Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet, ia kemi borxh historisë sonë

Aktuale

Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet, ia kemi borxh historisë sonë

Më: 22 janar 2022 Në ora: 14:24
Armend Mehaj

Në 24-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për të përkujtuar dhe nderuar rezistencën e tyre.

Mehaj thotë se kjo ngjarje ishte dëshmia më e fuqishme se tani më, me regjimin okupues fashist e kriminal të Serbisë e vetmja zgjidhje ishte rezistenca e armatosur dhe lufta deri në fund për çlirim.

“Sot së bashku me kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorët tjerë, ministra e deputetë, bëmë vizitë dhe homazhe para varreve të Jasharajve Legjendar, në Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë. Atë ditë Komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, e sulmit tinzar në orët e hershme të mëngjesit, i ishin përgjigjur me zjarr Baca Shaban e Hamza bashkë me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen. Kjo ngjarje ishte dëshmia më e fuqishme se tani më, me regjimin okupues fashist e kriminal të Serbisë, e vetmja zgjidhje ishte rezistenca e armatosur dhe lufta deri në fund për çlirim definitiv”, ka shkruar Mehaj.

Ai madje thotë se restaurimi i Kullave të Jasharajve do të jetë projekti nacional në top-prioritetet meqë siç tha ai këtë ia kanë borxh jo vetëm familjes Jashari por edhe historisë së lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit.

“Restaurimi i Kullave të Jasharajve, që bartin peshën më të madhe të ndërgjegjes sonë kombëtare, do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet, sepse këtë ia kemi borxh, jo Familjes Jashari sepse atë dhanë gjithçka për Lirinë tonë, por ia kemi borxh historisë sonë të lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit. Të lavdishëm gjithmonë Jasharajt Legjendar”, ka shkruar ministri Mehaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat