Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë, me anëtarë të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me familjen Maloku, nderuan dhe kujtuan veprën e Enver Malokut, i vrarë më 11 janar të vitit 1999.
Abdixhiku tha se Maloku me themelimin dhe udhëheqjen e Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi duke bërë të vërtetën si burim informacioni, por shtoi se nuk do të jenë të qetë deri në zbardhjen e vrasjes së tij.
Abdixhiku: Nderojmë veprën madhështore të patriotit Enver Maloku
“Si pararendës i gazetarisë moderne të Republikës së Kosovës, në të gjithë terrin informativ që Kosova po përjetonte, Enver Maloku, si themelues e prijës i Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi që bëri të vërtetën burim informacioni gjithandej nëpër botë. Ne e kujtojmë atë, veprën e tij. Gjithsesi në këtë ditë, në këtë 23-vjetor të trishtë për LDK-në, për familjen e tij, nuk do të mbesim të qetë as ne, as familja, as një qytetar i Kosovës derisa të zbardhet plotësisht e vërteta për vrasjen tinëzare të tij”, deklaroi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së tha se vrasja e Enver Malokut, si një figurë e lëvizjes paqësore të Kosovës, ishte tronditje e madhe për çdo familje shqiptare të Kosovës.
Abdixhiku: Vrasja e Malokut ishte tronditje e madhe
“Ka qenë tronditje për çdo familje shqiptare në Kosovë. Ka qenë tronditje për çdo familje në atë kohë të vështirë, viti 1999 ka qenë po ashtu vit i vështirë për çdo njeri në Prishtinë, por vrasja e Enver Malokut, një figure të lëvizjes paqësore të Kosovës, ka qenë vrasje e ëndrrave tona për liri por që për fatin tonë të mirë, për shkak të veprave të tij dhe njerëzve si ai, këtë liri e gëzojmë sot, unë, familja ime, fëmijët e mi dhe ju gjeneratat e ardhshme, prandaj e kujtojmë e nderojmë përherë”, përfundoi Abdixhiku.
Enver Maloku u vra në hyrje të banesës së tij para 23 vitesh, pasi paraprakisht me 1998 i kishte shpëtuar një atentati tjetër.
Maloku është i dekoruar me Urdhrin "Medalja e Artë e Pavarësisë" si dhe Urdhrin "Hero i Kosovës", nga ish-presidentët Ibrahim Rugova, respektivisht Atifete Jahjaga. Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e kishte dekoruar Enver Malokun me Medaljen "Urdhri i Artë i Shqiponjës".