Ndërtimi i termocentralit/ Gaxherri: Më shumë i besoj Mustafës se ish-ambasadorit holandez

Aktuale

Ndërtimi i termocentralit/ Gaxherri: Më shumë i besoj Mustafës se ish-ambasadorit holandez

Më: 26 janar 2022 Në ora: 23:02
Besa Gaxherri

Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se në debatin për ndërtimin e termocentralit Kosova A, më shumë i beson ish-kryeminsitrit të Kosovës, Isa Mustafa se sa ish-ambasadorit holandez, Robert Bosch.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili të hënën tha se kompania gjermane “Bilfinger” nuk ka shfaqur interesim për rindërtimin e Kosovës A.

Bosch e ka cituar statusin e Mustafës në Facebook, duke thënë se ato që ka shkruar Mustafa janë të pavërteta.

Tutje, Bosch ka shkruar në Facebook se ka qenë i përfshirë personalisht dhe se Ambasada e Holandës dhe ajo e Gjermanisë kanë bërë gjithçka për ta bindur Qeverinë se përmirësimi i katër prej pesë njësive ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por nuk kishte asnjë rezultat.

“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.

Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, të hënën ka deklaruar se përfaqësuesit e “Bilfinger” janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”.

Sipas Mustafës, e gjitha çka kanë ofruar ata kanë qenë vetëm 15-20 faqe PowerPoint.

“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Gaxherri thotë se në këtë debat më shumë i beson Mustafës.

“A e njihni ju se kush është Bosch. Vetëm e keni parë si deklaratë. Më shumë i besoj Isa Mustafës se ish-ambasadorit holandez Robert Bosch”, tha ajo.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat