LDK në Vushtrri mblidhet për të përjashtuar nga partia tre asambleistë që kaluan në PDK pas zgjedhjeve

Aktuale

LDK në Vushtrri mblidhet për të përjashtuar nga partia tre asambleistë që kaluan në PDK pas zgjedhjeve

Më: 14 janar 2022 Në ora: 20:34
LDK

Tre asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku pritet që sonte të përjashtohen nga partia.

Kjo pasi të tre, kanë dalë kundër degës së LDK-së në Vushtrri dhe kanë bashkëpunuar me PDK-në për ta zgjedhur kryesuesin e Asamblesë pas zgjedhjeve lokale.

Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri është në takim nga ora 19:00, ku edhe pritet vendimi për përjashtimin e tre asamblistëve Përçuku, Bajrami dhe Duraku.

Agron Përçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, kanë pranuar të marrin pjesë në votimin e kandidates së PDK-së për kryesuse të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, duke dalë kundër vendimit të degës së LDK-së në Vushtrri.

Mospjesëmarrja e tyre, do të pamundësonte që PDK përveç kryetarit, post të cilin e fitoi në balotazhin e 14 nëntorit, të ketë edhe kryesuesin e Asamblesë Komunale.

PDK do të ketë dy postet kryesore udhëheqëse në komunën e Vushtrrisë, me kryetar Ferit Idrizin, dhe kryesuese e Kuvendit Komunal, Melihate Basholli – Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat