“Asnji cent ma shumë” distancohet nga protesta e nesërme, akuzon se PSD-ja po i bën konfuzë qytetarët

Aktuale

“Asnji cent ma shumë” distancohet nga protesta e nesërme, akuzon se PSD-ja po i bën konfuzë qytetarët

Më: 28 janar 2022 Në ora: 17:49
Pamje nga protesta

Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “Asnji cent ma shumë” kanë njoftuar se janë distancuar nga protesta e nesërme kundër shtrenjtimit të rrymës.

Nëpërmjet një kumtese për media, ky grup bën të ditur se protesta nuk organizohet nga ta dhe se PSD-ja po i bën konfuzë qytetarët.

“Kjo protestë është e thirrur nga Partia Socialdemokrate. Ky informim u bë i domosdoshëm, pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD-ja, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm, i cili synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm”.

Mes tjerash, ky grup ka shprehur edhe shqetësimin e tij për sulmet që, sipas tyre, po i bëhen nga militantët e PSD-së.

“Ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës ‘ASNJI CENT MA SHUMË!’ Gjatë kësaj jave, ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta delegjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD-ja është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetar rreth kauzës së mosshtrenjtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t’u mbetet qytetarëve, e jo partive”.

Po ashtu, ky grup i qytetarëve thotë se insistojnë që kjo protestë të mbetet kauzë qytetare dhe të mos ndërhyjë politika.

“Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike. Andaj, ne mbesim të vendosur që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie, e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve – qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithëve që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë,” thuhet në kumtesë.

Media ka kontaktuar Nol Nushin dhe Natyra Kuçin, nga PSD-ja, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat