E çuditshme/ Rasti “Pronto” përfundon pa asnjë të dënuar, Supremja liron nga akuza edhe personin e fundit

Aktuale

E çuditshme/ Rasti “Pronto” përfundon pa asnjë të dënuar, Supremja liron nga akuza edhe personin e fundit

Më: 20 janar 2022 Në ora: 14:24
Foto ilustrim

Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ilhami Gashi, që akuzohej në rastin e njohur si “Pronto”

Gashi ishte liruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit e kishte dënuar atë me një vit e katër muaj burgim me kusht, e që deri para këtij vendimi ishte i vetmi nga 11 të akuzuarit e këtij rasti me një aktgjykim dënues.

Ndaj këtij vendimi, mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollqaku kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila gjykatë me vendimin e 22 nëntorit 2021, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ka aprovuar këtë kërkesë të mbrojtësit dhe ka vendosur që përfundimisht Gashi të lirohet nga akuza për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të Shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 janar të vitit 2020 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”. Mirëpo Gjykata e Apelit, më 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Adem Grabovcit Apeli i kishte shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohej në rast se ai nuk kryente vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i ishte hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i ishte shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa, Sedat Gashi ishte dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i njëjti nuk kryente vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i ishte hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse për të tjerët, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin, Nijazi Kryeziun, Arbenita Pajazitin, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fatmir Shurdhajn, Ismet Nezirajn, Xhavit Dakajn dhe Rexhë Abazin, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj këtij vendimi palët kishin bërë ankesë në Gjykatën Supreme, e cila më 29 shtator 2020 kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të 30 qershorit 2020.

Mirëpo, pasi palët kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kjo gjykatë në prill të vitit 2021 e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të 30 qershorit 2020 dhe atë të Gjykatës Supreme, të 29 shtatorit 2020, për pjesën dënuese në rastin “Pronto”, me ç`rast i ka anuluar dënimet e shqiptuara ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe për Ilhami Gashin dhe Sadat Gashin dhe e kishte kthyer rastin në rivendosje.

Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2021 kishte njoftuar se ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë vetëm sa i përket të Ilhami Gashit, ndërsa sa i Grabovcit dhe Sadat Gashit, kjo gjykatë pati njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së dhe kishte vendosur që edhe ata dy të shpallen të pafajshëm. /BetimipërDrejtësi

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat