Hoti reagon ndaj kundërshtuesve të masave: Si do të ndjehen nëse nesër s’ka vend në spitale për familjarët e tyre?

Aktuale

Hoti reagon ndaj kundërshtuesve të masave: Si do të ndjehen nëse nesër s’ka vend në spitale për familjarët e tyre?

Më: 22 janar 2022 Në ora: 00:03
Faik Hoti

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se institucionet janë obliguar që të ndërmarrin masa për të ulur vrullin e përhapjes së Omicron.

Ai tha se masat u ndërmorën, duke mos dëmtuar shumë sferat e tjera meqë orari i veprimtarisë veç u shkurtua, por s’u mbyllën.

Për reagimet kundër masave, Hoti tha se janë të pritshme sa herë që ndërmerren ato, por se ata që reagojnë duhet ta kenë ndërmend edhe diçka.

“Duhet ta kemi parasysh faktin që secili që sot bën reagim kundër masave, si do të ndjehen nesër kur një familjar i tij infektohet dhe ai nuk do të kishte vend në spital për t’u trajtuar? Megjithë balancës që vendoset midis aspektit shëndetësor dhe aspekteve të tjera gjithmonë në situata të emergjencave shëndetësore, shëndeti është i pari”.

“Sa herë që janë marrë masa kundër COVID-19 ka pasur reagime që janë të pritshme, sepse nuk u përgjigjen të gjithëve, por ato kanë një rol primar që u përgjigjen të gjithëve në një kuptim tjetër, atë të ruajtjes së shëndetit publik”.

Hoti në Edicionin Special tha se u pa një rritje e shpejtë e variantit Omicron dhe kjo detyrimisht e ka obliguar qeverinë e vendit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe trupat e tjerë që të ndërmarrin masa që kanë për qëllim, “jo për të parandaluar përhapjen e shpejtë të virusit, sepse tashmë kjo është evidente, por për ta frenuar rrugëtimin e tij të mëtejmë dhe për të mundësuar që punonjësit shëndetësorë dhe infrastruktura të jetë në gjendje që të pranojë numër të pacientëve që situata të jetë e menaxhuar”.

“U bë një balancë me nevojën për të ruajtur shëndetin e popullatës, por në ndërkohë për të mos ndërprerë në tërësi aktivitetet e tjera, qofshin ato të rrafshit ekonomik, social, kulturor e të tjera. Janë masa që primare kanë shëndetin, por nuk i kufizojnë në tërësi veprimtaritë e tjera, por i shkurtojnë oraret për të frenuar përhapjen e ritmit të virusit që ka aktualisht”.

Ndërkaq, për të vaksinuarit që po përballen me masa shtrënguese njëjtë sikur ata që s’kanë vaksina, Hoti tha se masat e tilla i bëjnë ekspertët.

“Është fakt shkencor që personi i vaksinuar s’do të thotë që apriori s’mund të infektohet dhe vendosjes e masave, qoftë edhe këto për lëvizjen, i bëjnë ekspertët. Ne kemi të bëjmë me një problem që është kryekëput i natyrës shëndetësore dhe tash megjithë reagimet që mund të kenë të tjerët, tash duhet të kemi mirëkuptim për ata ekspertë që i kemi dhe ato masa që janë ndërmarrë, sepse s’mund të presim nga ekspertë të huaj që të vijnë të na tregojnë se çfarë masa duhet me marrë”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat