“E ndërpres dëshminë, s’du me ju pa hiq” - përfundon seanca në Hagë, ja kur vazhdon dëshmia e Haradinajt

Aktuale

“E ndërpres dëshminë, s’du me ju pa hiq” - përfundon seanca në Hagë, ja kur vazhdon dëshmia e Haradinajt

Më: 12 janar 2022 Në ora: 07:39
Nasim Haradinaj

(E plotësuar 17:05) - ​Ka përfunduar për sot seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë ku për të dytën ditë me radhë ka dëshmuar nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Gjatë dëshmisë së tij, Haradinaj, i cili po akuzohet për publikimin e dokumenteve që dyshohet ë kenë rrjedhur nga Specialja, ka thënë se të gjitha veprimet e OVL-UÇK janë ndërmarrë për shkak të transparencës.

Haradinaj: Qëllimi i publikimit të ngjarjes me dosjet ka qenë transparenca

“Ka qenë qëllimi që diçka çka na është sjellë ne të jetë transparent, për të treguar për të mos mbajtur diçka fshehur, unë do të kisha ndjerë vetën shumë më shumë fajtor zotëri prokuror po të kisha mbajtur fshehtë këto dhe po të kisha bërë diçka tjetër me to, në kuptimin e kësaj, për të qenë koherent me kohën kur kanë ardhur. Shiko kohën kur kanë ardhur dhe kur i kemi qitë”, ka thënë Haradinaj.

Nga prokurori, përveç çështjes së dosjeve, ai është pyetur edhe nëse mendon që UÇK-ja mund të ketë kryer krime derisa Haradinaj ka thënë se Ushtria Çlirimtare të Kosovës, dhe ai si pjesë e saj, gjatë luftës në Kosovë nuk kanë synuar civilët, por vetëm kanë mbrojtur vendin dhe janë përballur me ushtrinë serbe.

Haradinaj: Jam plagosur prej serbëve

“Po, kam vrarë ushtarë serbë edhe oficerë, që ata thonë që është oficer se unë nuk e kam ditë çka ka qenë, po nuk ka këtu të bëjë me civil asnjë gjë, unë nuk jam kthyer nga Suedia edhe për të dhënë lule, derisa jam kthyer të hyj në front. Kam pranuar të vdes vetë. Unë kam qenë në front, po flas për pikën e frontit, nuk jam marrë me civilë, as nuk jam marrë pas luftës me më këto sende. Është çliruar vendi im dhe në rregull është. Jam plagosur prej tyre, që kam mundur të jem edhe i vrarë, dhe nuk po lyp askush llogari pse më kanë plagosur. Në rastin tim as nuk po lyp llogari pse më kanë plagosur, as nuk po jap llogari pse kam gjuajtur në ta derisa kam qenë i sulmuar, në vetëmbrojtje kam qenë, në vendin tim më kanë sulmuar”, ka thënë Haradinaj.

Dëshmia e Nasim Haradinajt, e filluar më 11 janar para Dhomave të Specializuara, do të vazhdojë edhe nesër.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Haradinaj në Hagë përmend krimet e Millosheviqit, nuk i mban lotët

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se do të vazhdojë kundërshtimin e atyre që sipas tij bazohen në të dhënat e Millosheviqit. Derisa prokurori e ka pyetur nëse do të pengonte punën e Dhomave të Specializuara, Haradinaj ka thënë se DhSK duhet të ndryshojë qasjen dhe të merret me të gjitha krimet duke mos vepruar në mënyrë një-etnike.

Haradinaj ka thënë se është kundër çdo gjykate selektive, derisa ka përsëritur kërkesën e tij që Specialja të gjykojë të gjitha krimet në të kundërtën, ka thënë se është për shfuqizimin e saj nëse ajo vepron në mënyrë një-etnike.

Haradinaj: Jam kundër çdo kujt që bazohet në të dhënat e Millosheviqit

“Varri më qet nga dheu mos me kundërshtu Millosheviqin unë”, ka thënë Haradinaj derisa nuk i ka mbajtur lotët.

Haradinaj ka thënë se do të mbështeste këtë gjykatë nëse e njëjta do të merrej me të gjitha krimet.

Haradinaj: DhSK duhet të ndryshojnë qasjen

“Në momentin që e shtini zbulimin e të gjitha krimeve, ndryshoni qasje, prandaj janë këto që njerëzit nuk ju duan, kështu po reflektoni ndoshta është e gabueshme, kështu po reflektoni dhe është mirë dikush të thotë si po reflekton, është ndihmë, duhet me qenë falënderues, me sjelljet e juaja kështu po reflektoni. Njeriu që ka dënuar me vdekje njerëz, Vukçeviç nëse guxohet me fol, gjatë luftës, njeriu i parë i Millosheviqit, dyshi njeriu i parë i Millosheviqit, dhe t’i referoheni këtyre, çka mendon që ata mendojnë për shqiptarët, patologjikisht ata e kanë krijuar sendoren me i urrejt shqiptarët, nuk mund të vijë asgjë tjetër, edhe nëse vjen e drejtë besomani nuk do të jetë e besueshme prej popullit tim, 100 vjet na kanë vrarë, pre, grirë”, ka thënë Haradinaj.

Nasim Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK vazhdimisht kanë kërkuar futjen e një amandamenti në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe se kjo vazhdon të jetë kërkesë e tyre me qëllimin e vetën që gjykata të mirët me të gjitha krimet.

Haradinaj-ZPS-së: Jeni shtet paralel, nuk e pyesni Kosovën

“Ne kemi kërkuar futjen e një amendamenti që parashikonte hetimet për të gjitha krimet e kryera, pavarësisht se kush i ka kryer ato. Këtë po e them. Për të qenë të qartë se ne nuk po kërkonim shfuqizimin apo mbylljen e DhSK-së, ju e keni qitë këtë se e kemi lyp ne shfuqizimin, ne kemi lyp një amandamentim ,me e shti me u ndjek kjo çka e thash më lartë, të gjitha krimet, dhe nëse kjo prokurori e pranon që nuk po do me i ndjek të gjitha krimet unë po të them edhe njëherë ne nuk po mundemi ta shfuqizojmë se ju jeni shtet paralel, Kosova e ngratë atje veç rri i tregojnë përralla shoqi’shoqit ata deputetë që e kanë çuar gishtin, se ju tash ja jepni fuqinë vetës, ju nuk e pyesni hiç Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është për shfuqizimin e gjykatës nëse e njëjta nuk pranon të mirët me të gjitha krimet e luftës në Kosovë, pavarësisht etnisë.

Haradinaj: Jam kundër Dhomave të Specializuara nëse nuk mirret me të gjitha krimet

“Po do ti me më detyru me dalë kundër të drejtave të popullit tim, prano ti këtë që e ke kështu, që unë po ta pranoj nuk jam me ty nëse ti je monoetnik, nëse ti je selektiv, nëse ti nuk do me i qit kriminelët përpara këtu por do me saju të tjerë në bazë të dëshmisë së kriminelëve që e ke koordinator, unë po them jam kundër teje, dhe këtu jam kundër teje. Dhe nëse vazhdon dhe ma krijon këtë bindje unë e ndërpres dëshminë qoftë edhe me dëmtimin tim person, jam kundër atyre që duan të përlyejnë luftën dhe shtetin tim...13.13. Ju po dëshironi që DhSK-ja të rrëzohet ose ta paraqitni të tillë. Ne po dëshirojmë që DhSK-ja të përmirësohet ku ka mundësi, t’i ndjek të gjitha krimet, asgjë tjetër, a po të pengon kjo ty, nëse kjo të pengon po të them edhe njëherë, po du me u rrëzu nëse të pengon kjo me i ndjek të gjitha krimet, du me u rrëzu nuk du me ju pa hiç”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj po përgjigjet në pyetjet e prokurorisë dhe kjo është dita e tij e dytë në bakën e dëshmitarit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

***

Momente interesante ka prodhuar seanca ndaj Nasim Haradinajt sot në Gjykatën Speciale.

Në një moment të caktuar të seancës, Prokurori ka lëshuar një video ku dëgjohet Haradinaj duke përmendur disa “spiunë”, mirëpo pa i specifikuar ata.

Haradinaj ka reaguar ndaj të njëjtës duke e pyetur prokurorin se a e di që emisioni ku ai i ka dhënë ato deklarata nuk është emision serioz, por më shumë humoristik.

“Ka ndodhur shpesh një gjellë shpesh shoqja ma ka mshef për mos mu trash. Mu më ka tregu fmija dhe i kam thënë “spiunja e babës”.  Në këtë prizmë është thënë kjo fjalë”, ka thënë Haradinaj.

***

Pas një pauze të shkurtër ka vazhduar seanca ndaj Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale.

Prokurori ka lëshuar në seancë një audio-incizim, ku Nasim Haradinaj dëgjohet duke përmendur fjalën “spiun

E aty Nasim Haradinaj nisi të flasë për “spiunët e lindur”.

Sipas Nasim Haradinajt, “spiunë të lindur” ka edhe në krye të Qeverisë.

“Ky është një shprehje që mendoj që nga shteti juaj e kanë fol. Me kanë një spiun i lindur, është një bashkëpunëtor me okupatorin. Na u ka ngarku edhe barra juve dhe jemi kanë të sulmum nga të gjitha partitë dhe nga vet pushtetarët. Nuk e kom potencu gabimisht, se ne kemi problem që s’besoj që keni lindur ju spiun i lindur. Spiun i lindur është kur e ka edhe babën, e fatkeqësisht ka edhe në Kosovë. Fatkeqësisht janë edhe në krye të qeverisë”, ka thënë Nasim Haradinaj.

Haradinaj: Jam detyruar mos ta pranoj në vizitë Ministrinë e Drejtësisë sepse duhet ta shënoja si vizitë familjare

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka kritikuar Specialen për mënyrën e trajtimit sa i përket vizitave të cilat u bëhen personave që janë në paraburgim në Hagë. Haradinaj ka thënë se vizitën e Avokatit të Popullit të Kosovës e ka shënuar si vizitë familjare, ndërsa ka thënë se është detyruar të mos e pranojë në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë për shkak se i ka ardhur si kërkesë për vizitë familjare.

Para Dhomave të specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se vizitat që i bëhen nga zyrtarët e huaj atje shënohen si zyrtare, ndërsa ato nga Kosova, pavarësisht që mund të jenë nga institucionet e shtetit, quhen familjare.

Haradinaj: Me vizitën e Avokatit të Popullit më është hequr koha e vizitës familjare

“Vizita e Avokatit të Popullit tim, të shtetit tim që e pata këtu më është hequr koha si vizitë familjare, kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që është bërë këtu dhe jam i pari që e kam refuzuar dhe nuk jam takuar me ta, më ka ardhur si kërkesë familjare, ndërsa vizita e Avokatit të Popullit tuaj që ka ardhur nga Italia, ajo më ëshytë caktuar zyrtare dhe kjo është një prej barazive që ju e bëni. Derisa avokati i popullit tim, shtetit të Kosovës e që ju po thirreni në emër të Kosovës dhe mua më heqni si familjar avokatin e popullit tim që vjen me më pa mua në burg dhe më detyroni mos ta pranoj Ministrinë e Drejtësisë të shtetit tim dhe i detyroni të më kërkojnë vizitë familjare, unë i kam injoruar, jo i kam injoruar ata si të shtetit tim, po u kam treguar që nuk i vet më kush, dhe këtë jeni duke e bërë edhe sot në vizitat tona. Shpjego ti dhe kupto çfarë force ke marrë, sa avokatin tënd që e ke këtu ma ke pru mua ai më ka ardhur zyrtarisht, avokati i popullit tim, unë është dashur me shkru si familjar dhe më është hequr koha e vizitës për sa kohë ka qëndruar Avokati i Popullit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Këtë Haradinaj e ka thënë derisa po merret në pyetje nga prokurori në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë.

 “E ndërpres dëshminë, s’du me ju pa hiq”/Nasim Haradinaj me gjuhë të ashpër ndaj Prokurorit të Speciales

Ka vazhduar me tensione seanca e sotme në Speciale ndaj nënkryetari të OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Ky i fundit paralajmëroi prokurorin se do ta ndërpres dëshminë nëse ai ia dëshmon dhe vazhdon t’ia dëshmojë se është njëetnik.

“Nëse ju pranoni se jeni të tillë po ta them haptazi që jamë për shfuqizim. Po kupton ti çka po ki qejf me kuptu. Nëse ti pranon që je njëetnik, unë jam pro shfuqizimit dhe e nali në këtë moment dëshminë. Po don mem detyru ti me dal kundër të drejtave të popullit tem?. Nëse je ti monoetnik, selektiv, dhe do të sajosh në bazë të dëshmisë së kriminelëve. Nëse vazhdon ti ma dëshmon këtë, unë e ndërpres dëshminë, qoftë edhe në dëmin tim. Kundër tyre kam luftu, sepse ata ishin regjimi i Millosheviqit”, tha Haradinaj.

“Me mujt edhe sot jam me shti që të ndiqen të gjitha krimet pa marrë parasysh kush i ka ba. Çka ka të keqe, nëse ti je kundër saj, edhe unë çdoherë jam kundër teje dhe një drejësie të tillë”, tha Haradinaj.

Ai tha se nëse kjo Gjykata është njëetnike dhe ndjek vetëm krimet e supozuara të shqiptarëve di as nuk do t’ia shoh “fytyrën prokurorit”.

“Du mu rrëzu s’du me ju pa hiq, nëse mendoni që nuk duhet me u ndjek të gjitha krimet. E don demokracia dhe duhet me dashtë edhe shteti ynë”, tha Haradinaj.

Haradinaj në Hagë: Prokuroria të mos vazhdojë rehabilitimin e kriminelëve serb

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka rrëfyer kohën e arrestimit e cila kishte ndodhur në shtator të vitit 2020. Edhe njëherë ai ka shprehur qëndrimin e tij kundër punës së Zyrës së prokurorit të Specializuar për të cilën ka thënë që po merr për dëshmitarë kriminelët serb.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se forcat e EULEX-it e kishte përcjellur deri pranë ndërtesës së një televizioni në Prishtinë në të cilin ai po shkonte për të dhënë intervistë, ku edhe u arrestua.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se derisa policia e EULEX-it, ka tentuar ta arrestojë atë, ai ka këmbëngulur që kjo duhet të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës.

Haradinaj: Nuk kam pranuar të arrestohem nga EULEX-i

“Kanë dalë ata dhe i kam pa përpara më kanë thënë ndalu policia, jam ndalë dhe njëri më ka dalë para më kanë thënë je i arrestuar, anglisht, i kam thënë pse, tjetri prapa më ka bërtit në gjuhën suedeze më ka thënë mos luaj, e kam parë atë përpara që është Muberg dhe aty pastaj kam filluar me pyet për çka, ai është munduar me nxjerr një letër me lexu, i thash unë dua me qenë Policia e Kosovës nëse jam i arrestuar”, ka thënë ai.

Nga vendi i arrestimi që kishte ndodhur në lagjen “Pejton”, në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se është dërguar në selinë e EULEX-it në Fushë Kosovë, ku i është thënë se menjëherë do të transferohet për në Hagë.

Megjithatë, më pas Haradinaj ka treguar se e kanë lajmëruar udhëtimi nuk mund të bëhet deri ditën e nesërme.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Haradinaj ka thënë se fletë arrestin ndaj tij nuk e ka parë as në momentin e arrestimit e as gjatë qëndrimit në qendrën e EULEX-it.

Haradinaj: Prangat mi kanë vendosur para EULEX-it, fletë arrestimin nuk e kam parë

“Kur kam dalë aty prej kerrit më ka thënë tash je këtu të ne, i kam thënë në rregull, këtu tha tani duhet me t’i vendosë prangat, unë nuk kam pas pranga, në oborr nja 20 metra deri kam hy mi kanë vendosur prangat deri kam hy brenda në objekt, por i kam thënë nuk ka problem. Policia jonë janë përshëndet, krejt në rregull, sjelljet kanë qenë të mira, fletë arresti në fakt atë që ka dashur me lexu nuk ma ka lexu dhe unë kurrë nuk e kam parë deri më ka ardhur si dokument këtu në burg kur kam ardh, më vonë pasi kam dalë në gjyq, për herë të parë”, ka thënë ai.

Pas një natë qëndrimi në qeli, Haradinaj ishte nisur për në qendrën e paraburgimit në Hagë, nën përcjelljen tani vetëm të hetuesve të Speciales, derisa Policia e Kosovës kishte qenë pjesë e operacionit vetëm gjatë arrestimit të tij në Prishtinë.

Haradinaj: Në Hagë kam udhëtuar vetëm me hetuesit e Speciales

“Në ora 11 deri në 12 e di që më kanë dërguar të një pjesë tjetër të Aeroportit të Prishtinës, më kanë dërguar të një si kontejner, aty ma kanë bë një kontroll mjekësore dhe aty më kanë thënë se tash je në duart e punëtorëve të kësaj gjykate dhe përdorin të tjera pranga, ndërsa aty mi kanë heq ato pranga dhe ma kanë vendosur rripin me gjithë pranga tjetër lloj, ma ka bërë kontrollin mjeku dhe jemi nisë, më kanë thënë që nuk kemi përkthyes, për çdo gjë do të shoqërojë njëri prej këtyre oficerëve që e di suedishten dhe më ka shoqëruar oficeri që e di suedishten, ky tjetri dhe jo Moberg, ky i dyti që më tha atje suedisht mos lëvizë”, ka thënë Haradinaj.

Para trupit gjykues, Haradinaj ka thënë se nuk e ka kërcënuar asnjë dëshmitarë apo dikë tjetër gjatë jetës së tij.

Haradinaj: ZPS po spekulon, nuk kam kërcënuar dëshmitarë

“Prokuroria shpesh fjalët po i spekulon, ose duhet me panu që nuk dinë dhe po referohet kësaj. Spiunët e dimë krejt bota se kush janë, spiunët janë bashkëpunëtorët e regjimit komunist në atë kohë që më kanë përcjellë dhe që vazhdojnë fatkeqësisht ende të jenë në krye të qeverisë sime, nuk ka të bëjë me spiunë të këtyre. Bashkëpunëtorët janë ata të cilët edhe gjatë kohës së luftës, fatkeqësisht edhe shqiptarët që unë po lypi që dhe ta kjo prokurori t’i hetojë, kanë kryer krime së bashku me forcat serbe… (përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë ai.

Edhe njëherë, ai e ka kundërshtuar qasjen dhe punën e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, duke thënë se e njëjta po rehabiliton kriminelë.

Haradinaj: E kundërshtoj Zyrën e Prokurorit të Specializuar, po rehabiliton kriminelë serb

“Prap kërkoj nga kjo prokurori të mos vazhdojë me këtë rrugë, të mos vazhdojë me rehabilitu kriminelë, sepse të marrësh një dëshmi nga kriminelët, sidomos serb, nuk po quaj kriminelë pse janë serb por sepse janë të dëshmuar, kanë kry vet ekzekutime dhe kanë dhënë urdhër për ekzekutime, këta normal që për ta janë të edukuar që shqiptarët janë fajtor. Nuk dua ta përjetoj në shtetin tim të pavarur prapë një sistem, ose një gjykatë të Kosovës që është edhe më e rreptë se gjykatat serbë në ’81 në raport, më fal e thash gjykatë e kam fjalën të prokuroria, në raport me kohën që jetojmë sot, 40 vite më vonë. Nëse është e tillë, prap po them, jam kundër dhe në këtë formë që po shkon kjo prokurori vetëm me rastin tim që po e shoh, unë jam kundër, e kundërshtoj qind për qind”, ka thënë Haradinaj.

Me përfundimin e pyetjeve të avokatit mbrojtës, Haradinaj po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të specializuar.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Në seancën e radhës ku është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish nënkryetarit të OVL-UÇK, Nasim Haradinaj përpara trupit gjykues të Gjykatës Speciale ka treguar rrugëtimin e tij gjatë kohës kur ishte arrestuar nga Policia e Kosovës me insistimin e tij që të mos jenë EULEX ata që i vendosin prangat.

“Jam nis me taxi prej zyrave të OVL-së, për me arrit në një intervistë që e kam pasur në televizionin T7, rrugës për atje një veturë e EEULEX-it na ka pre rrugën dhe an ka përcjell deri te zyrat e TV-së në fjalë. Me të arrit atu më kanë ndal ata dy dhe më janë drejtuar ndalo njëri në anglisht m’ka dal para dhe më ka thënë je i arrestuar, i kom than pse tjetri në gjuhen suedeze më ka bërtit mos luaj, edhe ju kom thanë du me kanë policia e Kosovës, a tu e tutje kemi fillu bisedën në gjuhen suedeze me ta deri sa kanë ardhë policia”, deklaroi Haradinaj.

Tutje me të arritur Policia e Kosovës Haradinaj tregon se si ka refuzuar të futet në veturën e EULEX-it, duke insistuar çdo herë që arrestimi të bëhej nga Policia e Kosovës.

“Kur erdhën policia më kanë ofrua me hy në xhipin e EULEX-it, kom thanë jo, unë du mem arrestua Policia jem nuk po e kontestojë arrestimin po du policia jem. Njëri nga policët u mundu me ba kompromis thash a keni ju kerr tha po, e në kerr të juvin. Kemi vazhdua kështu dhe kemi shku në qendrën ku e kanë EULEX afër Fushë Kosovës. Kemi hy brenda e aty më kanë thënë që duhet me ti vendos prangat pra në oborr të tyre mi kanë vendos prangat”, deklaroi nderë të tjerash Haradinaj.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Haradinaj “shpërthen” ndaj prokurorit: Mos spekulo mem kallzu mu, duhet ta paguani çmimin

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj ka shpërthyer sot në akuza ndaj Prokurorit të Speciales në gjykimin e tij.

Në pyetjen e prokurorit se a i ishte drejtuar dëshmitarëve në konferencën ku njoftonte për dosjet e rrjedhura, Haradinaj i është drejtuar me indinjatë atij duke i thënë “mos spekulo”.

“Unë këto po t’i përsëris edhe njëherë.  Mos spekulo mu mem kallzu kujt i thash unë. T’u kom drejtu ty unë për skandalin që keni ba. Juve ju kom drejtu, juve për skandalin. Ju e keni shkatrru vetveten. Dëmet i keni kriju ju me fajin dhe qëllimin juaj. Nuk dua të besoj që në këtë prokurori ka analfabetë. Ju jeni ata që duhet me pagu këtë çmim. Dikush nga ju është dashtë me kanë i ulun këtu”, tha ai.

“Nuk dihet se sa kuj ma i keni dërgu këtë dërgesë që na keni dërgu këtë dërgesë. Ju keni pas mundësi me ja qu kujtdo”, ka thënë Haradinaj tutje. 

Nasim Haradinaj vazhdon dëshminë në Speciale

Nis seanca e gjykimit në Hagë, ku Nasim Haradinaj vazhdon dëshminë.

Edhe sot vazhdon seanca ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Edhe gjatë ditës së sotme në Dhomat e Specializuara të Hagës do të vazhdojë seanca ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Seanca do të fillojë në orën 9 e 30 dhe pritet të zgjasë deri në 16.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat