Kurti flet për kërkesën e vendeve të QUINT-it për zbatim të vendimit për Manastirin e Deçanit

Aktuale

Kurti flet për kërkesën e vendeve të QUINT-it për zbatim të vendimit për Manastirin e Deçanit

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 19:00
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është detyrë e secilit që të ruaj kuletën e shtetit. Ai ka shtuar se të zgjedhurit e shtetit duhet të jenë model për qytetarët. Derisa ka komentuar shpenzimet me karburante nga deputetët e partisë që udhëheq, ai tha se Kuvendi duhet të ndërmarr veprime për të ndryshuar rregulloret e kompensimit. Ai ka folur edhe për kërkesën e vendeve të QUINT-it për zbatimin e vendimit për Manastirit të Deçanit, ku u zotua se do të angazhohen për ruajtjen e të drejtave legjitime të Manastirit.

Pas miratimit të masave të reja anti-COVID, kryeministri Albin Kurti në konferencë për media është pyetur edhe për shpenzimet e udhëtimit nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti: Është detyrë e secilit që të ruajë kuletën e shtetit

"Unë e kuptoj që shpenzimet e tilla dhe këto praktika mund të kenë qenë të trashëguara nga kuvendet e kaluara. Këto pagesa duhet rregulluar dhe Kuvendi duhet të ndërmerr veprime për të ndryshuar rregulloret e kompensimit për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Unë e kuptoj plotësisht indinjatën e qytetarëve për këto shpenzime Por në të njëjtën kohë konsideroj që është e padrejtë etiketimi i një deputeti të veçantë për një vendim që është i vitit 2011. Pra, më shumë se një dekadë, kemi pasur shpenzime të tilla. Është detyrë ë secilit vend, e sidomos e personave të zgjedhur, si dhe e shërbyesve civilë që ta ruajmë kuletën e shtetit, ata duhet të jenë model për gjithë qytetarët", ka deklaruar ai.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës ka njoftuar se të njëjtit do të tërhiqen vullnetarisht nga një kompensim i tillë. Po ashtu, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e këtij vendimi për kompensim.

Sa i përket përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe tërheqjes së Ambasadës së Britanisë së Madhe nga procesi, ai tha se Kosova ka nevojë për një prokurori aktive.

Kurti: Na nevojitet një prokurori aktive

"Nuk do të duhej që ne si përfaqësues të lartë të institucioneve dhe si zyrtarë të ekzekutivit të kontribuojmë në uljen e besueshmërisë së procesit. Duhet të presim për përzgjedhje të vendimit që do të merret. Na nevojitet një prokurori aktive e cila lufton krimet e organizuara, krimet e kryera gjatë luftës, korrupsionin, sidomos atë të lartë në mënyrë që shteti demokratik i Kosovës të bëhet shtet i së drejtës, në të cilin besojnë të gjithë qytetarët, sepse të gjithë pa dallim trajtohen në mënyrë të barabartë", ka deklaruar ai.

Kurti është pyetur edhe për kërkesën e QUINT-it për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, ku u zotua se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për ruajtjen e të drejtave legjitime të Manastirit.

Kurti: Gjykata Kushtetuese nuk është dashur të marr vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike

“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marr vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit por edhe liderët fetar të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë që është e mundur”, ka thënë ai.

Kurti edhe një herë ka përsëritur se është i gatshëm për të marrë pjesë në bisedime me palën serbe, kurdo që Brukseli e fton. Ai u shpreh se janë të përkushtuar për dialog parimor drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat