Kurti dhe Rizvanolli flasin me mërgimtarët ekspertë të energjisë për krizën me energji

Aktuale

Kurti dhe Rizvanolli flasin me mërgimtarët ekspertë të energjisë për krizën me energji

Më: 21 janar 2022 Në ora: 21:50
Albin Kurti dhe Artane Rizvanolli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë mbajtur takim virtual me një grup studiuesish nga mërgata, të punësuar si hulumtues dhe profesorë në universitete e kompani evropiane në fushën e energjisë.

Alban Kuriqi nga Universiteti i Lisbonës në Portugali, me ekspertizë në energjinë e ripërtërishme; Fitim Kryeziu nga “Energinet”, operatori kombëtar në Danimarkë për transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit natyror; Erald Pjetri nga Qendra Kërkimore ABB në Poloni; Kristian Sevdari, kandidat për doktoraturë në Universitetin Teknik të Danimarkës dhe Adhurim Haxhi Musa nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Grizons në Zvicër.

Kryeministria thotë se fushat e ekspertizës së tyre përbëjnë fusha të ndryshme përbrenda sektorit të energjisë. Nga ajo mbi politikat e energjisë, zhvillimin e qëndrueshëm, alternativat për maksimizimin e sistemit të energjisë, integrimin dhe menaxhimin e saj e deri te fusha mbi modelimin e sistemeve të përshtatshme.

“Ky bashkëbisedim ka ardhur si rrjedhojë e gjendjes së vështirë energjetike në vend. Përgjatë tij u diskutua për situatën aktuale të energjisë dhe për Strategjinë për Energji 2022-2030 që do të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të energjisë. Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli i falënderuan për shprehjen e gatishmërisë që të ndihmojnë dhe kontribuojnë me ekspertizën e tyre të vlefshme në tejkalimin e sfidave dhe drejt vizionit të vendit për fushën e energjisë”, thuhet në kumtesë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat