Dëshmitarja thotë se avokati ia ndaloi të flas për rrethanat lidhur me ngjarjen tragjike ku vdiq polici

Aktuale

Dëshmitarja thotë se avokati ia ndaloi të flas për rrethanat lidhur me ngjarjen tragjike ku vdiq polici

Më: 27 janar 2022 Në ora: 14:48
Sami Thaçi

Dëshmitarja Hidajete Badalli ka thënë se avokati Esat Gutaj e kishte ndaluar që të deklarohet në Prokurori, për disa rrethana lidhur me ngjarjen e shpërthimit në Zhur, ku vdiq polici Sami Thaçi.

Këtë deklarim, dëshmitarja Badalli e bëri në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët po akuzohen për rastin e shpërthimit në Zhur, ku kishte vdekur polici Sami Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Hidajete Badalli, motra e të akuzuarit Iran Badalli, deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori më 17 qershor 2020.

Ajo deklaroi se është e vërtetë deklarata që avokati Esat Gutaj i kishte thënë “Lutju Iranit që të pranojë fajin dhe sidoqoftë është shtëpia e tij”.

Tutje shtoi se ditën kritike më 28 janar 2020, vëllai i saj, këtu i akuzuari Iran Badalli e kishte thirrë tri herë në telefon, njëherë në ora 11, pastaj në 13 dhe herën e fundit nuk i kujtohet saktë ora.

Po ashtu, tha se pas thirrjes së fundit, e kishte thirrë me telefon Iran Badalli the i kishte thënë se policia e paska thirrë atë me telefon të vajzës së tij, Arianës dhe se në atë kohë i njëjti ishte duke pritur autobusin për në Zhur në “ETC”.

Dëshmitarja tha se gjatë thirrjes së fundit, Iran Badalli i kishte thënë policisë përmes telefonit se nëse është diçka urgjente, të shkojnë ta marrin, nëse jo do shkojë me autobus.

Dëshmitarja Badalli tha se këto fjalë më herët nuk i kishte ditur, e po ashtu se avokatët Esat Gutaj dhe Nexhat Elshani e kishin ndaluar që t’i thotë këto fjalë në prokurori, pasi që kinse i kishin thënë se Iran Badalli është i pafajshëm dhe se arsyeja pse nuk i kishte treguar prokurorisë për këtë ishte ngase kishte menduar se avokati Gutaj po ia do të mirën, e në fakt sipas saj, ai po i bënte kurthe dhe se për këtë edhe ka ardhë puna deri këtu.

Dëshmitarja tha se Rahmin Badalli është një person që i di shumë të vërteta lidhur me ditën kritike, kjo pasi që ajo vet ka marrë informatë se Rahmin Badalli e ka dërguar Arben Gashin për të blerë mjetin shpërthyes tek Valbon Qollaku.

Sipas dëshmitares, Rahmin Badalli i kishte ardhë në shtëpi së bashku me një shok të tij dhe i kishte thënë se Iran Badalli ishte i pafajshëm dhe se Arben Gashi e kishte gënjyer që është i Prishtinës dhe se atë eksploziv e kishte kërkuar për gurthyes në Shqipëri.

Tutje tha se Rahmiu kishte shkuar në vizitë të Irani në burgun e Gjilanit pa paralajmëruar atë dhe se për këtë vizitë i kishte treguar pas një jave.

Dëshmitarja tha se informatën se eksplozivi është blerë për ta dërguar në Shqipëri për gurthyes e kishte marrë prej Ramiut dhe Valbon Çollakut, e për këtë i kishte thënë edhe Irani dhe se Ramiu i kishte thënë se Irani nuk e ka kërkuar eksplozivin, por e kishte kërkuar Arben Gashi.

Në fund tha se ai që e ka blerë eksplozivin e ka dërguar në shtëpi, e jo Iran Badalli dhe se ajo nuk ka qënë në shtëpi kur ka ardhë dhe është shitë eksplozivi.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë më 18 shkurt 2022.

Ndryshe, sipas dispozitivit I të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit kah fillimi i muajit janar 2020  në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli ne fshatin Zhur Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat