Seanca e jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë, partitë opozitare i përgjigjen ftesës së Kurtit

Aktuale

Seanca e jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë, partitë opozitare i përgjigjen ftesës së Kurtit

Nga: Bota sot Më: 14 janar 2022 Në ora: 17:32
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 19:55) - AAK merr pjesë në seancë

Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se nesër në ora 14:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ku diskutohet mbi referendumin e Serbisë në Kosovë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në këtë seancë.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka tha se do të marrin pjesë në këtë seancë.

“Po AAK do të marrë pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme”, tha Blaka.

Kujtojmë se PDK-ja përmes një konferencë për media bëri të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën e nesërme ku pritet të diskutohet mbi referendumin serb në Kosovë. Ndërsa nga LDK-ja kanë bërë të ditur se nesër do të mblidhet grupi parlamentar.

​PDK nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, Tahiri tregon arsyet

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Nënkryetari i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media, tha se kjo seancë është e panevojshme dhe se mazhoranca po tenton që t'i shmanget përgjegjësisë.

"Qëndrimi ynë tashmë është i njohur, ku mbajtja e referendumit përbën shkelje të sovranitetit dhe integritetin e vendit tonë. Do të dëshironim që qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Abelard Tahiri.

"PDK e sheh krejt të panevojshme mbajtjen e kësaj seance dhe nuk do të marrë pjesë. E konsiderojmë të panevojshme dhe përpjekje për shmangie të përgjegjësisë", ka deklaruar ai.

Kuvendi do të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme, synohet miratimi i kësaj rezolute

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme.

Njoftimi është bërë i ditur përmes një komunikate për media, ku është njoftuar se seanca me të vetmen pikë të rendit të ditës: Diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës, do të mbahet nga ora 14:00.

Njoftimi vjen pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se synon që seancën e nesërme të miratohet një rezolutë, e cila shfaq vullnetin e Kuvendit për referendumin e Serbisë në Kosovë, përcjell Bota sot.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. 

"Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00", thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kryeministria, përcjell Bota sot.

Sipas njoftimit, seanca synon nxjerrjen e një rezolute të përbashkët, ku shprehet vullneti politik i Kuvendit për këtë temë.

"Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar", thuhet më tej në njoftim.

Image
Kërkesa e Kurtit për Kuvendin
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat