​PISA 2022, Nagavci nuk ka pritje të mëdha se Kosova do të jetë më e suksesshme

Aktuale

​PISA 2022, Nagavci nuk ka pritje të mëdha se Kosova do të jetë më e suksesshme

Më: 10 janar 2022 Në ora: 20:05
Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit në Kosovë ka vendosur që vendi, për herë të tretë, t’i nënshtrohet testit ndërkombëtar për nxënësit – i njohur si PISA.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci në Info Magazine, ka thënë se kanë nisur punën për pjesëmarrjen në këtë test, derisa shton se duhet punuar shumë më tepër për të pasur rezultatet e pritura.

“Ne kemi marrë vendimin që edhe sivjet të marrim pjesë në testin e vlerësimit të nxënësve, PISA, i cili do të organizohet në pranverë të këtij viti. Ne kemi pasur goditje të sistemit të arsimit për shkak të pandemisë, prandaj fokusi ynë edhe si ministri ka qenë të rikthehemi me mësim me prani fizike, t’i bëjmë të gjitha ato që janë në kompetencat tona që të ofrojmë një mësimdhënie cilësore për nxënësit dhe t’i rikuperojmë humbjet që janë shkaktuar. Përtej kësaj, do të marrim pjesë edhe në testin PISA, ku në këtë drejtim ka një planifikim dhe ka një varg aktivitetesh që po ndërmerren në mënyrë që të jemi të suksesshëm në këtë test”, tha Nagavci.

Megjithatë, ajo nuk ka pritshmëri të mëdha se Kosova do të jetë më e suksesshme këtë herë në testin PISA.

“Nuk mund të them që jam shumë optimiste, edhe për shkak të situatës me pandeminë dhe edhe për shkak të vështirësive, të cilat janë evidente edhe janë evidentuar edhe në testin e fundit. Por përtej kësaj është obligim i joni që të japim maksimumin duke filluar që nga mësimdhënësit e deri te ne në ministri në mënyrë që të sigurohemi që nxënësit të arrijnë rezultate më të mira në këtë test”, u shpreh Nagavci.

PISA apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim gjithëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe jo anëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Ky test e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore në vitin 2015 dhe 2018. Rezultatet e testit të parë janë publikuar më 2016, kur Kosova është radhitur e 68-ta, në mesin e 72 vendeve. Rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, me Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve pjesëmarrëse.

Testi PISA është paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për 2022 për shkak të pandemisë me COVID-19. Ky lloj testi bëhet çdo tri vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim, si dhe teston një mostër të nxënësve 15-vjeçarë në një vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat