Çukë”, rreth 400-500m, aty i kanë hipur në një automjet”.

I pyetur se nëse familja kishte vërejtur diçka të pazakontë atë ditë, lëvizje që i mbajnë mend, ai thotë se gjatë ditës para se të ndodhte rasti, pasdite dikur, ka kaluar një automjet i kuq, dy herë, një veturë e panjohur, me njerëz të panjohur.

Pasi ky grup i dërgojnë të lidhur Hysniun dhe Azemin, në vendin e përmendur, një grup tjetër kthehet sërish kah këto shtëpi, por tashmë do të kërkonin ta arrestonin një kushëri tjetër të dy të arrestuarve.

Prandaj, familja beson se atë natë mund të kenë qenë të përfshirë në arrestime deri në 20 veta. “Në atë grup mund të ishin rreth 20 veta”, thotë Muhameti.

Dështimi i arrestimit 

“Pasi i kanë dërguar, ata dy lart, janë kthyer disa veta prej tyre, te Haliti. Janë kthyer në oborr tonin, pra të Hysnisë nga pas shtëpisë, dhe kanë pyetur se ku e ka shtëpinë N.N. dhe kur kanë hyrë aty te ai, ka qenë, ai ratë në oborr, në atë kohë dhe e kanë kapur N., ndërsa kushërinit tjetër i kanë thënë shko në shtëpi, R. Stoliqit, rreth 45 vjeçarë tani”, tregon Muhameti.

Edhe ky ishte munduar t’u rezistonte forcave të uniformuara në të zeza, por aty arrijnë ta rrahin. “Edhe N.N. ka rezistu pak, janë rrahur, ndërsa ka bëritur duke thënë: dilni Hysni, se nuk janë ushtria, po janë hasmit”.

Nga aty, pasi e kanë nxjerrë nga shtëpia, e kanë lidhur disi N.N., dhe e kanë futur në një arë, që ka pas kallamoq shumë të madhe. Por, ai ia ka dal me i zgjidhë duart, ia ka marrë njërit ushtar automatin, dhe ia ka kthyer këtij, i ka thënë se “do ta vras, nëse nuk më lëshoni”.
“Pastaj ka ikur nëpër kallamoq, nafaka e tij ka qenë një llagom aty diku dhe ka rënë, shtritë, pasi kishin filluar ta gjuanin me automat”.

Si duket meqë ishte i armatosur apo edhe për ndonjë arsye që nuk dihet më tej, ai i shpëton vrasjes.

Por, të nesërmen nëna e Muhametit del në arë, dhe aty e gjen këmishën që si duket N.N. në kacafytje apo përpjekje për t’u liruar i ishte zhveshur, dhe po aty gjen edhe disa dokumente personale të tij. Po ashtu, nëna e tij Sevdija nuk e kishte harruar edhe një detaj tjetër, disa veta në arën me misër ishin ushqyer me bostan, dhe ushqime tjera.

“Në mëngjes herët nëna e ime e ka gjetur këmishën e N.N. në kallamoq, dhe dokumentet e Halitit, edhe aty e kanë pa që kanë hongër në kallamoq, boston dhe tana të mirat”, thotë Muhameti.

Ekzekutimi

Por, kur u ekzekutuan Azemi dhe Hysniu.

Pasi i kishin arrestuar dhe i kishin lidhur, Hysninë dhe Azemin, i dërgojnë më sipër shtëpive, dikur rreth 500 metra, tek vendi që quhet “Çukë”.

I pyetur se nëse kishin dëgjuar ndonjë krismë, që mund të vinte nga ajo pjesë, Muhameti e pyet nënën e tij, dhe bashkë na përgjigjen. “Pak minuta pasi i kanë dërguar atje lart, Azemin edhe Hysninë, janë dëgjuar dy tri herë krismat kah “bajraku” diku afër. Prej atëherë asgjë nuk dimë”, thotë Muhameti, që ndjen hidhërim për mënyrën se si iu vra babai, pa e ditur as ai dhe askush nga familja, nëse ishin këto krismat, që ia morën jetën babait të tij Hysnisë dhe kushëririt Azemit.

Këto dy vrasje, janë ndër të paktat ndoshta që nuk u hetuan kurrë, tashmë kemi hyrë në vitin e 24, ata fëmijë që ishin 5 vjeçar u bën tani, 29, ai që ishte shtatë vjeçar, tani është 31, e plotë të tjerë që ishin 50 e 60 vjeçar nuk jetojnë më. Nuk jetojnë më edhe disa udhëheqës më pak të fuqishëm të zonave të UÇK-së.

Hetimet

EULEX-i ishte interesuar tri herë, për të hetuar rastin. Por, në fund ata u detyruan të heqin dorë pa ia filluar hetimeve, sepse më nuk kishin mandat.

Tri herë EULEX-i janë ardhur për intervistim, e herën e tretë kur erdhën thanë se ne nuk e kemi mandatin.

Muhameti thotë se që nga atëherë e deri më sot nuk ka dëgjuar askush ta thotë një fjalë të keqe për babain e tij të vrarë. “Kurrë askush asnjë fjalë të keqe se ka thënë për babain. Ai asnjë fjalë serbisht nuk e ka ditur”, thotë Muhameti, i cili në familjen e tij ka edhe një vëlla dhe katër motra, ndërsa jeton në një shtëpi të ndërtuar pas luftës, me nënën e tij dhe njerkën.

I pyetur se nëse atë kohë kanë provuar të merrnin vesh ndonjë gjë për rastin, dhe nëse më vonë kanë dëgjuar ndonjë gjë, se si, kur dhe ku u ekzekutuan saktësisht, babai dhe kushëriri, ai nuk ka asnjë përgjigje për to. “Në atë kohë, kanë tentuar të marrin vesh. Kurrë më asgjë nuk kemi marrë vesh, as për vrasjen, as për vendin”, thotë ai.

Ndërsa, para EULEX-it, thotë se nuk ka nisur hetime askush, maje as UNMIK-u, personeli i të cilit kishte shkuar në shtëpi t’ua merrte gjakun, por vetëm për analiza, për shkak se babai i tij ishte futur në listë të të zhdukurve.

“Unë kam kontaktuar me EULEX-in pastaj ka ardhur edhe Bujari, dhe në fund kur erdhën thanë se i kanë dërguar deklaratat në speciale”, thotë ai, që sipas takimi është bërë në vitin 2021.

Si mbijetuan

I pyetur se si ia ka dalur familja e tij të ekzistojë, e mbetur pa Zot shtëpie, me fëmijë të vegjël, si ishte dhe ndonjë motër e martuar, thotë se kanë mbijetuar në saje të ndihmës së motrës së martuar. “Pas luftës, mos të kishin qenë familja Perteshi, se di si kishim mund të ekzistonim. Ata na kanë ndihmuar shumë”.

Të vetmin burim në para që e ka pasur familja thotë, se ishte ndihma prej 170 eurove për babain e zhdukur, asgjë tjetër, ndërsa sot vëllai i tij i vetëm, jeton jashtë vendit, ndërsa ishte vetëm 7 vjeç, kur ia ekzekutuan atë natë babain. Por, që këta ende nuk ishin të bindur se kishte ndodhur vrasja.

Sigurisht se fëmijët do ta merrnin vesh shumë më vonë.

I pyetur për mundësitë e shkollimit, nëse ata mësonin mirë, por u privuan në një mënyrë nga kjo e drejtë, ai i habitur paksa nga pyetja, përgjigjet drejtpërdrejt: “Nuk kemi pasur mundësi të shkollohemi. Mirë, na ka ecur shkolla, por si e kemi kryer klasën e nëntë si unë, vëllai e motra, e kemi ndërprerë. Na është dashur të sigurojmë jetesën”.

Cilat janë dëshirat e familjes sot

Muhameti thuaja se me lot në sy, thotë se nuk do të donte asgjë më shumë, se sa t’i gjente eshtrat e babait, ti vënin në një varr, dhe sipër tij një lule.

“Ne nuk duam asnjë gjë më tepër, duam ti dimë ku i kanë eshtrat, t’ia vëmë një lule në varr”.

Por, një dëshirë tjetër po aq sa gjetja e eshtrave është edhe gjetja e atyre që ia vranë babain, dhe që këtë dëshirë këmbëngulë që t’ia plotësojë drejtësia.

“Po ashtu, duam që të ketë drejtësi, që ajo të jetë e mirëfilltë, mos të na keqtrajtojnë. Nëse drejtësia nuk shkon deri në fund, ne do të detyrohemi ta ndjekim vetë këtë punë”, thotë ai.

Ai nuk mund ta besoj sot, që pas gati 24 vitesh drejtësia nuk ka vepruar që së paku t’ia gjente eshtrat më të dashurve të familjes.

“Me humb njeri dhe mos me iu gjet eshtrat, vetëm këtu te na ka ndodhur”, thotë i irrituar Muhameti.

I pyetur se nëse atë natë të zezë kishte pasur roja, të uniformuara dhe të armatosura, Muhameti thotë se si e pohojnë të gjithë, kanë qenë rojet në tre vende, por që ishin urdhëruar të hiqeshin atë natë.

“Roje ka pasur në mëhallë, mbi shtëpitë tona. Atë natë i kanë hequr rojet tek ne, në Temeqinë dhe në Ngucatë”.

I pyetur se nëse e dinte se kush ishin rojat aty, dhe nëse ata mund të dinin ndonjë gjë, ai i përmend me emra, por me të cilët nuk ka ndejtur asnjëherë. 

"Unë nuk kam ndejtë me ta, s’kemi pas muhabet fortë. Por, drejtësia duhet të flasë, si për rojet, si për atë që kanë shpëtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat