Shteti në aksion pas rritjes së rasteve: Mbyllen 75 lokale e jepen 300 gjoba

Aktuale

Shteti në aksion pas rritjes së rasteve: Mbyllen 75 lokale e jepen 300 gjoba

Më: 13 janar 2022 Në ora: 16:27
Pamjet nga aksioni

Pas rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës bashkë me Policinë e Kosovës kanë intensifikuar kontrollet në lokale.

Policia dhe AVUK ka bërë të ditur se në festat e fundvitit dhe dy javët e para të vitit të ri janë ndërmarrë 2 mijë inspektime dhe janë shqiptuar 300 gjoba.

”Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) e asistuar nga Policia e Kosovës (PK),  po vazhdojnë punën në mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së sëmundjes. Bazuar në situatën epidemiologjike, rritjen e numrit të të infektuarve, ne si dy autoritete ligj zbatuese kemi shtuar kontrollet me qëllim të parandalimit të rritjes së infektimeve, aktivitete të cilat po shtrihen në nivel vendi si dhe ruajtjes se jetës dhe shëndetit publik”, thuhet në komunikatë.

“AUV gjatë kohës së mbajtjes se festave të fund vitit dhe këtyre dy javëve të para ka rritur numrin e kontrolleve zyrtare, duke realizuar rreth 2000 inspektime në nivel vendi,  gjatë të cilave janë shqiptuar 300 gjoba ndaj operatorëve ekonomik, e po ashtu janë mbyllur 75 lokale të gastronomisë. Janë ndryshuar planet operative të punës për kontrollet zyrtare në koordinim me Policinë e Kosovës. Në vazhdimësi po rrisim numrin e kontrolleve, e po ulim tolerancën ndaj shkelësve, për secilën pikë të vendimit do të pasoj masa ndëshkimore. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, nga Policia e Kosovës (PK),vetëm mbrëmë në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar (172) gjoba për mos respektim të masave Anti-Covid”, thuhet tutje në komunikatë.

“Me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik dhe mediave të cilat i referohen një veprimi të institucioneve në komunën e Graçanicës, ju informojmë se në lokacionin në fjalë sipas detyrës zyrtare Policia e Kosovës vetëm ka asistuar inspektorët e AUV-it në realizimin e detyrave të tyre, për mbikëqyrje të zbatimit të masave  ndaj pandemisë COVID-19, veprime këto të cilat ndërmerren në nivel vendi, aty ku ka informacione për grumbullim apo mosrespektim të masave ndaj pandemisë”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës në këtë rast Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) e asistuar nga Policia e Kosovës (PK),  janë të përkushtuara të ushtrojnë autorizimet e tyre për ngritjen e nivelit të respektimit të masave Anti-Covid”, thuhet në fund të komunikatës së përbashkët të Policisë dhe AUV-it. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat