Presidenca reagon ndaj deputetes Deliu: Osmani i di obligimet e saj kushtetuese

Aktuale

Presidenca reagon ndaj deputetes Deliu: Osmani i di obligimet e saj kushtetuese

Më: 27 janar 2022 Në ora: 21:49
Presidenca

Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donjeta Miftari, reagoi pasi deklaratës së deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në foltoren e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se presidentja i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo.

Nga Kuvendi, Deliu-Kodra i bëri thirrje të parës së shtetit që të deklarohet lidhur me situatën e rëndë me pandeminë COVID-19, çmimet e larta të produkteve dhe paralajmërimet për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

Mirëpo, Miftari tha se Osmani angazhohet në vazhdimësi në interes të qytetarëve, duke ia kujtuar këtu edhe donacionin prej mbi 500 mijë vaksinash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si udhëheqëse e politikës së jashtme ajo kryesisht angazhohet për mbështetje më të madhe të partnerëve në ballafaqimin me pandeminë, por edhe për sektorin e shëndetësisë në përgjithësi. Së fundi, Presidentja e ka diskutuar temën e pandemisë në koordinim me partnerët edhe sot, në takim me ambasadorin amerikan si dhe me ambasadorin e OSBE-së. Ajo vazhdimisht i bënë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj edhe në Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë”, shkoi Miftari.

Reagimi i plotë i Miftarit:

Reagim ndaj deklaratës së sotme të deputetes Blerta Deliu Kodra:

Presidentja e Republikës së Kosovës i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo.

Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Republika e Kosovës është përballur me sfida që lidhen me pandeminë, për të cilat është angazhuar personalisht Presidentja. Ky angazhim, ndër të tjera, ka rezultuar me sigurimin e donacionit prej mbi 500,000 vaksinave nga SHBA-të dhe mijëra vaksina të tjera nga partnerë të tjerë. Me këtë temë, nga vaksinimi, e deri te vetëdijesimi, Presidentja merret në baza ditore dhe këto bëhen transparente për publikun nëpërmjet komunikatave për medie.

Si udhëheqëse e politikës së jashtme ajo kryesisht angazhohet për mbështetje më të madhe të partnerëve në ballafaqimin me pandeminë, por edhe për sektorin e shëndetësisë në përgjithësi. Së fundi, Presidentja e ka diskutuar temën e pandemisë në koordinim me partnerët edhe sot, në takim me ambasadorin amerikan si dhe me ambasadorin e OSBE-së. Ajo vazhdimisht i bënë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj edhe në Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë. Se sa është angazhuar Presidentja për këtë temë, ka raportuar edhe në Kuvend, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, por deputetja Deliu bashkë me partinë e saj e kishin bojkotuar (njëjtë siç kishin votuar kundër kur Presidentja në cilësinë e kryetares së Kuvendit propozonte amandamente për t’ua lehtësuar qytetarëve ballafaqimin me pandeminë). Siç ishte e qartë për këdo që e ka dëgjuar adresimin vjetor të Presidentes por edhe për këto që e përcjellë punën e saj, Presidentja është fokusuar fuqishëm në veprime që e fuqizojnë shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, porse nuk merret me deklarime boshe.

Si një grua, znj.Blerta nuk ka pse t’ia kujtojë Presidentes detyrat e saj si nënë, ngase një veprim i tillë nuk ndodh asnjëherë në raport me burrat që kanë fëmijë. Kjo qasje është seksiste dhe vetëm sa e inkurajon seksizmin në shoqërinë tonë. Pritjet janë më të mëdha prej një politikane e deputete.

P.S. Si është e mundur që një deputet i PDK-së ta sulmojë Presidenten për gjoja mosreagim ndaj situatës në Ukrainë, teksa deputetja e po të njëjtës parti ankohet pse Presidentja ka reaguar kundrejt një situate të tillë? Kontradiktorë në qëndrime, si gjithmonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat