Emërohet Bordi i Drejtorëve të Postës, Kurti: Presim që këta kandidatë ta bëjnë ndërmarrje të suksesshëm

Aktuale

Emërohet Bordi i Drejtorëve të Postës, Kurti: Presim që këta kandidatë ta bëjnë ndërmarrje të suksesshëm

Më: 26 janar 2022 Në ora: 11:37
Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka emëruar Bordin e Drejtorëve të Postës. Kryesues i bordit është zgjedhur Fadil Bejta, ndërsa anëtarë të bordit janë zgjedhur Safije Beseni, Hyrmete Medyti, Sebahate Krasniqi, Visar Nura dhe Gëzim Paci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me emërimin e bordit në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se kjo përbërje është e plotë sikur nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, meqë janë tre gra dhe tre burra.

Pas prezantimit të emrave të bordit, Kurti u shpreh nga ky bord presin që të rrisin performancën dhe ndërmarrjen ta bëjnë më të suksesshëm.

Mandati i të emëruarve zgjat tre vjet.

Ndërsa në konkurs për këto pozita kishin kandiduar 90 persona, ndërsa në listë të ngushtë kanë kaluar 39 kandidatë.

“Marrë parasysh rëndësinë e funksionalizimit të plotë të bordit të Postës, propozoj të emërohen për drejtor në bordin e ndërmarrjes publike qendrore Posta e Kosovës, këta kandidat. Fadil Bejta Kryesues, Safije Beseni anëtare, Hyremet Medyti, Sebahate Krasniqi anëtarë Visar Nura dhe Gëzim Paci. Besojmë që kjo përbërje është e plotë si nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, pra kemi tre gra dhe tre burra. Presim që këta kandidatë për anëtar të bordit të rrisin performancën e bordit dhe ta bëjnë ndërmarrje të suksesshëm. Mandati i të emëruarve zgjatë tre vjet”, tha Kurti.

Po ashtu Qeveria e Kosovës në këtë mbledhje ka miratuar dy Projektligje që thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Ekzekutivi i dha dritën e gjelbër marrëveshjes për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes-daljes së mallrave.

Përmes kësaj u tha se do vendoset dogana edhe në portin e Durrësit dhe Porto-Romano.

Qeveria, po ashtu miratoi marrëveshjen me Shqipërinë për sigurime shoqërore mes dy vendeve.

E njëjta pritet t’i mundësojë qytetarëve në dy shtetet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për sigurime pensionale.

Krahas këtyre, Qeveria miratoi edhe planin strategjik dhe operacional të Qeverisë 2022-2025. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat