Drafti i Planit strategjik 2022-2024 i KPK-së prezantohet para partnerëve ndërkombëtarë e shoqërisë civile

Aktuale

Drafti i Planit strategjik 2022-2024 i KPK-së prezantohet para partnerëve ndërkombëtarë e shoqërisë civile

Më: 27 janar 2022 Në ora: 15:23
Foto nga tryeza

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot një takim për prezantimin dhe diskutimin e draftit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024.

Në këtë takim, përveç anëtarëve të Grupit punues për hartimin e këtij plani, morën pjesë edhe partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë sistemin prokurorial.

Kryesuesi i Grupit punues për hartimin e Plani strategjik, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, tha se drafti i Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024 paraqet kornizën kryesore të planifikimit të politikave për menaxhimin e sistemit prokurorial të Kosovës në tri vjetët e ardhshëm.

Ndërsa kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se qëllimi i këtij plani është realizimi i objektivave të parapara, ndëshkimi i korrupsioni, krimit të organizuar dhe i disa veprave të tjera penale, që, faktikisht, mbajnë peng edhe zhvillimin e vendit dhe janë shumë të rëndësishme edhe në proceset e integrimit në BE.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, tha se në këtë dokument janë vlerësuar edhe sfidat dhe rreziqet që mund të paraqitën gjatë zbatimit në praktikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me reforma në sektorin e drejtësisë, përkatësisht me ndryshimet ligjore.

Këtë takim e përshëndetën edhe Volkmar Theobalt dhe Cristian Nicoara, përfaqësues të projektit EUKOJUST dhe David Wells, përfaqësues i projektit britanik “Fuqizimi i sistemit të drejtësisë”.

Në vazhdim, kryesuesi i Grupit punues prezantoi procesin e hartimit të draftit të kësaj strategjie, si dhe shtyllat dhe objektivat që përmban ky draft. Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, prezantoi Raportin për zbatimin e Planit strategjik paraprak.

Takimi vazhdoi me diskutime nga pjesëmarrësit, të cilëve po ashtu iu ofrua mundësia që komentet eventuale lidhur me këtë draft të Planit strategjik t’i dërgojnë me shkrim, thuhet në një komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat