Pse nuk luftohet krimi i organizuar “intelektual”! ?/ Masakrat ligjore për të përfituar grupi

Aktuale

Pse nuk luftohet krimi i organizuar “intelektual”! ?/ Masakrat ligjore për të përfituar grupi

Nga: Idriz Morina Më: 13 janar 2022 Në ora: 22:16
Pamje nga protestat e studentëve para MASHT-it kundër punësimeve degraduese në Universitetin "Haxhi Zeka"

Ka shumë vite që në Kosovë flitet për krim të organizuar, por kryesisht ky është i natyrës ekonomike, trafikim droge, armësh, nafte, produktesh të ndaluara etj.

Por, askush nuk po flet për një lloj krimi që si duket origjinën e ka në krimin politik.

Ka pasur shumë kërkesa për hetim, por aspak thuaja nga mediat, dhe thuajse fare s’ka vepruar drejtësia.

Krimi i heshtur që ka ndodhur në vazhdimësi me kulminacion në fundin e dekadës së shkuar, është krimi intelektual apo i njohur edhe si “shkencor”.

Si u krijuan këto grupe

Fillimisht lindi në Kosovë si nevojë e atij grupimi politik, që u krijua nga ata që kishin marrë pjesë në luftë.

Fillimisht u ‘blen’ disa profesorë me shuma të majme, që t’i bashohen këtij grupimi, i cili përveç rrezikut që ofronte, nuk kishte ndonjë gjë tjetër të veçantë për t’i joshur njerëzit që t’i bashkoheshin. Numri i intelektualëve duhej të rritej, për të rritur besimin.

Këta intelektualë që i bashkoheshin do të kthehen në bërthama ‘intelektuale’ edhe për t’i mësuar abuzuesit me ligjin, se si të përfitojnë në pushtet dhe nga pushteti sa më shumë para nga buxheti shtetëror, manipulimin me projekte, biznese, tendere, me nxjerrje ligjesh, udhëzimesh me përmbajtja të paqarta ligjore dhe ambiguale, për të mundësuar përfitimet, pasurimin dhe mos ndjekjen.

Këto parakushte kriminale krijuan nevojën, edhe për një grup të ri të kriminit ‘intelektualë’.

Angazhimin e njerëzve të besuar të strukturave për t’i shkolluar më tej pas studimeve bachelor, për t’i ndihmuar dhe siguruar tituj shkencorë në nivel master dhe pastaj doktor shkence.

Pasi kishin pushtuar të gjitha institucionet nëpërmjet rrejtit të SHIK-ut, filluan edhe ‘pushtimin akademik’, të fakulteteve, rektorateve, jo më duke e kërkuar nivelin akademik, por të besueshmërisë së rrjetit.

Nisur nga kjo logjikë e rritjes së ndikimit edhe në botën akademike, krijuan një numër të madh universitetesh publike, përveç atyre private. Çdo rajon tashmë një dekadë e ka një universitet të tillë, Prizreni, Gjilani, Mitrovica, Gjakova dhe Peja.

Më problematiku është treguar ai i Pejës, titulluar sipas heroit kombëtar “Haxhi Zeka”. Ndoshta edhe nuk është universiteti më me probleme, por gjithësesi që janë raportuar më së shumti.

Madje as nuk është diskutuar se nën ndikim të cilit subjekt është, por vetëm të përplasjes mes njerëzve të Hashim Thaçit dhe Xhavit Halitit.

Në disa raste studentët e këtij universiteti kanë protestuar, kanë shkruar shkresa, ankesa për të kërkuar vlera dhe drejtësi ndaj shkeljeve që janë bërë.

Ata nuk janë pajtuar as për punësimet me të njohshëm, ku në vend të vlerave akademik poltronët u kanë ofruar shërbëtorët e tyre për t’ju ligjëruar, përveç se me tituj të diskutueshëm edhe duke ligjëruar jashtë fushës së studimeve, psh lëndë juridike në vend të lëndëve të biznesit etj.

Rasti Millaku

Në vitin 2020 një grup studentësh të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, kanë ushtruar kallëzim penal ndaj rektorit të këtij Universiteti, Fadil Millakut.

Sipas dokumentit, që e ka siguruar redaksia e “Bota sot”, rektori ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo të autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të KPK-së, pastaj veprën e ushtrimit të ndikimit sipas nenit 424 pika 1 të KPK-së, veprën penale të “konfliktit të interesit” sipas nenit 417 pika 1 dhe veprës tjetër penale “arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme” neni 428.

Të gjitha provat e ofruara për drejtësinë si duket kanë dështuar sepse ai duket se ka pasur mundësi ndikimi në hetuesi, pasi hetimi pushoi përkundër provave të ofruara.

Sipas dokumentacionit, të dorëzuar në organet e akuzës, rektori Millaku, kishte ushtruar ndikim të palejuar duke punësuar kundërligjshëm, në kundërshtim edhe me nenin 174 të Statutit të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Ai në vitin 2016 e kishte punësuar pa merita edhe jashtë afatit ligjor vajzën e motrës së vet, Albulena Avdilin.

Në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2014, për vendin e punës “asistente në Fakultetin e Biznesit”, kishte konkurruar edhe Albulena Avdili, por kandidatura e saj ishte refuzuar bazuar në kushtet statore, mosha e palejuar, nota mesatare e pamjaftueshme, diploma joadekuate për vendin e kërkuar, të gjitha këto të argumentuara nga Komision vlerësues i Fakultetit të Biznesit në UHZ.

Por, pasi ishte zgjedhur rektori Fadil Milaku, nuk e kishte penguar asnjë barrierë ligjore që ta hidhte poshtë, jo më vetëm punën e Komisionit vlerësues, por edhe vendimin e Senatit. Kështu rreth 15 muaj pas mbylljes së konkursit dhe 7 muaj pas aprovimit të recensionit negativ nga Senati i Universitetit, rektori Millaku në kundërshtim me çdo ligj, ndikon të formohet një komision i ri vlerësues dhe ta hartojë një recension pozitiv për mbesën e vet.

Për habi kryetar i komisioni emërohet si të thuash një njeri si marrë “peng” apo i shantazhueshëm, ndaj të cilit po kryheshin hetime, ndërsa edhe UHZ edhe Universiteti i Prishtinës kishte nisur ta hetonte diplomën e tij.

Këto rrethana e kishin detyruar atë që të shkruante raport të ri vlerësimi dhe ta ‘kualifikonte” “mbesën e Rektorit”. Për habi këtë raport të ri, përveç Komisionit dhe Këshillit të Studimeve, do ta miratonte edhe Senati, i cili e kishte hedhur poshtë. / Vijon

Image
Raporti negativ vlerësues Nr. 719 i datës 23.02.2015

 

Image
Raporti i kundërligjshëm pozitiv vlerësues Nr. 3782 i datës 16.10.2015. Anëtari i dytë i komisionit vlerësues ishte emëruar nga një kushëri i afërt i rektorit Bedri Millaku dhe dajë i kandidates Albulena Avdili

 

 

 

Rektori Millaku nuk do të ndalej me aq. Në ndërkohë, në kundërshtim edhe me nenin 9 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit te Interesit ka ndikuar në punësimin e “kunatës” (“balldëskës”) së vet Shyhrete Kuka Muriqi, si asistente në Fakultetin e Agrobiznesit në UHZ. Po kësaj zonje, e afërt me gruan e Rektorit është dërguar për studime jashtë vendit, për të cilat veprime nuk ka qenë i njoftuar as Dekani e as Këshilli i këtij Fakulteti.

Millaku në vitin 2019, besohse se e ka kryer edhe veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo të autoritetit zyrtar”, pastaj veprën penale të “konfliktit të interesit” dhe veprën penale të ushtrimit të ndikimit sipas nenit 424, pika 2 të KPK-së dhe në kundërshtim flagrant edhe me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit kur ka ndikuar në punësimin e resë se vet (gruas së djalit) znj. Florjana Zogaj, në Administratën Qendrore të Universitetit, si zyrtare e lartë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës, dhe në ndërkohë ka ndikuar në punësimin edhe të D. Morina etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat