Aktakuza pre ujin e helmuar, flet kryetari i Deçanit

Aktuale

Aktakuza pre ujin e helmuar, flet kryetari i Deçanit

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 19:32
Bashkim Ramosaj

Prokuroria në Pejë, ka njoftuar se sot është ngritur aktakuzë ndaj dy personave lidhur me helmimet në Deçan, ku mbetën të helmuar mbi 1500 persona që konsumuan këtë ujë.

Për rastin ka folur kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili tha se përshëndet vendimin e prokurorisë teksa shtoi se duhet marrë përgjegjësi për menaxhimin e ujit të pijes.

Ramosaj përmendi edhe disa siç i quan ai defekte me të cilat po ballafaqohet komuna e tij.

“E kam përshëndetur veprimin e Prokurorisë sot. Nuk ka relevancë kush është akuzuar, relevante për mua është të jemi përgjegjës ne për ujin e pijes, duke e marrë në menaxhim. Ka shumë defekte e shumë mangësi në administrim.
Duke filluar nga qasja në burim e deri te ekonomitë familjare, përfshi edhe orëmatësit e faturat paushall. Thjeshtë duhet seriozitet e përkushtim tejet të madh për të rregulluar këtë temë”,
ka thënë Ramosaj.

Ndërkohë, Prokurori i këtij rasti Dorian Juniku, e ka konfirmuar ngritje e aktakuzës përmes konferencës për media.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensive, në çështjen penale me rastin e njohur si helmimet e mbi 1500 qytetarëve të komunës së Deçanit dhe fshatrave përreth, sot kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale Hidrodrini në Pejë, dhe atë kundër drejtorit të departamentit teknik për ‘shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm’ dhe kundër kimistes për ‘mos evitimin e rrezikut’, ka thënë Prokurori Juniku .

“Në rastin konkret, mbi 1500 qytetarë kanë kërku ndihmë mjekësore, 872 kanë pasë simptoma që i referohen helmimeve nga uji i pijshëm”, ka thënë prokurori.

Lidhur me dyshimet për veprat penale, prokurori dha pak detaje.

“Rreziku është shfaqë me mossigurimin e pusetave, ku ka mundur gjithkush të ketë qasje por edhe nga mungesa e klorit që tregon se testimet nuk kanë qenë të rregullta”, ka thënë Juniku.

“Kemi dëshmitarë dhe dëshmi, në saje të të cilëve edhe kemi ngritë aktakuzën”, ka thënë ai.

Prokurori tha se uji ka pas bakterie dhe nuk ka pas testime ose testime shumë të pakta të kontrollit të ujit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me përfshirjen e dy zyrtarët serbë që ishin dyshuar në fillim, prokurori Juniku deklaroi se ka rezultuar se të njëjtit nuk janë të përfshirë në rastin në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat