Trego Nasim Haradinaj se si u vra Agim Ramadani?! / Trego sa miliona ia vjelët dhe vodhët Kosovës!

Aktuale

Trego Nasim Haradinaj se si u vra Agim Ramadani?! / Trego sa miliona ia vjelët dhe vodhët Kosovës!

Nga: Idriz Morina Më: 14 janar 2022 Në ora: 18:11
Nasim Haradinaj në Hagë

Nasim Haradinaj po paraqitet si rrallë ndonjë me tone të ashpra në Gjykatën speciale. Ai nuk po lë akuzë pa u bërë prokurorëve të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në njërën anë njerëzve mbështetës të tij, dhe të atyre që vërtetë besojnë se Hashim Thaçi dhe anëtarët e “ndërmarrjes kriminale”, po mbahen pa fajë në Hagë.

Ai tregoi edhe momente ligështie duke qarë para kësaj gjykate.

Momentet e papëlqyeshme në Hagë bën që të hapej një debat, për kontradiktat e jetës shqiptare në Kosovë, gjatë luftës dhe pas saj. Nasim Haradinaj ishte pjesë e grupit, që dëshironte ta shtypte me çdo kusht lëvizjen e ndërtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova. Urrejtjen për të dhe ushtarakët që e mbështesnin nuk e ka fshehur.

Sa ka vrarë Nasim Haradinaj?!

Nasim Haradinaj tha se ka vrarë shumë serbë. Ndoshta edhe e ka vrarë ndonjë, por që ka vrarë shumë, nuk është aspak e vërtetë, bazuar në rrëfimet e atyre që e kanë pasur shokë lufte.

Por, nëse ka vrarë aq shumë serb, a mund të na thotë Nasim Haradinaj, a e nxore hakun e heroit Agim Ramadani, që u vra në luftimet më të ashpra, pas thyerjes së kufirit?

Nasim, ti që luftove aq shumë, siç thua, pse lejove të vritej Agim Ramadani, a nuk ishte ai truri i fitores së betejës së Koshares?

Pse ti si ushtarë, kaq luftarak, e la vetë komandantin Salih Çekun, po ashtu të vritej në front!?

A nuk duhej njerëzit si ti, që pasni vra pa hesap serb, të ndodheshit në vijën e parë të frontit?

Pse u ndodhe ti dhe luftëtarët kaq zemërluanë si ti, në prapavijë të komandantëve kryesorë të luftës?

Pse po e bën këtë luftë kaq të ashpër ndaj gjykatës speciale, nëse ti dhe ‘shokët’ tuaj janë të pafajshëm.

A keni parë ju që ndonjë i pafajshëm të dënohet nga gjykatat ndërkombëtare, si Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi dhe Tribunale të tjera?

Përkundrazi, pikërisht këto tribunale janë të buta dhe tejet të mëshirshme ndaj të akuzuarve për krime kundërnjerëzimit. Të gjithë ishim të pakënaqur me dënimet ndaj kriminelëve serb!

A nuk shpëtoi Millosheviçi pa u dënuar sepse Tribunali e zgjati shumë procesin? A nuk u lirua edhe njëri prej figurave më kriminale të serbëve, që ka udhëhequr në mënyrën më radikale pas Millosheviçit Serbinë drejt gjenocideve, Shesheli?

Nasim nëse t’i je i pafajshëm nuk ke pse ankohesh aq shumë sepse t’i nuk po akuzohesh për vrasje, veçse që deshe ta akuzosh vetveten para kësaj gjykate, se ‘ke vrarë shumë serbë’!

Ti po akuzohesh për disa dosje, që përveç se i morët në mënyrë të dyshimtë, burimi është edhe më i dyshimtë.

Ju keni marrë dosje të përpunuara nga gjykata speciale, kur kjo ende nuk ishte konstituuar, pra dosje që besohet se janë para vitit 2016, apo më saktë të viteve 2014-2015.

Por, më keq akoma, a nuk ka dyshime dhe informacione, se pikërisht këto dosje erdhën nga Serbia!

Pse mbasi je aq trim dhe patriot nuk po ju tregon shqiptarëve, se cili është burimi i tyre!

A nuk kanë lidhje këto dosje me rrjetin e bashkëpunimit, për të cilin fliste Kadri Veseli, kur lëvdohej se ai me njerëzit e tij ia kishte dalur të merrte “me thasë” dosje nga Beogradi.

Bëhu burrë Nasim, mos qaj!

Nasim trego, sepse patriotizmi nuk është vetëm ligjërim fjalësh, sikur e ke kuptuar t’i me ‘shokët’ tuaj. Të njëjtin ligjërim na mbanin Thaçi dhe Veseli, por jemi dëshmitarë, përveç të vrasjeve dhe tentimvrasjeve, kërcënimeve me jetë etj., jemi dëshmitarë edhe të demarkacionit antikombëtar me Malin e Zi, me Maqedoninë; jemi dëshmitar të kryengjarjes së tradhtisë, kur ‘shokët’ tuaj të idealit, për pak sa nuk e ndanë Kosovën për interesa të Serbisë, dhe të shpëtimit të vetes së tyre!

Nasim a e din ti, se njerëzit qoftë duke i besuar këtij ‘ligjërimi tuaj (dhe të shokëve), patriotik’, qoftë duke u lodhur prej tij, Kosova ka rreth një milion banorë më pak, se sa që duhej të kishte, më shumë se 22 vjet pas luftës!

Sepse ju ligjëronit diçka tjetër dhe vepronit krejtësisht ndryshe: përveç që vratë shqiptarë atdhetarë, nga burrat më të mirë e më të mëdhenj të kombit, shënjestruat edhe qindra të tjerë, dhe dora juaj, nuk dinte të ndalej!

Ti si ‘komisar’ për çështje ideo-politike në UÇK, a do të tregosh ndonjëherë se kush dhe pse ua mbolli këtë hasmëri ndaj atdhetarëve dhe shtetit të Kosovës, ‘Shtetit paralel”, që edhe 22 vjet pas luftës, ende nuk është sovran në kuptimin e mirëfilltë të fjalës!

A e dini se sa e keni vjelur dhe vjedhur këtë shtet!?

Kur do të do të flasësh për këto, miliardat, për vilat e banesat anembanë Kosovës dhe anë e mbanë botës, të atyre që t’i me aq përkushtim po i mbron!

Nasim, Heroi dhe luftëtari i vërtetë nuk e mbron atë, që ia ka vjedhur edhe shpresën atdheut!

Nasim e ke shansin të bëhesh patriot me të vërtetë, por ju duke qajtur dhe duke i sharë prokurorët dhe drejtësinë në Hagë, të cilët janë shumëherë më të butë se sa që do të mund të tregoheshin vetë prokurorët shqiptarë!

Por, Nasim, shqiptarët dhe familja Ramadani duan më shumë nga ti, të tregosh si u vra Agim Ramadani?!

Po ti që vraje serbë nga të katër anët, a aq i pazoti ishe, sa trupin e Agim Ramadanit ta lije dy ditë, a nuk do të kishin mundur forcat serbe ta gjymtonin, në shenjë hakmarrje për humbjen e tmerrshme në Koshare!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat