Aksidentohet në Bullgari autobusi me pasagjerë nga Kosova

Aktuale

Aksidentohet në Bullgari autobusi me pasagjerë nga Kosova

Më: 18 janar 2022 Në ora: 13:21
Autobusi i aksidentuar

(E plotësuar 16:09) - Ndihmës-shoferi tregon si erdhi deri te aksidenti i autobusit me pasagjerë nga Kosova në Bullgari

Ahmed Abazi njëri nga shoferët ka rrëfyer rreth asaj se si ka ardhur deri te aksidenti i autobusit me pasagjerë nga Kosova në Bullgari.

Bëhet fjalë për një autobus që udhëtonte për në Kosovë, në të cilin kishte edhe fëmijë dhe u përplas më 18 janar, rreth orës 4.30 të mëngjesit, afër qytetit Kjustendill.

Dhe siç ka rrëfyer Abazi, në momentin e aksidentin, përveçse frynte erë, edhe terreni ishte i rrëshqitshëm.

“Kishte shumë erë dhe rruga ishte e rrëshqitshme. Autobusi rrëshqiti, pasi për shkak të dukshmërisë në rrugë nuk e ka vërejtur kamionin”, ka thënë fillimisht ai.

Në atë moment, sipas tij, derisa ka tentuar të shmangte ngricën, shoferi ka goditur kamionin.

Siç ka shtuar ai, për fat të mirë nuk ka asnjë të lënduar – përveç kolegut të tij, shoferit, të lënduar lehtë.

“Të tjerët janë të gjithë mirë dhe kanë vazhduar rrugëtimin, përveç meje që jam ndalur për të larguar autobusin nga këtu”.

Ai ka thënë se kanë qenë 32 njerëz brenda autobusit, si dhe dy shoferët.

Pamje nga vendi ku autobusi me pasagjerë nga Kosova u aksidentua në Bullgari

Një autobus që udhëtonte për në Kosovë, në të cilin kishte edhe fëmijë, u përplas më 18 janar, rreth orës 4.30 të mëngjesit, në unazën e qytetit Kjustendill në kthesën për digën “Drenov Dol”.

Për fat të mirë në këtë aksident askush nuk u lëndua rëndë, ka thënë zëdhënësja e Policisë Rajonale, Katja Tabaçka, shkruan Radio Bulgaria.

Sipas mediumit në fjalë, autobusi goditi një kamion të ndalur, ndërsa shoferi po përpiqej të sinjalizonte se një pemë kishte rënë në rrugë.

Gjatë përplasjes kamioni “doli” nga rruga.

Shoferi i autobusit u plagos lehtë dhe mori tretman mjekësor ndërsa 29 nga pasagjerët, 6 prej tyre fëmijë, u akomoduan në një dhomë komunale me ngrohje.

Qarkullimi në segmentin rrugor mbeti i bllokuar deri në largimin e mjeteve të aksidentuara ndërsa kanë filluar hetimet rreth aksidentit.

Ndërkohë janë publikuar disa pamje që tregojnë vendin e aksidentit, përkatësisht dëmin që i është shkaktuar autobusit.

***

29 pasagjerë nga Kosova, gjashtë prej të cilëve fëmijë janë strehuar në Bullgari pasi autobusi me të cilin po udhëtonin mëngjesin e sotëm u aksidentua në qytetin e Kyustendilit, raporton mediumi Struma.

Siç raporton mediumi bullgar, aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:30, kur autobusi me pasagjerë nga Kosova e ka goditur një kamion të ndaluar që transportonte dru.

Drejtuesi i kamionit raportohet se po përpiqej t’u tregonte të tjerëve në trafik se një pemë kishte rënë në rrugë. Autobusi e goditi kamionin dhe ai doli nga rruga.

Shoferi i autobusit ka pësuar lëndime të lehta dhe është dërguar në Qendrën Mjekësore Qendrore në Kyustendil për ekzaminime dhe ndihmë.

Vendi i ngjarjes është ekzaminuar nga Policia, ndërkohë që për aksidentin ka nisur procedimi paraprak dhe është njoftuar prokurori kujdestar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat