Kur do të arrestohen ish-zyrtarë të lartë të shtetit/ Bashkëpunëtorë me serbë dhe grupe kriminale!

Aktuale

Kur do të arrestohen ish-zyrtarë të lartë të shtetit/ Bashkëpunëtorë me serbë dhe grupe kriminale!

Nga: Idriz Morina Më: 28 janar 2022 Në ora: 20:32
Arrestime në rastin "Subvencionet"

Institucionet e Kosovës u duk se po e luftojnë mirë një nivel të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, i shprehur me hetimet dhe pak arrestime në veri, me rastin “Brezovica”, vijimi i hetimeve dhe arrestimeve në rastin “subvencionet”, i nisur nga qeveria e kaluar, dhanë shpresë për fillim të sundimit të rendit dhe ligjit.

Dy rastet e hetimeve, dhe arrestimet treguan përfshirjen e gjerë të ish drejtuesve të shtetit në krim të organizuar, hetimet në veri dhe rasti “Brezovica”.

As bastisje

Ende nuk ka njoftime për asnjë ish-zyrtar të lartë shteti nëse është intervistuar nga prokuroria.

Nuk ka arrestime as pas hetimeve në veri dhe listës së zezë të SHBA-së, ku në krye e vendosi Zvonko Veselinoviçin dhe Milan Radojçiqin, si udhëheqës të një grupi kriminal serb ndërkombëtar, që dëshmoi edhe për lidhjet e pushtetarëve tanë me këtë rrjet.

Kjo ishte situata më tronditëse, kur sheh se me njerëz kaq të komprometuar, eksponentë të Serbisë dhe krimit ndërkombëtar, kanë bashkëpunuar kryeministria, ministra e të tjerë.

Sipas hetimeve amerikane, grupi kriminal ndërkombëtar serb, kishte potencial ta destabilizonte shtetin, demokracinë, por edhe rajonin?

Grupet kriminale serbe, si ai i Zvonko Veselinoviçit nuk kanë asnjë shans që të mos kontrollohen nga shteti serb, përveç se që ka qindra raportime në Serbi se ai dhe Radojçiq janë miq, dhe madje mbrohen me urdhër të presidentit të Serbisë Vuçuqit.

“Grupi Kriminal Ndërkombëtar (OCG angl.) i Veselinoviçit është i angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo...”, thuhet në dokumentin amerikan.

Pra, sipas raporteve amerikane janë të ditur emrat e të tjerëve që shteti i Kosovës duhet t’i arrestojë: “ryshfet në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare”. Por, ne nuk e kemi ende asnjë zyrtar të sigurisë të arrestuar, dhe nuk e dimë nëse bëhet fjalë për ata të inteligjencës apo të policisë. Këtë duhet ta kishin treguar hetimet dhe arrestime tashmë.

Prandaj, është urgjente që të ndryshohen strukturat në hetime, polici-prokurori dhe në gjykatë.

Edhe indeksi i perceptimit të korrupsionit, i Transparency International, përkundër përmirësimit për 17 vende, sipas drejtuesve të kësaj organizate, meritat i takojnë mbajtjes së suksesshme të zgjedhjeve, dhe jo një lufte të ashpër apo të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo besoj është e lidhur me mos arrestimin e krerëve përgjegjës të krimit të dhe korrupsionit, në nivelet më të larta.

Ende asnjë ish-ministër, asnjë ish deputet apo deputet, e aq më pak një ish-kryeministër nuk është arrestuar dhe as nuk ka shenja të hetimit të tyre!

Kush duhet të shqetësohet

Ambasadori amerikan Hovenier, prezanton në Kosovë, sikurse ambasadorët e tjerë të rinjë amerikan, politikën e re të administratës së Presidencës së SHBA-së, e shprehur në Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Biden, të shpallur verën që shkoi.

Sipas paralajmërimeve të ndryshme, dhe mbështetur në analiza, pritet që lista e zezë e ShBA-së për Kosovën të përfshijë politikanë dhe ish-politikanë.

Ambsadori Hovenier ka sqaruar se sanksionet amerikane vendosen në rastet kur dikush vlerësohet se nëse po e destabilizon një sistem politik, apo nëse është i përfshirë në krim të organizuar transnacional.

Ai ka thënë qartë se kushdo që, “është i përfshirë në krim të organizuar transnacional do të duhej të shqetësohej që do të përballet me sanksione specifike. Gjithashtu duhet të shqetësohet kushdo që sfidon një rend kushtetues të një vendi që e kemi njohur dhe me të cilin punojmë”. Por, njerëzit që i shprehin pikëpamjet politike nuk duhet të shqetësohen.

Ambasadori ka sqaruar se sanksionet nuk vendosen vetëm për politikanë aktual, por edhe për ata që kanë qenë në politikë.

“Epo, çështja nëse dikush ishte apo jo politikan është e parëndësishme përkitazi me atë nëse sanksionet mund të zbatohen ndaj tyre. Pra, kushdo që ka qenë i përfshirë në krim të organizuar transnacional në nivel të tillë që plotëson pragun tonë për vendosjen e sanksioneve, duhet të shqetësohet”, ka deklaruar në një intervistë për transmetuesin publik, ambasadori Hovenier.

Në të dyja herët bie në sy se ai e ka theksuar frazën, “se duhet të shqetësohet”.

Ne megjithatë jemi kureshtar ta dimë se kush janë ata që duhet të shqetësohen, por ende nuk kemi një përgjigje, për të cilën kompetent është vetëm Stejt Departamenti Amerikan.

Porl Urdhri Ekzekutiv i presidentit Bajden e çon më tej nga sa ka thënë ambasadori Hovenier. Pra, në listë do të figurojnë edhe minuesit e paqes, edhe ata që janë përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, por edhe ata që janë përfshirë direkt dhe indirekt në korrupsion.

Kështu, që pritjet janë që në Kosovë të figurojë në listë të zezë së paku një ish-kryeministër, nëse jo edhe dy.

Urdhri Ekzekutiv i Bajdenit

Sipas Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit Bajden, pritjet janë më se normale, që në listë të zezë të gjenden autoritete serbe, të cilat në vazhdimësi e kanë minuar arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare, dhe “minojnë çdo siguri rajonale, paqeje”, “marrëveshjet e njohjes reciproke”

“Prandaj kam vendosur se është e nevojshme të bllokohen pasuri dhe interesa pronësore të të gjithë personave..., që minojnë proceset demokratike ose institucionet, minojnë çdo siguri rajonale, paqeje, bashkëpunimi ose marrëveshjet e njohjes reciproke apo kuadër ligjor apo mekanizëm llogaridhënieje, të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut ose të përfshirë direkt ose indirekt në akte korrupsioni në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë departamentet dhe agjencitë ekzekutive nxiten të marrin të gjitha masat e duhura brenda autoritetit të tyre për të ekzekutuar dispozitat e këtij urdhri”, deklaron Biden.

Prandaj, lista e zezë si në Kosovë, dhe jashtë nesh pritet të jetë e gjatë, dhe shumë e rëndësishme.

“Të jesh përgjegjës ose bashkëpunëtor apo të përfshihesh drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion në Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-zyrtar i qeverisë në çdo nivel qeverisjeje në Ballkanin Perëndimor, të tilla si keqpërdorimi i pasurisë publike, shpronësimi i pasurive private për përfitime personale ose qëllime politike apo ryshfet”, thuhet në këtë urdhër të firmosur nga Biden.

Dikush në Kosovë, në institucione po e shpërfillë Urdhrin Ekzekutiv të presidenti Bajden!

Urdhri i tij, nuk nënkupton vetëm marrje masash nga SHBA-të!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat