Këto janë dyshimet që rëndojnë mbi ish-sekretarin e Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku

Aktuale

Këto janë dyshimet që rëndojnë mbi ish-sekretarin e Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku

Më: 7 janar 2022 Në ora: 15:13
Arben Çitaku

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, Arben Çitaku, dyshohet se ka marr ryshfet deri në 15 mijë euro për lëshimin e pëlqimit të tij për ndërtime në Brezovicë.

Në dokumentin e siguruar dyshohet se Çitaku në periudhën 2012-2019, kishte marrë para nga pesë kompani sa ishte sekretar i Ministrisë së Mjedisit.

Ish zyrtari kishte dhënë pëlqimin e për ndërtimin e 11 shtëpizave për ndërmarrjen “Arena Sport” Shpk me personin përgjegjës Rijad Hasani. Gjithashtu leje kishte lëshuar edhe për ndërtimin e hotelit “Kaona”, nën pronësinë e gruas të Sabit Gecit, Sanije Geci.

Po ashtu, Çitaku dyshohet se kishte marr para edhe nga kompania “Stella Consulting”, nën pronësinë e Gentian Sula, si dhe me aksionar Veton Surroin.

“Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2012 deri në fund te vitit 2019, si person zyrtar – sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” numër 04/L-087, Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës numër 03/L-233, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis numër 03/L-214, Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit numër 03/L-025 si dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, ka lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e Kompleksit prej 11 vikend shtëpizave për ndërmarrjen “Arena Sport” Shpk me personin përgjegjës Rijad Hasani, pëlqimin mjedisor për objektin hotelier “Kaona Hotel” Shpk, me personin përgjegjës Sanije Geci për ndërtimin e urës mbi Lumin “Murrzhica”, pëlqimin Ujor për ndërmarrjen “Stella Consulting” me personin përgjegjës Gentian Sula, pëlqimin ujor për personin Blerim Imeri për ndërtimin e urës mbi Lumin “Murrzhica” të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në Parkun Kombëtar “Sharri””, thuhet në kërkesën për paraburgim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, Çitaku dyshohet se në mënyrë të tërthortë përmes një zyrtar të MMPH ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

“Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2012 deri në fund të vitit 2019, si person zyrtar – sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, në mënyrë të tërthortë përmes një zyrtar të MMPH ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që nga zyrtari i përmendur .. pranuar para në shuma prej 10.000 deri 15.000 euro”.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, tha në një konferencë për media të enjten, se të arrestuarit dyshohen për veprat keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje të rryshfetit.

Aksioni i sotëm është vazhdimësi e hetimeve të 21 dhjetorit të vitit 2021, me ç’rast u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, i cili dyshohet për dhënien në mënyrë të kundërligjshme të lejeve të ndërtimit në Brezovicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat