“Truprojat mezi na kanë shpëtuar nga gurët”, flet dëshmitari i atentatit ndaj Ibrahim Rugovës në Klinë

Aktuale

“Truprojat mezi na kanë shpëtuar nga gurët”, flet dëshmitari i atentatit ndaj Ibrahim Rugovës në Klinë

Nga: P.R Më: 13 janar 2022 Në ora: 18:59
Nga e djathta: Ilaz Kadriu, Fatmir Sejdiu, Qazim Ismaili, Melihate Tërmkolli, Naser Rugova, Nekibe Kelmendi

Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, Xhevat Dajaku, ish truprojë e presidentit, Ibrahim Rugova, ka treguar detaje të atentateve të dështuara për vrasjen e Rugovës.

Ndër tjerash, ai ka zbuluar se si ishte tentuar vrasja e president Rugovës në qytetin e Klinës, në zgjedhjet lokale të vitit 2000.

“Edhe në qytetin Klinës është bërë një kaos i tillë. Kjo ka ndodhur në tetor të vitit 2000, në ditën e fushatës parazgjedhore të organizuar nga Dega e Lidhjes Demokratike, ishte koha kur pritej të mbaheshin zgjedhjet e para komunale pas luftës në Kosovë. Atë ditë kishte marrë pjesë edhe Presidenti Rugova, dhe akoma pa filluar programi, fillon rrëmuja. Mes simpatizantëve të LDK-së kishin hyrë individë të dyshimtë, të cilët fillojnë t'i godasin me sende të forta aktivistët e LDK-së, aty është hedhur edhe një granate dore, por për fat nuk është aktivizuar. Përmes këtij kaosi, ata "individë" të organizuar kishin arritur gati të gjithë njësitin e sigurisë ta largonin nga Presidenti, me qëllimin që t'i afrohen sa më lehtë atij. Dhe duke parë këtë Besimi, merr prapë vetiniciativë dhe nxjerrë revolen për ta hapur një korridor mes turmës, dhe bashkë me një koleg të tij (emri i të cilit nuk po me kujtohet) e tërheqin Presidentin, por në çastin kur e nxjerr revolen Besimi reagon Policia e UNMIK-ut dhe mundohen qe ta bllokojnë, sikur me pas marrëveshje me të "organizuarit"! Pastaj me shumë vështirësi arrisin ta fusin Rugovën në makinë, dhe kur i jep makinës Besimi për ta larguar Presidentin nga vendi i ngjarjes, disa individë nga turma hudhen mbi makinë, duke u munduar që ta pengonin me çdo kusht largimin e Rugovës nga aty, por megjithatë Besimi i jep makinës, i shkelë disa nga ata dhe e largon Presidentin nga vendi ku mund të ndodhte edhe më e keqja...”, ka deklaruar ish truporja e Ibrahim Rugovës, Xhevat Dajaku, intervistën dhënë gazetës “Bota sot”.

E për këtë atentat të dështuar ndaj Rugovës, ka shkruar edhe Ilaz Kadriu, kryetar i LDK-së në Chicago të SHBA-së.

“Në të vërtetë, sa kemi dalë nga veturat e suitës, filluan të shtënat e pakontrolluara dhe në të njëjtën kohë, në tollovinë e krijuar, filluan edhe gjuajtjet e shumta me gurë. Truprojat e Rugovës mezi na kanë shpëtuar nga gurët që fluturonin mbi ne duke goditur duart tona dhe të truprojave në mbrojtje mbi kokat tona. Ishte eksperienca më e shëmtuar imja në Kosovën e posaçliruar nga sërbët. Ky dhe shumë tentime tjera si ajo në Komoran, ku as nuk na lanë të hymë në qytet u bënë përditshmëri në zgjedhjet e atëhershme. Sigurimi i presidentit dhe kryetruproja Elez Nikçi urdhëroi suitën të kthehet mbrapsht pa hyrë fare në Komoran”, ka shkruar ndër tjera Kadriu, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë i Ilaz Kadriut:

Xhevat Dajaku ka plotësisht të drejtë kur bëhet fjalë për tentim vrasjen e presidentit Rugova në Klinë gjatë fushatës se zgjedhjeve parlamentare në Kosovë menjëherë pas luftës, pra nëntor 2000.

Unë, Ilaz Kadriu, kryetar i Degës së LDK-së në Chicago kam qenë prezent në tërë fushatën duke llogaritur edhe këtë në Klinë.

Në të vërtete, sa kemi dalë nga veturat e suitës, filluan të shtënat e pakontrolluara dhe në të njëjtën kohë, në tollovinë e krijuar, filluan edhe gjuajtjet e shumta me gurë. Truprojat e Rugovës mezi na kanë shpëtuar nga gurët që fluturonin mbi ne duke goditur duart tona dhe të truprojave në mbrojtje mbi kokat tona.

Ishte eksperienca më e shëmtuar imja në Kosovën e posaçliruar nga serbët. Ky dhe shumë tentime tjera si ajo në Komoran, ku as nuk na lanë të hymë në qytet u bënë përditshmëri në zgjedhjet e atëhershme. Sigurimi i presidentit dhe kryetruproja Elez Nikçi urdhëroi suitën të kthehet mbrapsht pa hyrë fare në Komoran.

Ne të diasporës në përgjithësi ishim mësuar të ballafaqohemi me pushtuesit serbë në kohet e Millosheviqit, por jo me "pushtuesit " e thaçave dhe veselave të cilët me këto veprime jepnin sinjalet e para te kapjes së shtetit menjëherë pas çlirimit dhe qeverisë së përkohshme të Thaçit.

Siç dihet, zgjedhjet i fitoi bindshëm LDK-ja.

Kurse të kriminalizuarit u tërbuan edhe më shumë duke vazhduar edhe gjatë kohë me eliminimin e figurave të rëndësishme të Farkut dhe të LDK-së.

Shpresoj se në Kosovë, 20 vjet pas çlirimit janë stërpjekur kushtet për të denoncuar vrasësit të cilët gjer më tani kanë qënë të mbrojtur nga porositësit e vrasjeve të cilët gjenden të lirë në Kosovë dhe të akuzuar në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat