Krasniqi: Kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit!

Aktuale

Krasniqi: Kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit!

Më: 15 janar 2022 Në ora: 14:01
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se kryeministri Kurti po frikësohet andaj po dëshiron që ta zhvendosë përgjegjësinë nga qeveria tek Kuvendi lidhur me moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Kreu i PDK-së ka shkruar se nëse qëllimi i Kurtit është për ta gjuajtur përgjegjësinë nga qeveria te Kuvendi atëherë ai po frikësohet.

“Andaj, çfarë arsye ka që të mbledhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi.Nëse ky është qëllimi, atëherë Kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme? Referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar. Por, Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo Rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obligative as për Qeverinë”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka shkruar se PDK dhe partitë tjera opozitare kanë shprehur qëndrimet që janë në linjë me qeverinë sa i përket kësaj çështje andaj s’ka arsye që Kuvendit të mblidhet për këtë temë.

“Kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit! Qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë. Partia Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera opozitare i kanë shprehur qëndrimet e tyre që janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë.”, ka shkruar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat