Ja pse Elez Blakaj nuk mund të bëhet kryeprokuror i Shtetit

Aktuale

Ja pse Elez Blakaj nuk mund të bëhet kryeprokuror i Shtetit

Më: 12 janar 2022 Në ora: 20:36
Aleksander Lumezi dhe Elez Blakaj

Njohësi i çështjeve të drejtësisë Ehat Miftaraj ka thënë sot se Elez Blakaj nuk mund të bëhet kryeprokuror i Shtetit, pasi që në këtë pozitë mund të zgjidhet dikush që e ushtron aktualisht detyrën e prokurorit në Kosovë.  

“Unë e kam parë deklaratën e Kurtit,  si ndoshta e thënë në mënyrë hipotetike sepse këshilltarët duhet t’i tregojnë se Elezi  nuk mund të emërohet kryeprokuror. Vetëm një prokuror që është në Kosovë mundet , Elezi nuk është në Kosovë dhe e vetmja mënyrë për tu bërë kryeprokuror duhet të ja fillojë nga e para”, tha ai.

Ai këtë e tha duke e komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti i cili sa ka qenë në opozitë  kishte paralajmëruar se me ardhjen e tij në pushtet do të largohej edhe kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Madje, duke bërë lojë fjalësh, Kurti kishte thënë se duhej të shkarkohej Lumezi që të kthehej Elezi.

“Le të ecë Lumezi, që të kthehet Elezi”, kishte thënë Kurti.

E sot Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e parë të mbajtur për vitin 2022, ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kurti jo vetëm që nuk arriti ta shkarkonte Lumezin, por duket se pasi ta përfundojë ai mandatin, nuk do të vijë as Elezi.

Media e ka pyetur ish-prokurorin Elez Blakaj nëse do të konkurrojë për pozitën e Kryeprokurorit të Kosovës.

Por, Blakaj ka heshtur dhe nuk ka kthyer fare përgjigje nëse do të jetë njëri nga kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Blakaj ishte larguar nga Kosova, duke e akuzuar Aleksandër Lumezin. Ish-prokurori special kishte deklaruar se kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka provuar ta frikësonte atë në lidhje me rastin “Pronto”.

Në një pjesë të deklaratës së tij në faqen e tij në Facebook, Blakaj kishte deklaruar se Kryeprokurori Lumezi kishte tentuar ta frikësonte me dërgim në komisionin disiplinor.

”…. Po ashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të më dërgoj në komision disiplinor… ndërsa unë iu kam përgjigjur ‘Lirisht të parin dërgomë mua, se kam problem fare’”, kishte shkruar Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat