Çeku për objektin e Xhafer Devës: Nuk guxojmë të heqim dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore

Aktuale

Çeku për objektin e Xhafer Devës: Nuk guxojmë të heqim dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 16:11
Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se debati për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës po provokohet nga Serbia me qëllim të dëmtimit të Kosovës. Ai u shpreh se po synojnë restaurimin e objektit, por jo edhe rehabilitimin e historisë së Devës. Ai ka ftuar partnerët ndërkombëtar që t’i rikthehen bashkëpunimit për restaurimin e monumentit, duke shtuar se MKRS nuk do të heq dorë nga ky projekt.

Më tej, Çeku në konferencë për media tha se diskursi i krijuar ditëve të fundit është i rrezikshëm.

Çeku: Ky është një narracion gënjeshtër që vjen nga Serbia

"Populli shqiptar ka dhënë dëshmi të panumërta historike të angazhimit anti-fashist dhe angazhimit në mbrojtje dhe në shpëtim të popullsisë hebrenje gjatë periudhës së Holokaustit. Debati i ditëve te fundit ka origjinën në Serbi dhe kjo është shumë e qartë. Paradoksalisht një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit, apo duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Ky është një narracion gënjeshtër qe vjen nga Serbia sepse faktet janë kokëforta dhe nuk janë në anën e Serbisë. Faktet aktuale, jo vetëm historike e përgënjeshtrojnë këtë narracion absurd të Serbisë”, ka deklaruar Çeku.

Shtëpia e Xhafer Devës, siç tha ministri, është në pronësi publike dhe se kishte funksione të ndryshme publike.

Çeku: Nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës

“Po restaurohet monumenti, nuk po restaurohet apo nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. Pra, nuk po bëjmë asgjë përveç se po e restaurojmë një monument, po e mbrojmë trashëgiminë kulturore dhe nuk po e rehabilitojmë as historinë e Xhafer Devës, e as të ndonjë figure tjetër historike. Pas restaurimit në ndërtesë do të vendoset Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë. Dhe hapësirat tjera të monumentit do t’i shndërrojmë në galeri arti, qendra të dokumentimit që në fakt na ndihmojnë për ta mirëmbajtur tutje këtë debat historik të figurave historike”, ka shtuar ai.

Ai ka komentuar edhe reagimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Çeku: I ftojmë të gjithë për reflektim dhe për racionalitet

"Ne kuptojmë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë. Unë jam në komunikim të përditshëm me të gjithë, përfshirë edhe me ambasadorin e respektuar të Gjermanisë në Kosovë. Të gjithëve u kemi dhënë sqarime shtesë, shteruese për qëllimet tona, për projektin tonë, për angazhimet tona. Jemi të gatshëm që t’iu ofrojmë çfarëdo që kanë nevojë, t’i shtjerrim të gjitha diskutimet për të ecur përpara me këtë projekt. Ne mendojmë që punën e nisur bashkë me partnerët ndërkombëtarë duhet ta vazhdojmë tutje. Dhe nga këtu i ftojmë të gjithë për reflektim dhe për racionalitet”, ka vijuar Çeku në konferencë për media.

Ai u shpreh se nuk është barrë buxheti për realizimin e këtij projekti, meqë mund të financohet edhe nga vet Ministria e Kulturës. Ministri Hajrulla Çeku tha se nuk guxojnë të heqin dorë nga mbrojtja e monumenteve në Kosovë.

Çeku: Ne nuk guxojmë të heqim dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore

“Gjithkush mund të heq dorë, por ne si Ministri nuk guxojmë të heqim dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore, sepse nuk e kemi këtë të drejtë”, ka thënë ai shkurt.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me planet e MKRS-së për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës. Sipas ambasadorit, Deva ishte bashkëpunëtor i nazistëve gjerman gjatë Luftës së II Botërore.

Shtëpia e Xhafer Devës në vitin 2011 është futur në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërtesa ka pësuar nga zjarri në vitin 2015 dhe ndërhyrja e fundit është bërë në vitin 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat