A do të hetohen Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi për ‘zhdukjen’ e pesë milionë eurove pa gjurmë!?

Aktuale

A do të hetohen Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi për ‘zhdukjen’ e pesë milionë eurove pa gjurmë!?

Nga: Idriz Morina Më: 26 janar 2022 Në ora: 16:32
Foto ilustruese: Bujar Bukoshi e Isa Mustafa, gjatë një aktiviteti dikur

Gjatë kërkimit për informacione rreth shitjes së “Dardania Bankës”, e themeluar në vitin 1993 në Tiranë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, rezulton se në kundërshtim me procesverbalin e mbajtur në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme, “Dardania banka” ishte në pronësi të 100% të “Fond der Republik Kosova Gjermani”.

Kjo kuptohet vetëm nga komunikata e lëshuar nga Banka Qendrore e Shqipërisë, e cila ishte e detyruar të jepte emra të saktë biznesesh dhe shifra të sakta.

“Në Bankën e Shqipërisë, në datën 14.03.2005 është paraqitur nga Banka Dardania kërkesa për miratimin nga Banka e Shqipërisë e transferimit të 100 për qind të aksioneve të saj nga Fond der Republik Kosova Gjermani tek konsorciumi i përbërë nga z. Francesco Mariano Mariano dhe Banka Popullore Pulieze (Banca Popolare Pugliese). Kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës në mbështetje të rregullores "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Shqipërisë, të datës 19 prill 2005.

A ishte pronar i “Dardania bankës” “Fond der Republik Kosova Gjermani”?

Por, në Procesverbal nuk përmendet askund ekzistenca e këtij fondi me emërtimin zyrtar, të pronarit apo edhe të shitësit “Fond der Republik Kosova Gjermani”.

Përkundrazi sipas procesverbalit, për mbledhjen e 5 janarit 2005, përmendet në Gjermani si fond me emrin “Fondi i Gjermanisë”. E dhëna tjetër serioze është se tekstualisht thuhet se ky fond i përbënte 85 % të aksioneve të “Dardania Bankës”.

Që sipas tekstit të procesverbalit rezulton se 15% të fondit duhej ta kishin në dispozicion ose të ishin aksionare fondet: i Zvicrës, i Italisë, i Luxemburgut, i Danimarkës, i Suedisë dhe i Finlandës. Pra, në procesverbal figurojnë vetëm shtatë fonde, që të gjitha së bashku nuk përbënin as 1/6 (një të gjashtën e shumës së përgjithshme).

“Themelimi i "Dardania bankës" është bërë në vitin 1993, domethënë 1 vit pas themelimit të Fondit të Republikës së Kosovës në Gjermani, maj 1992, kur edhe filloi zbatimi i grumbullimit të mjeteve materiale të 3%-indshit”, shkruan Xhafer Leci veprimtari LDK-së në Gjermani nga themelimi dhe publicist. Sipas Xhafer Lecit 3%-shi ka qenë iniciativë - projekt i vendimit të kryeministrit Jusuf Zejnullahu.

Por, sipas ish-drejtorit të “Dardania Bankës, para luftës, në shitje nuk ka pasur rol Banka Qendrore e Shqipërisë.

“Banka e Shqipërisë në shitje nuk ka pasur rol, shitja është kompetencë e pronarit. Unë paraprakisht, para dorëzimit të ofertës e kam takuar personalisht Ardian Fullanin, guvernator dhe më shprehu kënaqësinë e tij që Kasabanka si bankë kosovare ta blejë “Bankën Dardania””, thotë Milazim Abazi, ish-drejtor në Dardania Bankë.

Sipas Abazit deri me 11 mars 1997, Qeveria e Kosovës në atë bankë i ka pasur në formë depozite të 3% rreth 1 milion marka.

Nga ajo kohë, thotë Abazi se nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi me ta prej 11 mars 1997. “Kontaktin tjetër të vetëm e kam pas kur e kemi dorëzuar ofertën në nëntor të vitit 2004”, thotë Abazi.

Pse nuk fitoi Kasabanka, e cila kishte konkurruar me çmim më të lartë

Dardania Banka i është shitur për 5 milionë euro në vitin 2005 një konzorciumi italian, të cilët kishin aplikuar për 5 milionë e 57 mijë euro.

Një çmim më të lart, për afër 100 mijë euro e kishte ofruar Kasabanka.

“Ne kemi qenë si Kasabank një nga tre konkurrentët dhe atë me ofertën më të lartë: 5.150.000 euro”, thotë Abazi.

Por, sipas procesverbalit pesë faqesh të mbledhjes së Asamblesë së jashtëzakonshme, të mbajtur me 5 janar 2005, oferta më e lartë ishte ajo e Banka Popullore Pulieze, me 5 milionë e 57 mijë euro, kështu kishte vlerësuar kompania “[email protected] së bashku me Këshillin Drejtues të “Dardania bankës”, që i kishin vlerësuar ofertat.

“Me datën 11 dhjetor është hapur çmimi i ofruar nga blerësi (Francesco Marjano Marjanoi dhe Banka Poppullare Pulieze), në prezencë të z.Pjetër Coli, Rushe Gojani (anëtare e Komisionit), Beqir Mezelxhiu drejtor i Bankës, Anton Lezhja përfaqësues i [email protected], Riza Rexhepi këshilltar i drejtorit të Bankës dhe Abedin Bytyçi këshilltar i drejtorit të bankës për informatikë. Është konstatuar se blerësi ka ofruar 5.057.000 euro me kursin e datës 30 shtator (1 euro+1.27$)".

Sipas këtij procesverbali del se vetëm italianët kishin konkurruar sipas afatit për tenderim.

Por, Milazim Abazi i pyetur nga gazeta “Bota sot”, thotë se për sa i kujtohet ata nuk ishin refuzuar për shkak të vonesës, dhe nuk ua kishte thënë askush këtë.

“Për afat, tani nuk mund të them se a ka qenë me afat apo jo. Unë para se me dorëzuar ofertën kam folur me Isa Mustafen. E kam pyet a ka afat? E ai mu ka përgjigjur: po ka afat. Nëse ai më ka mashtruar është diçka tjetër. Mirëpo, me qenë jashtë afatit nuk na kishin lënë rezervë, por na kishin s’kualifikuar”, thotë Abazi.

Këtë që e thotë Abazi konfirmohet dhe në procesverbal, ku është e qartë se dy ofertat tjera u lanë rezervë, në rast se dshton blerësi i parë.

“Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme, është e pajtimit ta pranojë ofertën e z. A. Dulaku dhe Kasabankës, si ofertë rezervë, e cila do t’i dorëzohet Bankës së Shqipërisë, në rast se tërhiqet konzorciumi i palës italiane apo në qoftë se ky konsorcium nuk i plotëson kushtet e parapara për aksionar para Bankës së Shqipërisë, me kusht që një procedurë të tillë ta pranojë Banka e Shqipërisë”, thuhet në faqen 4 dhe në vazhdim të saj në faqen 5 të procesverbalit në fjalë.

Pra, siç rezulton nga të dhënat, gjatë shitjes, duket se kanë ndodhur dy tendenca mashtrimi të qëllimshëm.

Kasabanka është shpallur e vonuar, sikurse edhe ofertuesi tjetër. 2. Njëkohësisht është shpallur si oferta më e mirë, konzorciumi italian.

Për të vërtetuar këto dy shkelje, vjen në ndihmë procesverbali, sipas të cilit, në rast se kompania fituese nuk i plotëson kushtet e blerjes, atëherë lihet mundësia, që “Dardania Banka” të blihet nga konkurrentët tjerë.

Sipas Gani Hoxhës, në një bisedë për “Bota sot”, i cili e përfaqësonte Fondin e Zvicrës, paratë prej 5 milionë eurosh duhet të derdheshin në Fondin e UFORK-ut, por kjo nuk ka ndodhur kurrë.

Edhe sipas Abazit, sa i përket 5 milionë eurove të shitjes së “Dardania Bankës”, si duket i kanë keqpërdorur të gjitha. “Por, krahasuar me keqpërdorimin e fondit të 3% që mund të ketë arritur shumën prej mbi 1 miliard në total, ajo nuk çon shumë peshë”, thotë ai.

Sa ishte fondi total i 3%, i Qeverisë së Republikës

Një debat tjetër është se sa ishte shuma që mund ta ketë arritur Fondi i 3%, që nga themelimi i tij.

Dyshimet më të mëdha janë se ky fond mund të ketë shkuar drejt një miliard markave, siç thonë disa në shkrime dhe biseda.

Por, Gani Hoxha është i bindur se Fondi i 3%, gjatë gjithë ekzistencës së vet nuk ka pasur më shumë se 300 milionë marka. “Është e sigurt sepse diaspora ishte shumë e varfër dhe shumica nuk kanë kontribuar. Prej a deri në zh i kemi shënimet”, thotë Hoxha.

Ndërsa, ish drejtori Abazi, beson se fondi mund të ketë arritur në rreth një miliard marka.

Nuk e dij, por pas shkuarjes sime dhe ardhjes së Beqirit si njeri i tyre, thuhet se i kanë shumëfishuar depozitat qeveritare përkatësisht të 3%. Flitet se edhe me thasë kanë sjell para nga jashtë, e jo vetëm nëpërmes linjave bankare”, thotë Abazi.

Në vijim procesverbali i plotë:

Image
Procesverbali, faqe 1
Image
Procesverbali, faqe 2
Image
Procesverbali, faqe 3
Image
Procesverbali, faqe 4
Image
Procesverbali, faqe 5

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat