Kuvendi i Kosovës më herët miratoi rezolutën kundër mbajtjes së referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
76 deputetë votuan pro kësaj rezolute, asnjë nuk ishte kundër dhe vetëm një abstenoi.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka mirëpritur konsensusin mes grupeve parlamentare dhe miratimin e kësaj rezolute kundër mbajtjes së referendumit serb në Kosovë.
“Do të vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët tanë në fuqizimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës ndaj veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të Serbisë”, shkruan ajo.
Postimi në Facebook:
Mirëpres konsensusin mes grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët tanë në fuqizimin e sovranitetit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës ndaj veprimeve destabilizuese dhe të njëanshme të Serbisë.