“Më ka gjuajt në sy të gruas dhe vajzës, vetëm pse i rashë borisë”, rrëfimi i Bekim Gashit që u plagos në Prizren

Aktuale

“Më ka gjuajt në sy të gruas dhe vajzës, vetëm pse i rashë borisë”, rrëfimi i Bekim Gashit që u plagos në Prizren

Më: 13 janar 2022 Në ora: 17:56
Bekim Gashi

Një mosmarrëveshje në komunikacion përfundoi me plagosje e Bekim Gashit, më 10 janar në Prizren. I dyshuari për këtë “Tentim vrasje” është Lekë Veseli, i cili me vendim të gjykatës ndodhet në paraburgim.

Sipas gjykatës, deri te plagosja erdhi pasi që Bekimi i kishte rënë borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën.

Bekimi përmes një postimi të gjatë në profilin e tij në Facebook, ka treguar versionin e tij se si ka ndodhur rasti.

Sipas tij, i dyshuari për tentim vrasjen e tij e kishte bllokuar rrugën, “për të bërë muhabet” dhe ndonëse ky e kishte sinjalizuar disa herë që ta lironte rrugën, duke i rënë borisë, ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Herën e fundit, kur Bekimi i kishte rënë borisë, pretendon se Lekë Veseli ka dalë nga vetura dhe i ishte afruar te vetura duke i bërtitur, për t’u kthyer më pas në veturën e tij, ku e kishte marrë armën e zjarrit me të cilën dyshohet se e ka qëlluar Bekim Gashin.

Ai thotë se e ka lajmëruar Policinë dhe derisa ishte kthyer në anën e majtë, thotë se i dyshuari e ka goditur me tytën e armës dhe derisa Bekimi kishte tentuar që ta neturalizonte, Leka dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke e goditur sipërfaqësisht në këmbën e majtë.

Në atë moment, i plagosuri thotë se ka arritur që ta neutralizojë dhe ta mbajë të bllokuar për 15 minuta, derisa ka ardhur Policia në vendin e ngjarjes.

E gjithë kjo ngjarje, sipas Bekimit, është zhvilluar në sytë e gruas dhe vajzës së tij 5-vjeçare, të cilat ndodheshin me të në veturë.

“Unë, Bekim Ukë Gashi, isha tuj shku me punë familjare, me shoqen dhe vajzën e vogël 5-vjeçare. N’mes të rrugës ky matrapazi e ka ndal kerrin edhe ja ka kris muhabetit me ni person tjetër, për pak kohe i rash borisë (sirenës), dhe e mbajke rrugën e bllokume. Mbas pak prapë i rash (sirenës) njëjtë vazhdojke muhabetin, mbas ni kohe prapë reagova me (sirenë) dhe ky matrapazi doli prej kerrit u afru te unë me fjalët ‘ça ki a s’pot pritet a’ un isha n’kerr dhe i thash, ‘skajoje kerrin edhe tanë ditën bon muhabet’, matrapazi ma ktheu ‘kush k… je ti’ dhe dola prej kerit, i thash, mos përdor fjalë të flliqta o IDIOT.”

“Në atë moment matrapazi u kthy te kerri vet e ka marrë ALLTINË edhe m’u afru me fjalët ‘shka po don tash’, unë ja ktheva, ‘trimat nuk nxjerin ALLTIA’, i ligi e nxjerrë prej tutës, tash ki punë me polici. E thirra 192-shin dhe u ktheva në pozitën e djathtë, në atë moment ky matrapaz tinzakërisht m’ka goditë me “qyk t’Alltisë” në pjesën e majtë të kokës. Në atë moment telefoni m’ka ra prej dorës dhe ju vërsula për t’ja bllokuar ALLTINË, kur ja kom ulë ALLTIN, matrapazi edhe ni plumb e ka shkrep ku plumbi ma ka kapur këmbën e majtë, dmth. plagë sipërfaqësore dhe mbas kësaj arrita që t’ja bllokoj ALLTINË dhe matrapazin totalisht, që mos t’mund t’lëvizte deri sa t’vijnë policia.15 minuta e kam mbajt këtë matrapaz t’bllokum që mas me mujt me përdor atë virane, se tucat ndryshe s’dijnë.”

“Në momentin që ka ardhë polici afër, e kam liruar ALLTINË, ku pjesën të ‘kondaki’ dhe këmbëza e gishtit, ka qenë në dorën e matrapazit, kurse pjesa e shulit dhe pjesa ku shkrepet gjilpëra ka qenë e bllokuar në duart mia, që të mos mund të shkrepte, që siç e ceka më lartë, kjo quhet ‘TENTIM VRASJE ME ARMË ZJARI’, asni presje se kom shtu, as se kom hek, përndryshe dëshmi janë kamerat e sigurisë”, shtoi ai.

Ai tha se kurrë në jetën e tij nuk e ka provokuar ose ngacmuar asnjë njeri dhe lutet që “qifti i këtij t’ligu” të mos ia “pret” rrugën askujt.

“Edhe në fund ta ceki ma të keqën që ky as gjak shqiptari s’ka, sepse në prezencë të gruas dhe vajzës 5-vjeçare e ka nxjerrë ALLTINË dhe ka gjuajt, që në traditën tonë shqiptare dhe me kanun, nuk ka bo vaki kjo punë”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat