I akuzuari për 53-milionëshin kërkoi 110 mijë euro nga Zyra e Kryeministrit Kurti

Aktuale

I akuzuari për 53-milionëshin kërkoi 110 mijë euro nga Zyra e Kryeministrit Kurti

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 21:50
Eset Berisha

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka publikuar një aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prishtinës për Eset Berishën, në të cilën i akuzuari për rastin e 53 milionë eurove të “Bechtel-Enca”, i kërkon nga Zyra e Kryeministrit 110 mijë euro kompensim.

Kjo kërkesë lidhet me shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Ai u shkarkuar në vitin 2020 nga Qeveria Kurti 1.

Kryeziu në një postim në Facebook tha Gjykata e Prishtinës ka vendosur se vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Eset Berishës ishte i ligjshëm.

“E sot Prokuroria Speciale e Kosovës me ngritjen e aktakuzës edhe ndaj tij për rastin e 53 milionë eurove, po na thotë se vendimi i Qeverisë ishte edhe i drejtë dhe i duhuri”, shkroi ai.

Eset Berisha ishte drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Ai u emërua në këtë pozitë me vendim të datës 11 janar 2019 me mandat 5 vjeçar, të Qeverisë së Kosovës, që atëkohë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Ish-këshilltari politik i Pal Lekajt, Berisha ishte shkarkuar më 11 maj të vitit 2020 me vendim të kryeministrit Albin Kurti, në kohën kur partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje po bashkëqeverisnin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Berisha u shkarkua me rekomandim të Zyrës së Kryeministrit, teksa lidhur me këtë, pati deklaruar se arsyeja e vetme e shkarkimit të tij është se kryeministrit në detyrë atëkohë, Albin Kurti “i ka mbetur hatri për marrëveshjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd”.

Qeveria në detyrë në vitin 2020 kishte thënë se e ka shkarkuar Eset Berishën për “shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale”.

Ekzekutivi deklaronte se Berisha ka hartuar e ka nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ndërsa edhe “ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh”.

Berisha mes tjerash, ishte personi që nënshkroi marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Berlin.

Marrëveshja e 20 janarit të vitit 2020, që synonte rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, u nënshkrua në Berlin në ambasadën e ShBA-së. Fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas thuhej se në të ardhmen do të realizohen nga kompania gjermane Lufthansa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat