Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për ta forcuar ushtrinë, me synimin që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e NATO-s, përkrah aleatëve dhe partnerëve. Ajo foli sot në ceremoninë qendrore për Ditën e Forcës, e mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku u prezantuan kapacitetet dhe armatimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Haxhiu tha se është krenari që ushtria po fuqizohet vazhdimisht me armatim. Kur sheh vajzat dhe djemtë me uniformën e FSK-së, tha ajo, mendja i shkon te ata që shërbyen me devotshmëri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe që fatkeqësisht nuk mund ta shohin sot sa e fortë është ushtria. Ajo e përmendi edhe praninë e fëmijëve në ceremoni, duke thënë se ndoshta shumë prej tyre në të ardhmen do të shërbejnë në ushtrinë e Republikës së Kosovës.
Haxhiu e përshëndeti 27 Nëntorin, Ditën e Forcës, si dhe 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit, dhe shprehu nderim e respekt për të gjithë ata që dhanë jetën për të qenë sot shtet i pavarur e i lirë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se FSK-ja e ka tashmë numrin e nevojshëm që ishte paraparë të rekrutohej deri në vitin 2028. Presidentja Justina Shiroka-Pula, në mesazhin e saj për Ditën e Forcës, ka thënë se institucionet do të vazhdojnë ta ndërtojnë një ushtri moderne dhe profesionale.
Me rastin e Ditës së Forcës, FSK-ja i hapi kazermat për qytetarët nga ora 10:00 deri në 13:30, në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Istog, Mitrovicë, Pomozotin, Prishtinë dhe Prizren, që vizitorët të shohin nga afër pajisjet, kapacitetet ushtarake dhe personelin.
Dita e Forcës shënohet çdo vit më 27 nëntor, një ditë para Ditës së Flamurit.