Blerina Kllokoqi-Rugova liston gjashtë fakte të presidentit historik

Aktuale

Blerina Kllokoqi-Rugova liston gjashtë fakte të presidentit historik

Më: 22 janar 2022 Në ora: 23:15
Ibrahim Rugova

Stilistja e njohur vendore, Blerina Kllokoqi-Rugova, përveç punës së saj në fushën e modës, njihet edhe si nusja e madhe e familjes së presidentit historik, tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Ajo është bashkëshortja e djalit të saj të madh Mendimit, por për fat të keq, Kllokoqi-Rugova nuk ka pasur kurrë rastin që ta takojë vjehrrin e saj.

Blerina dhe Mendimi u martuan në vitin 2007, por pavarësisht faktit se nuk e njohu kurrë fizikisht, nusja e familjes Rugova duket se u rrit nën frymën rugoviane brenda shtëpisë së familjes Rugova, duke mësuar gjithmonë e më tepër detaje mbi jetën dhe karrierën e tij.

Ajo madje në dhjetor të vitit 2021, kishte rrëfyer se inspirimin për veshjet dhe koleksionet që dizajnon, e ka gjetur te gurët e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, pasi ka plot të tillë në atë që quhet “rezidencë presidenciale’, ku edhe aktualisht anëtarët e tjerë të familjes Rugova jetojnë.

Blerina, e cila është e ndjekur nga një numër konsiderueshëm njerëzish në rrjetet sociale, ka rivënë së fundmi në dukje disa detaje dhe vese të vjehrrit të saj të ndjerë, të cilat i kishte publikuar edhe një vit më parë.

Këto postime të saj vijnë në nderim të 16-vjetorit të vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova, që u shënua të premten.

Këto janë gjashtë fakte që lidhen me presidentin Rugova, të cilat mund të kenë qenë të pa ditura për shumëkënd:

“Presidenti Ibrahim Rugova ishte i varfër, por student i shkëlqyeshëm dhe bursist i merituar në Universitetin e Prishtinës. Këtë e siguroi jo nga simpatia e shtetit jugosllav të asaj kohe, por nga nota e lartë mesatare e studimeve. Më pastaj bursa e mirë e ndihmoi atë t’i vazhdojë studimet e veta deri në doktoraturë, duke e pasur parasysh se ishte i varfër dhe pa njërin prind, dhe se nuk mund t’i përballonte shpenzimet e studimeve. Rugova të gjithë shkollimin e kishte kryer me bursë duke mos shpenzuar nga buxheti i tij i varfër personal”.

“Student i shkëlqyer. Atëbotë Rugova e ka kryer Fakultetin Filozofik në afat rekord për tri vjet, në vend se katër, sa zgjatnin studimet normalisht, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, që tashmë është pjesë e Fakultetit Filologjik”.

“Gjithmonë mbante nënën me vete. Rugova në momentin e parë që krijoi mundësitë financiare dhe fitoi bursën…u kujdes që nënën e vet ta marrë në Prishtinë, që ishte e veçantë dhe e rrallë në atë kohë për një student në Kosovë. Ai mori me qira një banesë, në lagjen Lakrishte në Prishtinë ku jetoi me nënën e vet përgjithmonë, edhe pasi u martua, deri sa ajo ndërroi jetë”.

“‘Presidenti Legjendar’ i pinte mesatarisht ‘shtatë expresso dopio’ në ditë. Dhe këtë e bënte në ëmbëltoren e famshme “Elita” që gjendet ende në qendrën tregtare që atë kohë quhej “Boro Ramizi” në Prishtinë. Tavolina e tij, ende mbetet e njëjta në lokal ku ruhen legjenda të tilla për të”.

“Rugova i pinte deri në katër pako duhan në ditë. Këtë duke e përcjellur kafen që shumë e preferonte, pastaj vazhdonte edhe me bisedat e gjata me miqtë e tij. Pinte lloje të ndryshme të duhanit gjatë studimeve dhe karrierës së tij. Por, marka e tij e preferuar e duhanit ishte ‘Dunhill’, që prodhohej atë kohë në Fabrikën e Duhanit në Gjilan”.

“Ibrahim Rugovësë nuk i pëlqente uiski, ashtu siç është krijuar miti për të. Pija e tij e preferuar ishte vera e kuqe, të cilën e pinte me ritëm të ngadaltë dhe vazhdimisht. Pinte edhe uiski ndonjëherë, por kur i përket preferencës së tij personale, e para në listë për të ishte vera”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat