Haradinaj në Hagë: ​Në dosjet e Speciales kam parë tmerr, falënderoheshin prokurorët serbë

Aktuale

Haradinaj në Hagë: ​Në dosjet e Speciales kam parë tmerr, falënderoheshin prokurorët serbë

Më: 11 janar 2022 Në ora: 08:40
Nasim Haradinaj

(E plotësuar 15:34) - Nasim Haradinaj ka thënë se në dokumentet që kishin arritur në organizatë, kanë parë korrespodenca të kryeprokurorit të ZPS-së me prokurorë të Serbisë ku ndër të tjera ka thënë se ishte edhe një letër-falënderim që ZPS u kishte drejtuar atyre. Haradinaj po vazhdon dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës rreth paketave që ishin sekuestruar në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se dosjet nuk i kanë kopjuar dhe as nuk kanë pasur interesim për emra të dëshmitarëve apo për publikimin e tyre.

Sipas tij, ngjarja me dokumentet e arritura nga një person i panjohur në OVL-UÇK, ishte në interes për publikun dhe organizata e ka bërë të ditur për shkak të transparencës.

Haradinaj: Në dokumentet e Speciales kishte fletë-falënderim nga ZPS për prokurorinë serbe 

“Pamë që kanë qenë më shumë korrespodencë e kryeprokurorit, e zëvendëskryeprokurorit, korrespodencë me Vukçeviçin, me numrin katër, se nuk latë me ja përmend emrin do të thotë koordinatorin, përveç korrespodencës ka pasur edhe fletë-falënderim për bashkëpunimin e mirë që po e bëjnë dhe kontributin që po e japin për këtë Zyrë të prokurorit. Për mua ka qenë dëshpëruese, shumë dëshpëruese është edhe sot. Nuk e kam parë asnjë falënderim të ndonjë organizmi të shtetit tonë, as prokurorisë sonë, as ndonjë shqiptar. Ndoshta ka mundur me qenë se unë të gjitha faqet nuk i kam shikuar, por në ato që i kam shikuar nuk e kam parë. Kam parë kërkesa, që kishin thirrur t’ua sigurojnë vendet në Serbi, personave të caktuar, tmerr kam parë, për aq pak që kam parë, tmerr kam parë”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka thënë se konferencat i kanë thirrur për shkak të interesit publik.

Haradinaj: Konferencat i kemi thirrur mbi bazën e transparencës 

“Mbi bazën e transparencës, ka qenë i ngulfatur opinioni me lloj-lloj thashethemesh, ka qenë i ngulfatur, replika, mendime të ndryshme, spekulime, nuk ka pasur send më të nevojshme se sa me qenë transparent me publikun me u pa se çfarë janë këto, çfarëdo qofshin, qofshin provokim, qofshin kurth, qofshin vet të tyre, ka qenë interes kjo me u ditë çka po bëhet. Ne do të kishim bërë në një farë mënyrë thyerje të ligjit të demokracisë, transparencës dhe interesit publik po të mos e kishim bërë këtë punë”, ka thënë ai. 

Haradinaj ka thënë se Zyra e Prokurorit të specializuar nuk i ka kontaktuar pas daljes publike përmes konferencës.

Haradinaj: ZPS nuk ka ardhur në OVL-UÇK pas konferencës së parë 

“Zotëri avokat sa për dijeni, dy orë prej Prishtinës derisa më kanë sjellë këtu, këta e kanë pasur 15 minuta zyrën deri në zyre tonë, këta të kishin dashur, hajde mirë të parën herë, por dytën herë e të tretën herë kurrë nuk kishin mundur të mbërrijnë gazetarët para tyre, se informata ka qenë publike. Dhe potencial kanë pasur boll se e pamë atë ditë kur arrestuan, mbi 50 forca të armatosura me maska, pa maska, pushkë e të gjatë e snajperë, kështu që edhe potencial kishin pasur boll t’i rrethojnë të gjitha me i marrë, edhe kush nuk ua kish ndalë, sepse nuk ua kemi ndalë kur kanë ardhur t’i marrin, ua kemi dhënë”, ka thënë Haradinaj. 

Nasim Haradinaj ka treguar që një ditë pas datës 7 shator 2020 kur kishin arritur dosjet e para në OVL-UÇK, ai kishte udhëtuar për në Shqipëri në një pushim të planifikuar paraprakisht me familje.

Sipas tij, pas disa ditëve derisa po kthehej në Kosovë, të zona e kufirit, ai është përcjellë nga një veturë të cilën fillimisht ka thënë se nuk i ka kushtuar mjaft vëmendje por më vonë ka ardhur në përfundim se mund të ketë qenë nga hetuesit e Speciales.

Haradinaj: Rrjedhja e dokumenteve nga Specialja paraqet skandal 

“Shqetësimi i madh i parë ishte tentimi për të na sabotuar neve ose të na montohet diçka, sepse dikujt nuk i shkonim për qejfi, në fakt nuk i shkonim për qejfi as qeverisë, as Dhomave të Specializuara. Shqetësimi i dytë ishte nëse janë të vërteta, ishte skandal se asnjëherë nuk kemi guxuar ta besojmë që kanë rrjedh prej tyre, ishte e pabesueshme sepse krejt arsyeja që ne u bë me dalë këto gjykata jashtë Kosovës ka qenë mbajtja e sekretit, kjo ka qenë, mos mundësia e keqpërdorimit të dokumenteve dhe dukej e palogjikshme të vinin prej atje tek ne, ky nuk është shqetësim i vogël as sot”, ka thënë Haradinaj. 

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. 

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka filluar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë. Ai ka thënë se janë për zbulimin e të gjitha krimeve por kundërshtojnë që kjo të bëhet duke selektuar njerëzit dhe me një gjykatë që sipas tij është njëetnike.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se është shqetësuese që prokuroria speciale në Hagë të ketë referencë kriminelët serbë.

Haradinaj: Jemi për zbulimin e të gjitha krimeve 

“Ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve pa marrë parasysh kush i ka kryer, të gjitha, ama jo të specifikohen dhe selektohen sepse në Kosovë ka edhe serbë që kanë jetuar, ka romë, ka boshnjakë, ka turq, shumë nacionalitete. Ka njerëz që nuk kanë qenë hiç në UÇK, kështu që po them të gjitha krimet, ne jemi, atë do ta kishim përqafuar, pse jo”, ka thënë Haradinaj.

Derisa është përgjigjur në pyetet e avokatit mbrojtës, Toby Cadman, Haradinaj ka thënë se përmes UÇK-së, prokuroria është duke e sulmuar Kosovën.

Haradinaj: Në dokumentet e prokurorisë speciale shoh që shkruhet “Kosova Metohia”

“Unë edhe dokumente sot shoh të përkthyera në tekst ‘Kosova Metohia’ që në Kosovë është e ndaluar, Kosova është shtet i pavarur, ndërsa në dokumentet e tyre përkthehet edhe në anglisht edhe në shqip fjala ‘Kosova Metohia’ që është e ndaluar me ligj, e kjo nëse është gjykatë e Kosovës ajo fjalë nuk duhet me qenë këtu hiç, por këtu është”, ka thënë Haradinaj.

Nasim Haradinaj ka thënë se prokuroria e Speciales e ka provokuar qëllimshëm Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Haradinaj: Gjykata speciale është monoetnike

“Mua nuk më brengos fati personal, as i imi, as i kurrkujt nëse individualisht përgjigjem për diçka dhe duhet të përgjigjem nëse e kam bërë, por jo me këtë të na sulmoni diku më keq që pastaj me u bë pishman edhe bota pse na paska ndihmuar. Këtu është esenca për çka unë është dashur të jem transparent dhe ka qenë në interes të shërbimit publik, kjo është esenca jonë e kundërshtisë, që është monoetnike, selektive dhe arbitrare, dhe vazhdimisht ka krijuar precedent që ne të reagojmë, sikur të kemi dashur ta bëjmë me qëllim, sikur kur kemi pushuar ne pas thirrjeve, këta nisën precedentin tjetër, në njëfarë mënyre na kanë provokuar qëllimisht dhe ne nuk kemi mundur me qëndruar aty si naiv”, ka thënë ai.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka përmendur thirrjet që Specialja u bënte personave në Kosovë të cilat, sipas tij, nuk ishin legjitime, meqë përdoreshin metoda jo të zakonshme për t’u dërguar festat atyre.

Sipas tij, kjo ka bërë që puna e kësaj gjykate të kundërshtohet në vazhdimësi.

Ndërsa nga gjykatësi është kërkuar që të mos përmenden emra të cilat ndodhen në dokumentet e konfiskuara në OVL-UÇK dhe Nasim Haradinajt i janë dorëzuar në formë të shkruar disa emra për të cilët i është kërkuar të përgjigjet pa u zbuluar identiteti i tyre.

Ai është ndalur të një person me numrin dy, për të cilin ka thënë se ka qenë i ngarkuar me detyrë të veçantë nga Millosheviqi dhe se i njëjti ka parë ekzekutimet e shqiptarëve në Kosovë.

Haradinaj: Prokuroria speciale e ka referencë një kriminal serb

“Kështu që shumë më emër i njohur dhe që ka bazë për me qenë në banka, është dashur me qenë vet në banka, nëse jo si i akuzuar, si dëshmitar, i pjesës së vet, por ja që ky ka arritur dhe është bërë koordinator, këtu. Dhe kjo është ajo që opinionin kosovar e shqetëson, mendoj që është shqetësuese për vet këtë prokurori, është turp me pas atë si referencë. Derisa është dënimin e krimeve si mund ta kesh referencë e koordinator një kriminel vet, të njohur, nuk është që po e them unë, i njohur është”, ka thënë Haradinaj.

Dëshmia e Nasim Haradinajt e filluar sot në dhomat e Specializuara në Hagë pritet të zgjasë tre ditë, ndërsa nga avokati mbrojtës është bërë e ditur që avokati kosovar Tomë Gashi nuk ka mundur të udhëtojë për të dëshmuar në Hagë për shkak të infektimit me COVID-19.

Në pjesën e parë të seancës, Haradinaj është përgjigjur në pyetjet rreth biografisë së tij, pjesë kjo që është kundërshtuar nga prokuroria.

Haradinaj: Deri në moshën 17 vjeçare jam rritur në Kosovë, pjesën tjetër në burgjet e Serbisë

“Një pjesë të jetës jam rritë në Kosovë deri në moshën 17-vjeçare e gjysmë, ndërsa pjesën tjetër të jetës jam rritë në Serbi në burgjet serbe, derisa në vitin ‘90 kam kaluar si klandestin në Suedi. [...] Ma kanë burgosur vëllain tjetër Agronin, 16-vjeçar dhe e kanë dënuar tre vjet e gjysmë, kështu që kur kam ardhur në shtëpi e kam gjetur familjen me femra”, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur për familjen dhe aktivitetet e tyre në kërkim të lirisë ku ka përmendur arrestimet e tij, të babit, vëllait dhe motrës 15-vjeçare.

Ish-ushtari i UÇK-së ka thënë se për shkak të aktivitete të tyre kundër regjimit të atëhershëm, ai dhe anëtarët e tij të familjes kanë vuajtur në burgje të Serbisë dhe janë torturuar fizikisht.

Ai shtoi se si pasojë e kësaj, familjes së tij i është ndaluar edhe shkollimi.

Haradinaj: Regjimi nuk na ka lejuar shkollimin dhe martesën

“Nuk kam qenë i martuar, bile ka qenë një thirrje prej politikës në atë kohë, që këtyre njerëzve të këtij lloji, sepse cilësoheshim si armiq as të mos martohemi, gjëja të na sabotojnë edhe në martesa, publike ka qenë kërkesa, atëherë ka bërë kërkesë publike Ali Shukriu ka qenë, ish-udhëheqësi i lartë shqiptar që punonte e regjimin jugosllav”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka thënë se në vitin 1985 është fejuar por vajzës, e cila ishte bursiste në Fakultetin e Fizikës, i ishe ndaluar shkollimi për shkak të bashkimit me Nasim Haradinaj.

Dëshmia e Haradinajt po vazhdon me pyetjet e avokatit mbrojtës Toby Cadman rreth kundërshtimit të tij për Gjykatën Speciale.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së.

Në seancën e parë për këtë vit, po dëgjohet dëshmia e Haradinajt.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij mbrojtëse, Toby Cedman, Haradinaj tha se në Kosovë krime kanë kryer edhe shqiptarët.

“Krime kanë kryer edhe shqiptarët, edhe ata që nuk kanë qenë në UÇK. … me djalin e tij, ka vrarë kojshinë e vet… Ne jemi për zbulimin e të gjitha krimeve, pa marrë parasysh se kush i ka kryer. Por, jo të ketë diskriminim”, tha ai.

Nasim Haradinaj ka rrëfyer sot në Gjykatën Speciale për jetën e bërë pas luftës.

Ai tha se për një kohë në fillim ka shërbyer në trupat e TMK-së, teksa më pas ka vendosur që të merret me bujqësi.

Haradinaj tha se dëshira e tij gjithherë ka qenë që të kthehet në Kosovë.

“Pas çlirimit mendova se aktiviteti im është kryer sepse në një mënyrë Kosova u pa që po shkon drejt pavarësisë. U hoqën forcat serbe me ndihmën e aleatëve dhe unë mendova që shembulli im tani duhet të jetë i punës. U mora fillimisht me bujqësi. Njëherë isha i angazhuar në TMK që u transformua UCK në TMK deri në vitin 2001. Pastaj unë iu ktheva punës dhe dëshira ime ishte që të kthehesha në Kosovë, të jetojë në Kosovë”, ka rrëfyer ai.

E për qëndrimin në Suedi, ai deklaroi se ka qenë shkuarje e dhunshme. Sipas tij, ai ka qenë i detyruar që të migrojë atje dhe se nuk ka shkuar për të mira ekonomike.

Haradinaj foli edhe për punën që ka bërë në Suedi.

“Edhe në Suedi në një mënyrë unë isha dhunshëm, pa dëshirën time. Unë nuk kisha dalë që të kërkojë të mira ekonomike qysh kanë dalë shumë, por kisha dalë prej dhune. Atje kom pas rrogë shumë të mirë, në vlerë prej pesë mijë euro neto por dëshira dhe nostalgjia ime ishte që të kthehesha në Kosovë. Përktheja dy gjuhë”, deklaroi Haradinaj.

Këto detaje ai i dha teksa u mor në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Toby Cedman.

***

 Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj ka dëshmuar sot në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i tij mbrojtës Toby Cedman, Haradinaj ka rthënë se është kthyer në Kosovë në momentin kur e ka marrë vesh se është sulmuar familja Haradinaj në Gllogjan të Deçanit.

Haradinaj tha se aty ka qëndruar deri në kohën kur është plagosur.

“Legalisht unë hi në Kosovë si i armatosur më 1 janar 1998. Kthehem shkoj në Australi dhe atje e marr vesh se sulmohet fshati im, konkretisht kushëriri im, ose familja, Haradinaj, Ramush Haradinaj. Prej atje e kam ndërpre vizitën dhe jam kthyer në Kosovë me 1 prill ose 2 prill të vitit 1998 dhe kam ndejt aty derisa jam plagosur”, ka thënë ai.

Ai foli edhe për mjekimin që mori kur u plagos në luftë.

“E kam udhëhequr frontin e luftës përgjatë vijë Hereq-Baballaq-Prilep. Kam qenë aty. Kur jam plagosur ndihmën e parë e kam marrë në Kosovë, pastaj kam kaluar ilegalisht në Shqipërin. Jam mjekuar edhe aty. Pastaj kam shkuar në Suedi për tri javë, jam kthyer dhe e kam vazhduar aktivitetin”, ka thënë ai.

Haradinaj foli edhe për formimin e “Brigadës 138” , në Koshare.

Ai tha se për formimin e kësaj Brigade kanë qenë në konsultim me oficerët amerikan dhe shqiptarë.

"Më vonë me kontributet e mia dhe të shokëve të mi kemi arritur të krijojmë ‘Brigadën 138’ në koshare që është i vetmi vend ku merret kazerma ushtarake. Ajo në Koshare është specifike sepse kemi qenë në konsultim me oficerë amerikan dhe shqiptar dhe mendoj se serbët i dinë mirë pasojat e kësaj lufte dhe kësaj Brigade. Madje po xhirojnë film për këtë duke e quajtur xhehenemi ose ferri i Koshares”, ka thënë ai.

***

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjyqësore në rastin e ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Në pyetjen se ku është rritur, Haradinaj mes emocionesh tha se nga mosha 17-vjeçare e deri në vitet e 90-ta është rritur në burgjet serbe.

“Po jam rritë një pjesë të jetës në Kosovë deri në moshën 17 vjeçare e gjysmë, ndërsa pjesën tjetër të jetës jam rritë në burgjet serbe. Derisa në vitet 90-të kam kaluar si klandestin në Suedi”, deklaroi Haradinaj.

Seanca e fundit në rastin kundër ish-krerëve të OVL UÇK-së ishte mbajtur më 15 dhjetor të vitit të kaluar ku mbrojtja e Nasim Haradinajt në deklaratën hapëse para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kishte thënë se Haradinaj nuk i ka penguar hetimet dhe as punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja kishte thënë se provat të cilat do të paraqiten në emër të Haradinajt do të dëshmojnë që ai nuk ka bërë kërcënime kundër dëshmitarëve të mbrojtur apo viktimave.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Tomë Gashi nuk arrin të dëshmojë në Hagë, u infektua me COVID-19

Tomë Gashi nuk ka arritur që të dëshmojë sot në seancën gjyqësore ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit në Gjykatën Speciale në Hagë.

E gjithë kjo pasi avokati nga Kosova është infektuar me virusin COVID-19.

Kjo është konfirmuar nga avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

“Kemi edhe dëshmitarin e dytë, z.Tomë Gashi. Ai ka dalë pozitiv me Covid dhe për dy javë nuk mund të udhëtojë për shkak të rregulloreve”, ka thënë ai.

Ndryshe tashmë është duke u zhvilluar seanca e radhës ndaj Gucatit dhe Haradinajt në kuadër të Speciales në Hagë.

***

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë.

Sot vazhdon gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Kjo do të jetë seanca e parë gjyqësore për këtë rast në vitin 2022.

Seanca e fundit ndaj Gucatit e Haradinajt ishte më 15 dhjetor.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020, prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat