“Nuk e lejoi formimin e një ngrehine të rrezikshme serbe”/ PDK ta falënderojë Kurtin dhe t`i kërkojë falje popullit

Aktuale

“Nuk e lejoi formimin e një ngrehine të rrezikshme serbe”/ PDK ta falënderojë Kurtin dhe t`i kërkojë falje popullit

Nga: M.L. Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 15:22
Albin Kurti

Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për gazetën, ka thënë se Qeveria Kurti theu tendencat e Serbisë dhe mbështetësve të saj në BE për për formimin e asociacionit kundërkushtetues.

Bazuar në këtë, ai ka vlerësuar se është me rëndësi të madhe që sa më parë edhe opozita të përfshihet në procesin e dialogut me Serbinë

“Në situatën nëpër të cilën aktualisht po kalon Kosova, sidomos tani kur dialogut Kosovë-Serbi i janë përkushtuar me tërë seriozitetin edhe vet SHBA-të duke autorizuar Përfaqësuesin e vet Special, z.Eskobar për mbështetjen e këtyre bisedimeve krahas ndërmjetësimit të BE-së, është me rëndësi të madhe që sa më parë edhe opozita të përfshihet në procesin e dialogut me Serbine, sidomos tani kur Qeveria Kurti theu tendencat e Serbisë dhe mbështetësve të saj në BE, për formimin e asociacionit kundërkushtetues, një etnik serb me kompetenca ekzekutive, marrëveshje të cilën e kishin nënshkruar kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati Isa Mustafa”, thotë Qarri.

Tre hapat që duhet t`i ndjek opozita

Qarri thotë se nëse opozitës i ka mbetur vetëm edhe pak moral njerëzor dhe një fije ndërgjegje në vetëdijen e saj, duhet t’i ndërmarrë tre hapa të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen e saj, për ta pastruar sadopak të kaluarën e vet të dyshimtë dhe veprimet konspirative me Serbinë, në kurriz të Kosovës.

“Siç u mor vesh nga diskutimet me emisarët Eskobar e Lajçak, me hedhjen poshtë të asociacionit të paligjshëm, me kompetenca shtetërore, opozita është liruar pjesërisht edhe nga obligimi që kishte marrë me vetdëshirë mbi vete, për ta formuar një ngrehinë të tillë të kundërligjshme, në kurriz të Kosovës dhe bosnjëzuar shtetin tonë, asociacion kundërkushtetues një etnik serb me kompetenca ekzekutive, i para programuar për ndarjen përfundimtare të Kosovës. Kështu që, opozitës, nëse vërtetë i ka mbetur vetëm edhe pak moral njerëzor dhe një fije sado e hollë ndërgjegje në vetëdijen e saj, duhet ti ndërmarrë tre hapa të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen e saj, për ta pastruar sadopak të kaluarën e vet të dyshimtë dhe veprimet konspirative me Serbinë, në kurriz të Kosovës. E para, opozita dhe veçanërisht PDK-ja, pikë së pari duhet ta falënderojë kryeministrin Kurti, që nuk e lejoi formimin e një ngrehine të rrezikshme serbe, si asociacioni, që apriori çonte në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, së dyti, t’i kërkojë falje publike mbarë popullit të Kosovës, për gjithë prapësitë dhe telashet që i ka shkaktuar vendit, duke e çuar Kosovën buzë ndarjes dhe shuarjes së shtetësisë së saj, për çka ministrat e PDK-së, kanë paguar edhe firma të huaja dhe së treti të kërkojnë pjesëmarrjen në procesin e bisedimeve me Serbinë, me garanci që nuk do ta tradhtojë Kosovën, për të dhënë kontributin e vet, të paktën në fund të dialogut, sa për të mos u konsideruar nga qytetarët, përgjithmonë parti të shitura e tradhtare”, deklaroi ai.

“PDK-ja të mos përfshihet në dialog”

Kështu, Qarri potencon se PDK-ja për shkak të humbjes së besimit te shqiptarët, duhet të përjashtohet nga çdo formë e involvimit në ekipin e Kosovës për dialog me Serbinë.

Veçanërisht PDK, si parti kuislinge emisarët dubiozë të të cilës vazhdojnë të dalin hapur, tanimë jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër qëndrimit të prerë të SHBA-ve, ani pse SHBA-të janë deklaruar për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe mosndryshimin e kufijve shtetëror të vendit tonë, duke kërkuar me eksponentët e vet pro-Vuçiqit dhe pro-Serbisë si Ramë Buja e Vlora Çitaku edhe ndarjen e Kosovës, fillimisht si parti duhet të distancohet në çdo formë, nga kërkesat më të reja reaksionare të Vlora Çitakut e Ramë Bujës për ndarjen e Kosovës dhe t’i kërkoj falje publike popullit të Kosovës për tradhtitë dhe të gjitha të këqijat që ia ka bërë këtij vendi, e pastaj të kërkojë besimin e Qeverisë për t`iu bashku ekipit të bisedimeve me Serbinë, me garancinë që nuk do ta tradhtojë Kosovën, përndryshe PDK-ja për shkak të humbjes së besimit te shqiptarët, duhet të përjashtohet nga çdo formë e involvimit në ekipin e Kosovës për dialog me Serbinë”, përfundon ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat