“Jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesës”/ Anton Quni tregon se çfarë pret nga Gjykata Speciale

Aktuale

“Jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesës”/ Anton Quni tregon se çfarë pret nga Gjykata Speciale

Nga: P.R Më: 17 janar 2022 Në ora: 21:06
Nënkryetari i LDK-së, deputeti Anton Quni

Ish presidenti e Kosovës, Hashim Thaçi, ish kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ish shefi i GP të VV-së, Rexhep Selimi dhe ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi, nga nëntori i vitit 2020 po vazhdojnë të qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku ndër tjerash Gjykata Speciale i akuzon edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të ish presidentit, Ibrahim Rugova.

E në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, nënkryetari i LDK-së, deputeti Anton Quni, ndër tjerash ka folur edhe për zhvillimet në Gjykatën Speciale.

“Besoj se Gjykata Speciale do të arrijë të përcaktoj përgjegjësinë (fajësinë apo pafajësinë) individuale të çdo të akuzuari, kurse lufta e drejtë e UÇK-së të ruhet e panjollosur. Është me rëndësi që gjykimi të jetë profesional dhe i pandikueshem nga politikat ditore, provat e fabrikuara, propagandat e ndryshme, etj”, ka thënë Quni.

Por Quni në intervistën dhënë për “Bota sot” nuk është shprehur shumë optimistë për zbulimin e vrasjeve politike nga Gjykata Speciale.

“Disa nga vrasjet e supozuara me motive politike kanë ndodhur jashtë periudhës për të cilën është autorizuar Gjykata Speciale. Prandaj të mos shpresojmë se çdo vrasje enigmatike do të merr epilogun nga Gjykata Speciale. Por kjo nuk duhet të na deinkurajoj që këto vrasje të mos trajtohen nga organet e drejtësisë në Kosovë”, ka deklaruar Quni.

Por a është ftuar, dhe a është i gatshëm nënkryetari i LDK-së që t’i përgjigjet një ftese të mundshme të Gjykatës Speciale?

“Në asnjë moment, formë dhe rrethanë nuk jam kontaktuar nga Gjykata Speciale. Jam i gatshëm të i përgjigjem kurdo që është e nevojshme”, është shprehur nënkryetari i LDK-së, Anton Quni intervistën e të cilit mund ta lexoni të plotë së shpejti në gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat