Sot, 23 vjet pas vrasjes së Enver Malokut është momenti i një katarze për shumicën e mediave shqiptare në Kosovë, të cilat fatkeqësisht po heshtin.
Paramendojeni 23 vjet më parë, sipas raportimeve të kohës, nën okupimin serb rreth 70 gazetarë kishin marshuar rrugëve të Prishtinës në shenjë proteste për vrasjen e Enver Malokut, e paralajmëruar dhe e shpallur.
Media të pamëshirshme
Sot, 23 vjet pas, as për Enver Malokun, as për Xhemail Mustafën, as për Shefki Popovën, Bekim Kastratin, Bardhyl Ajetin... asnjë marsh nga mediat, asnjë mënyrë përkujtimi, e aq më pak presioni ndaj sistemit të drejtësisë për të zbardhur të gjitha ato vrasje, të cilat tani për tani nuk pritet t’i hetojë gjykata speciale.
Përveç se para disa viteve, në qershor të vitit 2019 në një përvjetor për Bardhyl Ajetin u bën homazhe në shkallët e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, iniciator ishte deputeti i sotëm Haki Abazi.
Por, asgjë nga vetë mediat, aq më pak nga shoqata e gazetarëve, e cila nuk interesohet fare.
Më 18 korrik 1998, Enver Maloku i kishte shpëtuar një atentati ndaj tij, në derë të banesës së tij.
Një javë pa u bërë gjashtë muaj nga atentati i parë i dështuar, Enveri u vra në sytë e fëmijëve, derisa po i afrohej hyrjes së banesës në “Breg të Diellit”.
Enveri ishte i shtati në një listë ekzekutimi të Shtabit të Përgjithshëm që QIK-u e dispononte asokohe dhe që i ishte dërguar me internet kësaj qendre, sipas dëshmisë së Ramadan Muçollit, mik dhe koleg në QIK me Enverin, me të cilin e kishin lexuar së bashku kërcënimin me vdekje.
Enveri aso kohe ishte bashkëpunëtorë i rregulltë i “Bota sot”, e cila botohej në diasporë, e para e përditshme e pavarur.
Atë ditë kur morëm lajmin isha shtangur si shumë shqiptarë të tjerë, që nuk e donin vëllavrasjen. Unë si student banoja në “Breg të Diellit”. Lajmin për një vrasje ma dha kushërira ime Teuta, që banonte mjaft afër pallatit ku ndodhi vrasja. Në fakt ajo dhe as unë ende nuk e kishim idenë se kush ishte vrarë, por krismat e atentatit e kishin përhapur rrufeshëm lajmin për një vrasje.
U deshtë edhe pak kohë ta kuptonim. Dola si zakonisht ta merrja “Informatorin”, të cilën mezi e prisnim mbrëmjeve. Më pas edhe “Informatori” u shua!
Gjykata speciale
Por, sot, kur tashmë gjykata speciale ka arrestuar disa nga kokat e grupit kriminal të dyshuar për rreth 100 vrasje, ne nuk e pamë askë nga qeveria, të bëjë një deklaratë, për njeriun që u vra për lirinë e shprehjes dhe lirinë e përgjithshme në Kosovë, Enver Malokun, qoftë nga Ministria e Drejtësisë për t’i premtuar familjarëve të viktimave të vrasjeve politike, shpresë për drejtësi.
Enver Maloku, në kushte ekstreme të vështira, kishte filluar ta botonte, një gazetë për herë të parë në Kosovë, gazetën e mbrëmjes, “Informatorin”. Edhe pse dilte në vetëm tetë faqe, ato përfshinin informacionet e dhunës ditore të aparatit represiv serb, gjenocidal.
E përditshmja “Informatori” kishte filluar të botohej, në mungesë të një të përditshmeje që guxonte të informonte drejt dhe saktë, pa ekuivokë, por e mbështetur nga Qendra për Informim e Kosovës QIK-u, e cila kishte një rrjet të shkëlqyeshëm të informimit në mbarë Kosovën, dhe madje përtej saj, edhe në Maqedoni, Kosovë Lindore, Mal të Zi dhe në diasporë, me njerëz të aktivizuar nga strukturat e LDK-së, e cila në çdo degë e kishte sektorin për informim, dhe raportonin në baza ditore për çdo lloj dhune që kryente regjimi i Millosheviçit, i konsideruar hero i përhershëm nga serbët, madje edhe nga udhëheqësit e sotëm të Serbisë, të cilët e kanë ideolog e udhëheqës shpirtëror.
Madje, ky informacion arkivor i hatashëm, mund të jetë një nga shkaqet se pse strukturat e LDK-së pas Rugovës, veçanërisht gjatë udhëheqjes nga Isa Mustafa e mbyllën definitivisht QIK-un, dhe e varrosën një arkiv të tërë informacionesh për të gjitha krimet e kryera.
Të dyshuarit
Vrasjet që kanë ndodhur në Prishtinë janë përgjegjësi SHIK-ut dhe drejtorisë së saj në Prishtinë, përkatësisht të gjithë ata që vepruan edhe pas luftës brenda SHIK-ut në këtë zonë, dinë për vrasjen edhe Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Fadil Demaku, ish drejtor i SHIK-ut për antiterrorizëm.
Cali që ka qenë drejtor i SHIK-ut apo edhe siç e quanin BIA-s, dhe si përgjegjësi kryesor i zonës që e mbulonte edhe Prishtinën, ai duhet ta zbardhë në Gjykatën speciale të gjithë ngjarjen.
Këto informacione duhet të gjenden edhe në ‘thasët’ e Kadri Veselit të cilët ai ia kishte dalur t’i merrte në Beograd.
Sipas burimeve tona, njeriu kyç për zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut është ish komandant “cali”, Salih Mustafa.
Dhe meqë SHIK-u, ishte përgjegjës për veprime të fshehta apo speciale, dhe edhe pas luftës për zonën e Prishtinës u bë “Cali”, ai mbetet çelësi kryesor për zbardhjen e të vërtetës. Përveç se i ka informacionet e mësipërme, ai e din se kush nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të kupollës së SHIK-ut, e kishin urdhëruar ekzekutimin e Enverit.
Pra, shpresohet dhe besohet se vrasjen e Enver Malokut do ta zbardhë “Cali” në Hagë.
Sepse në këtë mënyrë do të ndihmojë në zbardhjen e të vërtetës, e cila është më e rëndësishme se politika dhe të gjitha ambiciet tjera.
Siç thotë miku i Enver Malokut Ramadan Muçolli, kërcënuesit i kanë folur shqip, i kanë kërkuar që ta braktiste QIK-un dhe bashkëpunimin me Rugovën e LDK-në. Madje edhe familja i kishte bërë presion, por Enveri kishte zgjedhur më mirë të vdiste nga një atentat se sa ta vriste vetën për së gjalli, duke u dorëzuar!
Komandant “Cali”, Mustafa ishte komandant i njësisë BIA të UÇK-së, që sipas tyre akronimi përbëhej nga nistoret e emrave të luftëtarëve guerilë të vrarë Bahri Fazliut, Ilir Konushevcit dhe Agron Rrahmanit.
Gjykata Speciale konsideron se njësia e komanduar nga ai kishte 500 deri në 600 luftëtarë. Kjo njësi vepronte në fshatrat në veri të Kosovës në Zonën Operative të UÇK-së në Llap, kryesisht në rajonin e Podujevës, por edhe në të Prishtinës.
Aktakuza e speciales për Mustafën përbëhet nga katër pika: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.